Departamenti i Shtetit: Blinken në takimin me Petkovin theksoi rëndësinë e anëtarësimit të shpejtë në BE për vendet aspirante

Sekretari shtetëror i ShBA-së Antony Blinken gjatë  takimit të djeshëm me kryeministrin bullgar Kirill Petkov, theksoi “rëndësinë e hyrjes së shpejtë në BE për aspirantët e kualifikuar”, njoftoi Departamenti i Shtetit, transmeton Portalb.mk.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se të dy liderët riafirmuan vizionin e tyre të përbashkët për marrëdhëniet transatlantike.

Price në njoftim tha edhe se “sekretari Blinken theksoi rëndësinë e një përgjigjeje të bashkuar NATO-SHBA-BE ndaj pushtimit të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin modernizimin e mbrojtjes dhe prioritetet e sigurisë energjetike të Bullgarisë”.

Të dy Blinken dhe Petkov për takimin njoftuan në Twitter.

Petkov shkroi se me Blinkenin kanë biseduar për rritjen e bashkëpunimit dhe diversifikimin e burimeve energjetike.

“Bullgaria dhe ShBA-ja janë aleatë dhe partnerë strategjikë dhe bashkëpunimi energjetik do të kontribuojë në rritjen e sigurisë energjetike dhe diversifikimin në rajon”, shkroi Petkov.

Senatori demokrat Kris Murfi gjithashtu njoftoi se ishte takuar me kryeministrin bullgar për të diskutuar mbështetjen energjetike për t’i dhënë fund varësisë së Bullgarisë nga gazi dhe nafta ruse.

Në njoftim thuhet se takimi ka qenë online, pasi Blinken ka rezultuar pozitiv me koronavirus prej disa ditësh.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button