Kremlini: Rusia, e gatshme të diskutojë me Ukrainën për “neutralitet”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia është e gatshme të bisedojë me Ukrainën në kryeqytetin bjellorus, Minsk, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, RIA Novosti.
Mirëpo ai ka thënë se në qendër duhet të jetë çështja që Ukraina të shpallë “status neutral” – i cili do të përfshijë “çmilitarizimin”, transmeton REL.
Rusia ka kërkuar tash e një kohë që Ukraina të heqë dorë nga synimi për t’iu bashkuar NATO-s.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin që të zhvillojnë negociata, mirëpo nuk pritet që ai të pajtohet të bisedojë në baza të tilla.
Minsku është i rëndësishëm sepse aty janë nënshkruar marrëveshjet që parashihnin dhënien fund të konfliktit në lindje të Ukrainës, i cili ka nisur më 2014.
Duke pushtuar Ukrainën, lideri rus duket se ka hequr dorë nga këto marrëveshje.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë më herët gjatë ditës se nuk do të ketë bisedime derisa ushtria ukrainase të ulë armët.