Zhvillimet në Ukrainë – reagimet dhe pasojat ndaj Maqedonisë e Veriut

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut e dënojnë fuqishëm njohjen nga Rusia të rajoneve ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut si të pavarura dhe kanë frikë se përshkallëzimi midis Rusisë dhe Ukrainës mund të ketë pasoja në çmimet e energjisë. Rusia dhe Ukraina nuk janë partnerë të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut, por vendi ka ekonomi të varur nga zhvillimet në tregun global. Nga ana tjetër politikisht janë të mundshme presione të ndryshme, sulme kibernetike, skenarë të pakëndshëm, thotë ish-ambasadori në NATO, Nano Ruzhin, raporton REL në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, më parë edhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani, përmes profileve të tyre në Twitter e dënuan vendimin e Rusisë.

“Ky akt është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe shkelje e marrëveshjeve të Minskut dhe rezolutave të Këshillit të OKB-së të vitit 2015. Së bashku me aleatët e NATO-s, ne bëjmë thirrje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit” shkroi kryeministri Kovaçevski në Twitter. .

Ministri Osmani ka shkruar se “Maqedonia e Veriut përsërit edhe njëherë mbështetjen e saj të qartë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Presidenti rus Vladimir Putin bëri publik vendimin e tij për të njohur thirrjen e separatistëve të mbështetur nga Rusia për të njohur pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut. Putini më pas urdhëroi që trupat ruse të dërgoheshin në rajonin lindor të Ukrainës, nën kontrollin e separatistëve.

Ish-ambasadori i NATO-s Nano Ruzhin rikujtoi një deklaratë të ish-sekretarit të shtetit amerikan John Kerry, i cili para disa vitesh tha se linja e ndarjes gjeopolitike midis Lindjes dhe Perëndimit kalon nëpër Ballkan.

“Pa ngritur një panik të madh ne si vende anëtare e NATO-s, do të jemi cak i skenarëve të mundshëm të pakëndshëm, sulmeve kibernetike, paralajmërimeve të mundshme etj.”, tha Ruzhin.

Ai tha se zhvillimet rreth Ukrainës do të kenë efekte të caktuara edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në kuptimin që Serbia po i vendos forcat e saja në një lloj gjendje përgatitore dhe se do të pësojë presione të caktuara nga komuniteti ndërkombëtar, si nga BE-ja ashtu edhe nga Rusia, sepse siç e dimë Serbia me një këmbë bashkëpunon me Rusinë, dhe nga ana tjetër është aspirante për anëtarësim në BE, por vazhdimisht bën thirrje për neutralitet. Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi janë në një gjendje të veçantë gatishmërie si aleatë të Shteteve të Bashkuara dhe si shtete anëtarëve të NATO-s kanë një strategji të veçantë se si të sillen në situata të tilla”, tha ish-ambasadorin Ruzhin.

Ndikimet ekonomike

Ministri i Financave Fatmir Besimi gjatë vizitës së djeshme në Bruksel me mikpritësit e tij, komisionerët e BE-së për ekonomi Paolo Gentiloni, për zgjerim Oliver Varchei dhe për buxhetin e BE-së, Johannes Hahn diskutuan edhe për situatën ekonomike në vend dhe krizën ekonomike globale që do të jetë si pasojë e konfliktit ruso-ukrainas.

Besimi tha mbrëmë se nëse tensionet me Ukrainën përshkallëzohen ose nuk zgjidhen në drejtim të duhur, sigurisht se do të ndikojë në çmimet e energjisë por edhe të produkteve tjera. Edhe pse nuk dëshiron të spekulojë, Besimi pranon se kriza mes Ukrainës dhe Rusisë potencialisht mund të përkeqësojë tregjet evropiane.

