Dita 74: Bombardime në një shkollë ukrainase, dyshohet për 60 të vdekur

Ushtria ukrainase thotë se ka fundosur një anije ruse të tipit Serna që i përket flotës ruse të Detit të Zi. Dyshohet se dhjetëra persona kanë vdekur pasi një bombë goditi një shkollë në lindje të Ukrainës nga forcat ruse.

17:40 – Jill Biden, takim surprizë në Ukrainë me Zonjën e Parë të vendit, Olena Zelenska

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara Jill Biden bëri të dielën një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainën perëndimore, ku u takua me Zonjën e Parë të vendit, Olena Zelenska.

Vizita dhe takimi u bënë në Ditën e Nënës.

Zonja Biden u bë figura e fundit amerikane e profilit të lartë që hyn në Ukrainë gjatë konfliktit 10-javor me Rusinë. Udhëtimi i saj u bë në fshehtësi dhe u njoftua pasi ajo ishte larguar nga Ukraina, transmeton REL

Zonja e Parë amerikane e takoi para një shkolle zonjën Zelenska, duke e përqafuar atë dhe duke i dhuruar një buqetë me lule.

“Doja të vija në ditën e nënës,” i tha zonja Biden zonjës së parë të Ukrainës, duke iu referuar ditës që është një festë e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara.

“Mendova se ishte e rëndësishme t’i përcillja popullit ukrainas mesazhin se kjo luftë brutale duhet të ndalet dhe se populli amerikan qëndron me popullin e Ukrainës”, tha zonja Biden.

Zonja e Parë shkoi në qytetin e Uzhhorodit, rreth 10 minuta me makinë nga një fshat sllovak në kufi me Ukrainën.

Ajo qendroi rreth dy orë në Ukrainë.

Të dyja zonjat e para shkuan në një klasë të vogël, të ulura në një tavolinë përballë njëra-tjetrës, përpara se të vazhdonin takimin privatisht.

Zonja Zelenska dhe fëmijët e saj kanë qenë të strehuara në fshehtësi për sigurinë e tyre.

Ajo e falënderoi zonjën Biden për “aktin e saj të guximshëm”.

“Ne e kuptojmë që nuk është e lehtë për zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara të vijë këtu gjatë një lufte ku ka çdo ditë operacione ushtarake, ku dëgjohen çdo ditë sirenat ajrore – edhe sot,” tha ajo.

Shkolla ku ato u takuan është kthyer në strehim të përkohshëm për të zhvendosurit ukrainas nga zona të tjera të

14:12 – Ukraina: 225 fëmijë të vdekur nga sulmet ruse deri më tani

Të paktën 225 fëmijë kanë humbur jetën dhe 413 janë plagosur në sulmet e ushtrisë ruse në Ukrainë, njoftuan autoritetet e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, thuhet se nga bombardimet e ushtrisë ruse janë dëmtuar 1.635 institucione arsimore, ndërsa 126 prej tyre janë shkatërruar plotësisht.

Në deklaratë theksohet se që nga 24 shkurti, kur Rusia filloi sulmet e saj, 225 fëmijë kanë humbur jetën dhe 413 fëmijë janë plagosur.

11: 08 – Bomba ka goditur një shkollë në Ukrainë, dyshohet për dhjetëra të vdekur (VIDEO)

Dhjetëra persona dyshohet se kanë vdekur pasi një bombë goditi një shkollë në lindje të Ukrainës, ku forcat qeveritare po luftojnë me trupat ruse dhe separatistët e mbështetur nga Rusia.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Gaidai, konfirmoi dy vdekje, duke thënë se 60 persona dyshohet se kanë vdekur nën rrënojat e shkollës në Bilohorivka, transmeton REL.

Rreth 90 njerëz ishin strehuar në ndërtesë dhe 30 u shpëtuan, shtatë prej tyre u plagosën, shtoi ai.

Gaidai tha se një aeroplan rus e kishte hedhur bombën të shtunën.

BBC thotë se akuzat e tij nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur dhe shton se nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga Rusia.

Luhanski ka përjetuar luftime të ashpra ditëve të fundit ndërsa trupat ruse dhe luftëtarët separatistë kërkojnë të rrethojnë forcat qeveritare ukrainase, pak më shumë se dy muaj që nga fillimi i pushtimit rus.

Bilohorivka është afër qytetit të Severodonetsk, pjesë e kontrolluar nga Ukraina.

Shpërthimi rrëzoi ndërtesën e cila mori flakë dhe zjarrfikësve iu deshën tre orë për të shuar flakët, raportuan autoritetet ukrainase.

Ato thanë se pothuajse i gjithë fshati ishte strehuar në bodrumin e shkollës.

Numri përfundimtar i të vdekurve do të dihet vetëm kur rrënojat të pastrohen, thanë autoritetet.

10:15 – Ushtria ukrainase thotë se ka fundosur një anije ruse të tipit Serna që i përket flotës ruse të Detit të Zi.

“Në ujërat e Detit të Zi, u shkatërrua një mjet zbarkues armik i tipit Serna”, njoftoi të shtunën, më 7 maj, në kanalin e aplikacionit të komunikimeve Telegram, zëdhënësi ushtarak, Serhiy Bratschuk.

Ai publikoi një video ku pretendonte se tregonte një dron që gjuajti anijen.

Autenticiteti i pamjeve nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Fillimisht nuk pati asnjë reagim nga pala ruse.

Një ditë më parë, gazetarët ukrainas kishin raportuar se një anije luftarake ruse ishte qëlluar dhe kishte marrë zjarr në këtë zonë – megjithëse kjo nuk u konfirmua zyrtarisht as nga Kievi dhe as nga Moska.

Kohë më parë, ukrainasit patën goditur anijen ruse Moskva në Detin e Zi.

Ajo cilësohej si anija më e madhe ruse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button