Ia nisi dhuna zgjedhore në Shqipëri, sulmohet një komisar i PS

Një komisioner i Partisë Socialiste në fshatin Nangë, të komunës Bicaj të rrethit të Kukësit, është dhunuar nga 4 bashkëfshatarë të tij me tytë pistolete.

Ngjarja, sipas komisionerit Petrit Hereni, ka ndodhur në orën 04.00 të mëngjesit të sotëm, një ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit, kur katër persona e kanë sulmuar në oborrin e shtëpisë  së tij.

Sipas të dëmtuarit katër autorët, militantë të PD-së e kanë kërcënuar duke i thënë se nëse do të flasë do e vrasin.

“Dëgjova zhurmën tek shtëpia dhe dola. Pashë se kishin hequr flamujt tek dyqani im, bilardoja. Mora çiften me leje sepse mendova mos kishin ardhur për të vjedhur. Dal dhe shikoj dy makina me targa të huaja. Më qëlluan me qyta pistolete, duke më thënë të mos flas, se  do të të vrasim. Ky gjak nuk do shkojë haptas. Ta dijë mirë Flamuri me gjithë lagojt nga janë. I njoh, autorët,  janë bashkëfshatarë të mij. Thirrje policisë të vërë drejtësi dhe të mos bëhet pjesë e politikës”- thotë Petrit Hereni në një prononcim për tv A1 REPORT para komisariatit të policisë. 

Petrit Hereni, sapo ka ndodhur ngjarja, në orën 04.00, ka ardhur në qytetin e Kukësit, pranë komisariatit të policisë, për të bërë edhe denoncimin e ngjarjes por në polici nuk kishte asnjeri.

“S’kam kujt t’ia bëj. Vetëm hekurave. Polici roje mori në telefon dhe policët kanë shkuar në vendngjarje për të marrë provat”,- thotë Hereni.

Policia e Kukësit ende nuk ka dalë me një version zyrtar të ngjarjes. Ndërkohë që komisioneri i bën thirrje policisë që të prangosë autorët e këtij akti.

Lajme të ngjashme

Back to top button