“Kjo varet nga ndikimi në tregjet në Evropë në fushën e energjisë, gjë që tashmë është ndjerë. Mund të jetë më keq nëse ndodh diçka, nëse situata përshkallëzohet edhe rreth çmimeve, i kemi të dyja, edhe përshkallëzimin edhe rritjen e çmimeve. Përshkallëzimet tjera, varen nga drejtimi i ndikimeve, mund të ketë mungesë të energjisë, por tani për tani këto mbeten skenare spekulative”, tha Besimi.

Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, këtë fundjavë tha se ekspozimi drejtpërdrejtë i yni ndaj ekonomisë ruse dhe ukrainase është i vogël dhe prej andej nuk priten efekte të drejtpërdrejta domethënëse, njoftoi Banka Popullore.

“Megjithatë, efektet indirekte janë të mundshme, sepse Rusia është ndër eksportuesit më të mëdhenj të energjisë dhe metaleve në botë, ndërsa Ukraina është ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithit” tha Bezhoska.

Guvernatorja e Bankës Popullore tha se tregtia me Rusinë dhe Ukrainën merr pjesë me vetëm 2% në totalin e shkëmbimit tregtar në vendin tonë, investimet e huaja të drejtpërdrejta nga këto vende janë vetëm 0.5% në total, dhe nuk janë të pranishme në sektorin financiar, dhe vetëm 0, 1% janë të ardhurat familjare të gjeneruara nga aktiviteti ekonomik në këto vende(remitancave), pra që vijnë nga Rusia dhe Ukraina.

Rusia renditet e 20-ta ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut. Me të kemi një shkëmbim tregtar prej 182 milionë euro në vit. Ukraina, nga ana tjetër, nuk është në mesin e 20 partnerëve kryesorë, sipas të dhënave nga Enti i Statistikave.

Analisti ekonomik Arben Halili tha se ekonomia e Maqedonisë së Veriut është e vogël dhe e varur, dhe se kriza mbi Ukrainën do të prekë disa sektorë ekonomikë.

“Për shembull, blerja e gazit apo shitja, në veçanti, e produkteve bujqësore, si vera apo mollët në vjeshtë. Në përgjithësi, nuk mendoj se do të ketë një ndikim të madh në ekonominë tonë, për faktin se nuk varet furnizimi me lëndë të parë as Rusia as Ukraina, ata nuk janë tregjet tona kryesore ku shiten prodhimet vendase. Do të ketë njëfarë ndikimi, por të thuhet konflikti si arsyeja kryesore e rritjes së çmimit apo çfarëdo tjetër, mendoj se nuk do të ishte e saktë”, tha Halili.

Qeveria e Maqedonisë që nga nëntori i vitit të kaluar shpalli krizë energjetike të shkaktuar nga rritja e çmimit të energjisë në tregjet botërore. Që nga fillimi i vitit çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë dhe ngrohjes është rritur, ndërsa çmimet e karburanteve janë vazhdimisht në rritje. Energjia e shtrenjtë shkaktoi edhe një valë rritje të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve, ndaj qeveria ngriu çmimet e ushqimeve bazë deri në fund të muajit.

Ndërkaq, Halili tha se procesi zgjat disa muaj dhe konflikti Rusi-Ukrainë nuk është arsyeja kryesore për rritjen e çmimeve të energjisë.

“Për shembull, para dy muajsh nafta kushtonte 62 denarë, ndërsa tani ka arritur në 74 denarë me tendencë për rritje të çmimeve. Tendenca për ta paraqitur këtë konflikt si një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve të energjisë nuk qëndron. Do të ketë ndikim te kompanitë që e blejnë lëndën e parë nga ato dy vende”, deklaroi Halili.

Pas njohjes ruse të rajoneve në Ukrainën lindore, çmimi i naftës u rrit në tregjet botërore. Në bursën e Londrës nafta shitej gati 4 dollarë më shumë në krahasim me mbylljen e mëparshme, dhe në tregun amerikan gati 5 dollarë më shumë.

Në të njëjtën kohë, çmimet e aksioneve në bursat evropiane po bien, pasi investitorët kanë frikë nga përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve midis Perëndimit dhe Rusisë rreth Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button