Invazioni rus dhe ndikimi i tij te ne

Invazion quhet ofensiva ushtarake në të cilën një numër i madhi luftëtarëve të një blloku gjeopolitik, në mënyrë agresive futen në territorin e një entiteti tjetër, zakonisht me qëllimin e pushtimit, çlirimit apo rivendosjen e kontrollit dhe autoritetit mbi një territor të caktuar, duke ndryshuar qeveri apo  duke ndikuar në përfitime tjera politike.

Invazioni rus në Ukrainë e zuri botën në “befasi” , po sikur bora që na “befason” çdo dimër në Maqedoninë Veriore. Kësaj befasie i parapriu një luftë e hatashme psikologjike, si me manovrimet ushtarake, ashtu edhe me lajmet e rreme dhe ofensivën diplomatike duke e krahasuar këtë invazion me ndërhyrjen e NATO-s në Jugosllavi më 1999.

Shkelja e sovranitetit të Ukrainës është shkelja më e madhe që mund ta bëjë Rusia ndaj Perëndimit që nga përfundimi i Luftës së Dytë. Kjo ndërhyrje e zhvlerëson besimin ndaj Perëndimit, vë në pikëpyetje garancitë e Perëndimit për siguri (Ukraina ishte fuqia e tretë bërthamore deri në 1994, ku me garancë të Sh.B.A dhe Federatës ruse vendos të çarmatoset) si dhe thyen iluzionet evropiane se nuk do ketë luftë më në Evropë.

Ajo që vijoi e habiti tërë njerëzimin, Ukraina e vogël dhe populli i saj i madh i rezistuan disa valëve të bombardimeve me aviacion dhe sisteme të ndryshme raketore, duke u përcjellë nga operacione sabotuese pas të cilave vijuan radhë të mëdha tankesh dhe këmbësori, e që të gjitha të përfundojnë me zmbrapsjen e tyre duke lënë mbi  dhjetëra mijëra rusë të vrarë dhe qindra tanke e makineri të shkatërruara.

Bota u habit sepse nuk mund të besojë atë që sheh, “Ariu i madh” rus duke vallëzuar sipas tingujve të bandurës ukrainase! Po sikur Rusia mos ta siguronte përparësinë ajrore, duke i shkatërruar Ukrainës pista dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore, forcat e saj nuk do të mund të kryenin asnjë aktivitet tjetër  përveç raketimit të pozicioneve ukrainase. Edhe kjo së shpejti do të ndryshojë pasi që vendet e NATO-s janë duke i dhuruar Ukrainës aviacionin e ngjashëm, “gjuetarët” Mig-29 dhe “tanksat e ajrit” Su-25, të cilin e përdorin tre kombe të NATO-s, Polonia, Sllovakia dhe Bullgaria.

Një nga adutët kryesorë të Armatës Ukrainase ishin civilët që nuk lëshuan vatrat, dhe ishin qytetarët e rëndomtë që raportonin lëvizjet dhe pozicionet e ushtarëve/sabotuesve rusë. Qytetari ukrainas vendosi që të qëndrojë dhe luftojë, duke i shkaktuar presion psikik ushtarit rus i cili pret sulmin nga çdo dritare dhe skutë, faktor që rezultoi në çkoordinimin, izolimin dhe neutralizimin e çetave të shumta të sabotuesve dhe kompanive të tëra të ushtarëve! Ky panik është arsyeja e shumë ushtarëve rusë të dorëzuar tek autoritetet vendore.

Mirëpo ky veprim është thikë më dy tehe për ukrainasit pasi që rusët, në ndonjë ofensivë të madhe ku luftimet do të ishin më të rrepta, do të mund të shenjtëronin civilët ukrainas dhe të pohojnë se ishin ushtarakë pasi që ishin të armatosur, që do të thotë – rusët do kenë alibi për kryerjen e shumë krimeve të luftës dhe të kalojnë fare pa u ndëshkuar sikurse “rusët e vegjël” në Ballkan.

Përderisa bota dënonte agresionin rus dhe thërriste për ndalimin e luftës, në Ballkan filloi debati i vjetër mirëpo me disa lojtarë të rinj. Si zakonisht serbët apo “rusët e vegjël”, e pritën me entuziazëm të madh agresionin e “Vëllaut t`Madh”, duke përcjellë një narrativë millosheviçjane, të kombinuar me teoritë konspirative dhe “pronësitë” fetare të Kishës Astronomike Serbe të rikthimit të “Jerusalemit serb”, filloi me ëndrrat e Kosovës dhe Banja Llukës, veçse tani Kninin e zëvendësoi me Nikshiqin. Marrëzia shkoi edhe më tutje kur mijëra qytetarë të Beogradit dolën në mbështetje të invazionit, veprim që nuk kishte ndodhur as në Moskë!

