ANALIZË: (FOTO) Reportazh: Këtë verë çmime “të kripura” në Greqi!

Ushqimi, karburantet, po dhe akomodimi në apartamente dhe hotele private këtë vit është më i shtrenjtë. Edhe Greqia nuk mbeti imune ndaj inflacionit dhe pasojave ekonomike të luftës në Ukrainë. Pronarët e marketeve thonë se këtë verë çmimet e disa produkteve ushqimore janë në nivelin më të lartë krahasuar me dekadat e kaluara, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Çmimet e ushqimit, karburanteve…

Një kilogram kajsi, pjeshkë mbi 2.60 euro, një kilogram shalqi 1 euro. Çmimet e frutave në Greqi janë pothuajse të njëjta në markete të ndryshme – por megjithatë në vendet turistike “më elitare” frutat shiten më shtrenjtë. Në dyqanet greke një kilogram fasule kushton 6.70 euro, një kilogram domate madje 1.80 euro, ndërsa kastravecët rreth 1 euro.

“Çmimet e ushqimeve janë rritur shumë, fillimisht e kishim pandeminë, dhe për këtë arsye dy vitet e fundit kemi kaluar një krizë. Tani ajo që po ndodh në Ukrainë ka sjellë një krizë të re. Çmimet e produkteve ushqimore bazë dhe karburanteve janë rritur, ndërsa rrogat janë të njëjta” – thotë pronarja e një marketi në një destinacion turistik.

Tregjet janë plot me klientë – por menaxherët e dyqaneve thonë se vërejnë blerje të përmbajtura, blihet ajo që është domosdoshme, bukë, qumësht, fruta.

Një kilogram mollë ose dardhë shitet për 2.60 euro, makaronat në paketim prej 500 gram kushtojnë mbi 0.80 euro, ndërsa spagetat 1.25 euro. Vaji i ullirit për ushqim shitet me çmime më të larta se 5 euro – në varësi të sasisë dhe markës.

Rritja e çmimeve të derivateve të naftës ka një ndikim të madh në inflacionin në Greqi. Edhe pse janë më të shtrenjta në krahasim me Maqedoninë, ajo diferencë drastike e çmimeve nuk është më. Kështu, një litër dizel shitet nga 2,05 euro deri në 2,15 euro, ndërsa një litër benzinë kushton nga 2,33 euro deri në 2,59 euro – me këto çmime dizeli mbetet më i lirë se benzina.

This slideshow requires JavaScript.

Çmimet në restorante dhe për akomodim…

Çmimet në restorante, dyqane sanduiçësh, në plazhe, në kapacitetet e akomodimit, në radhë të parë varen nga atraktiviteti i vendit turistik – në ato destinacione që janë më tërheqëse për të rinjtë, por edhe për ata me xhepa “më të thellë”, çmimet janë dukshëm më të larta krahasuar me vendet turistike të vizituara kryesisht nga familjet me fëmijë.

Në plazhe, çmimi i dy shezlloneve dhe një çadre nuk është më e ulët se 10 euro – duke përfshirë një pije. Por, në plazhet më tërheqëse do të paguani 8 deri në 10 euro vetëm për shezllonet dhe një çadër dielli.

Çmimet e ushqimeve dhe të pijeve në plazhe varen edhe nga vendi turistik – megjithatë, një frape greke, kapuçino, në plazh dhe në restorant kushton mbi 3,50 euro, një espreso 2,50 euro, lëngjet e gazuara shiten mbi 2,50 euro, kurse birra më e lirë kushton 3 euro.  Çmimi i koktejeve varion nga 7 deri në 9 euro.

Greqi, foto: Portalb.mk
Greqi, foto: Portalb.mk

Këtë sezon është shtrenjtuar edhe “giroja” tradicionale, çmimi i të cilës ka kaluar 3,50 euro, ndërsa në vendet më tërheqëse turistike ka arritur në 4 euro. Një picë mesatare në restorant nuk është më e lirë se 8 euro, ndërsa çmimi i një hamburgeri (pa asnjë shtesë) është 3 euro, por nëse dëshironi të blini një çikenburger me patate të skuqura dhe një gotë me pije të gazuar, do të paguani rreth 6 euro.

“Edhe pse çmimet janë rritur këtë vit, shpresojmë që të ketë më shumë turistë në krahasim me vitin e kaluar, gjegjësisht me dy vitet e mëparshme” – thotë një punonjëse në një restorant.

Çmimet në apartamentet private kryesisht nuk kanë ndryshuar ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar – në varësi të vendndodhjes kanë çmim mbi 35 euro për një natë në apartament me dy krevate, por çmimet në akomodimin në hotel, ku përfshihen edhe ushqimet, kanë shënuar rritje. Por, çmimet e akomodimit rriten me afrimin e kulmit të sezonit veror – kështu për shembull në një vilë në Platamonë për një natë, një apartament me dy krevate jepet me qira gjatë gushtit për 50 euro, ndërsa një studio me dy krevate me mëngjes të përfshirë – një natë kushton më shumë se 135 euro. Në disa nga hotelet e Greqisë ka një tarifë shtesë për përdorimin e ajrit të kondicionuar, e po ashtu edhe taksa turistike, e cila kushton gjysmë euro për dhomë/apartament.

Çmime “që djegin” në ishujt grekë – për shembull, katër ditë në hotel në Thasos, me mëngjes të përfshirë, dy persona do të duhet ta paguajnë 1.400 euro, vetëm një natë në akomodim privat, një studio për dy vetë, në këtë ishull kushton 75 euro.

Në vendet turistike më të vizituara në gadishullin Halkidiki, çmimet për një natë në studio me dy krevate shkojnë mbi 40 euro.

Greqia ka shfuqizuar plotësisht protokollet e Kovidit për hyrjen e turistëve, nuk kërkohet as pasaportë vaksinimi e as test për Kovidin.  Megjithatë, edhe përkundër kësaj, disa nga hotelierët grekë thonë se ende nuk është numri i zakonshëm i turistëve për këtë pjesë të verës – ata ende shpresojnë që të ketë më shumë turistë, sepse për Greqinë turizmi është një sektor strategjik për ekonominë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button