Moska konfirmoi fillimin e fazës së dytë të luftës në Ukrainë
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka konfirmuar se forcat ruse kanë filluar fazën e dytë të një “operacioni special ushtarak” në Ukrainë, transmeton Portalb.mk.
“Një fazë e re e këtij operacioni në Ukrainën lindore ka filluar dhe jam i sigurt se do të jetë një moment shumë i rëndësishëm në të gjithë operacionin special”, tha Lavrov.
Kjo ofensivë pritej pasi Rusia nuk arriti të pushtonte Kievin dhe u tërhoq nga veriu i Ukrainës. Pas përfundimit të fazës së parë të luftës, Moska tha se do të fokusonte përpjekjet e saj në çlirimin e plotë të Donbasit.
Ushtria ukrainase këtë mëngjes njoftoi se faza e dytë e luftës në Ukrainë kishte filluar dhe se forcat ruse po sulmonin linjat mbrojtëse përgjatë gjithë frontit në rajonet Donetsk, Luhansk dhe Kharkiv, gjatësia e të cilave është pothuajse 500 km.