Kësaj gjendje i kontribuoi edhe paralelja e invazionit rus me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi, duke u munduar të paraqesë rusët e Donbasit me shqiptarët e Kosovës, ndërsa njësitet vullnetare ukrainase të së djathtës ekstreme (Bataljoni Azov dhe Sektori i Djathtë, të cilët në gara politike së bashku kanë më pak se 1% përkrahje nga votuesit) si “tigrat” e Arkanit dhe “çakejtë” që kryenin masakra ndaj civilëve.

Shqetësuese është strategjia me të njëjtin emër e Putinit dhe Vuçiqit, e cila është vërtetues i faktit që Serbia është Rusia e Vogël . Kjo ngaqë intelektualet rusë dhe Kisha e tyre, në vitet 95`-2000, formuluan një koncept politik që e quajtën “Russkiy Mir” apo “Bota Ruse” i cili pohonte se rusët janë ndarë si komb me shkatërrimin e BRSS-së dhe në thelb të filozofisë së tyre qëndronin apetitet për aneksimin e territoreve të shteteve ish-Sovjetike në të cilat jeton minoriteti rus. “Bota Ruse” jehoi në altoparlantët e makinerisë propagandistike ruse gjatë protestave “Euro-Mejdan” në Ukrainë, vetë Putin e përdorte në tubime dhe debate publike.

Edhe Vuçiqi më 2020 e kopjoi idenë e Putinit, edhe pse ky i dyti “Botën Rusë” e kishte inspirim nga Millosheviçi, dhe na doli publikisht me “Botën Serbe” e cila nënkuptonte se serbët nuk duhet kufizuar tek kombi apo shteti, por duhet të përqafojnë “Botën Serbe” si një botë vlerash të përbashkëta e cila botë nuk ndikohet nga gjeopolitika pasiqë kjo e dyta është kalimtare. Kjo përmbledhje e këtij koncepti është një alarm për pretendime territoriale ndaj shteteve me pakica serbe e jo krijimin e një ambienti evropian në të cilin serbët do të ishin brenda të drejtave të tyre të kultivojnë trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore.

Ky koncept synon që në Ballkanin perëndimor të krijojë trekëndëshin Beograd-Podgoricë-Banja Llukë, dhe të ndikojë në serbizimin e këtyre shteteve dhe popujve. Konflikti në Ukrainë në kombinim me politikën agresive të shtetit serb dhe kishës serbe e cila ka ngulfatur nacionalizmin malazez, maqedonas dhe boshnjak që nga aneksimi i këtyre territoreve më 1918, ka ndikuar në përçarjen e shoqërive multetnike përreth Serbisë dhe thellimin e debatit për “popujt artificial”  të krijuar nga “lozha masonike” për të dobësuar “Botën Serbe”. Në Maqedoninë e Veriut kjo krijoi një ndasi në proevropianë që stigmatizohen si bullgarofilë e “të shitur” dhe anti-evropianë  të “Vëllazërisë Ortodokse” që ëndërrojnë shtetin pansllav – nga Knini në Vlladivostok.

Serbia është shndërruar në vorbullën evropiane që po i tërheq shtetet përreth në (edhe) një cikël shkatërrues të konflikteve në emër të Kombit dhe Fesë së Pastër (lexo “xhihad i krishterë”)! Edhe pse pretenduese për anëtarësim në BE, Serbia e shfrytëzon me mjeshtëri nevojën e Perëndimit për ta mbajtur “nën kontroll” atë, duke lozur gurët për të ndërtuar mure, në të cilët do përplaseshin të gjitha tentimet për stabilizim dhe evropianizim të rajonit. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kaluan të paktën sfidën e sigurisë pasi që janë NATO, mirëpo tensionet politike dhe normalizimi i tyre ngelen një sfidë në vete, posaçërisht për Malin i Zi i cili është objektiv i operacioneve speciale që synojnë “hakerimin” e demokracisë malazeze. Shqetësimi i Perëndimit duhet të jetë Bosnja dhe Hercegovina me Kosovën, pasi që të dyja bashkë  mund të shndërrohen në dy “thembra të Akilit” dhe do i jepnin Luftës Botërore një dimension tjetër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button