Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi forcat ruse të “ruajnë paqen” në Ukrainën Lindore

Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi forcat ruse “të ruajnë paqen në Ukrainën lindore”. Por nuk është menjëherë e qartë nëse dhe kur trupat do të hyjnë në Ukrainë.

Njoftimi u bë pak orë pasi presidenti Putin njohu si të pavarura dy rajone separatiste në Ukrainën lindore, duke përshkallëzuar një krizë që Perëndimi druhet se do të shkaktojë një luftë madhore, transmeton VOA.

Në një fjalim të gjatë televiziv, Putin e përshkroi Ukrainën si një pjesë integrale të historisë së Rusisë dhe tha se Ukraina lindore ishte tokë e lashtë ruse dhe se ai kishte besim se populli rus do ta mbështeste vendimin e tij.

Presidenti rus njoftoi në biseda telefonike për vendimin e tij udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, të cilët shprehën zhgënjimin e tyre, sipas Kremlinit. Më pas Presidenti rus u shfaq në televizionin shtetëror duke nënshkruar dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve.

Lëvizja e Moskës vë në rrezik përpjekjen e minutës së fundit për një takim të mundshëm me presidentin amerikan Joe Biden për të parandaluar një sulm rus ndaj Ukrainës.

Putin mbajti një fjalim të gjatë televiziv që përfundoi me njoftimin për njohjen e dy rajoneve, ku iu referua historisë që nga Perandoria Osmane dhe deri tek tensionet mbi zgjerimin e NATO-s drejt lindjes, një nga arsyet kryesore Moska ka përmendur për pakënaqësinë e saj gjatë krizës aktuale.

“Unë e konsideroj të nevojshme të marr një vendim që duhet të ishte marrë shumë kohë më parë – të njihet menjëherë pavarësia dhe sovraniteti i Republikës Popullore të Donetskut dhe Republikës Popullore të Luhanskut,” tha Putin.

Ai tha më herët se “nëse Ukraina do të anëtarësohej në NATO, kjo do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë.”

Për vite me radhë presidenti rus është përpjekur të rivendosë ndikimin e Rusisë mbi vendet që dolën pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe Ukraina ka pasur një vend të rëndësishëm në ambiciet e tij.

Rusia mohon të ketë plane për të sulmuar fqinjin e saj, por ajo ka kërcënuar me veprime të papërcaktuara “ushtarake-teknike” nëse nuk merr garanci gjithëpërfshirëse sigurie, përfshirë një premtim se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO.

Njohja e zonave të kontrolluara nga rebelët mund t’i hapë rrugën Moskës që të dërgojë hapur forca ushtarake në dy rajonet separatiste – Donetsk dhe Luhansk – dhe të argumentojë se po ndërhyn si aleat për t’i mbrojtur ato kundër Ukrainës.

Një anëtar i parlamentit rus dhe ish-udhëheqësi politik i Donetskut, Alexander Borodai, ka thënë se separatistët më pas do të presin që Rusia t’i ndihmojë ata të marrin kontrollin e pjesëve të dy rajoneve që janë ende nën kontrollin e forcave ukrainase.

Reagimi i Perëndimit

Presidenti Joe Biden nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv që për masa ekonomike kundër Donetskut dhe Luhanskut, duke ndaluar tregtinë dhe investimet midis individëve amerikanë dhe dy rajoneve separatiste.

“Ky urdhër ekzekutiv parashikojë gjithashtu kompetenca për të vendosur sanksione ndaj çdo personi që do që të veprojë në ato zona të Ukrainës. Departamentet e Shtetit dhe Thesarit do të kenë detaje të tjera shtesë së shpejti”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Ajo sqaroi se këto janë masa shtesë, përveç atyre më të rënda ekonomike “që kemi përgatitur në koordinim me aleatët dhe partnerët, nëse Rusia ndërhyn më tej në Ukrainën”.

“Ne po vazhdojmë të konsultohemi nga afër me aleatët dhe partnerët, përfshirë Ukrainën, për hapat e ardhshëm dhe për përshkallëzimin e vazhdueshëm të Rusisë përgjatë kufirit me Ukrainën”, tha ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi Rusinë për njohjen si të pavarura të rajoneve separatiste , duke akuzuar Moskën për krijimin e një preteksti për një ndërhyrje të re.

“Moska vazhdon të nxisë konfliktin në Ukrainën lindore duke ofruar mbështetje financiare dhe ushtarake për separatistët. Ajo po përpiqet gjithashtu të krijojë një pretekst për të sulmuar më tej Ukrainën,” tha ai.

“Kjo minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dobëson përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit dhe shkel Marrëveshjet e Minskut, në të cilën Rusia është palë”, tha Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri britanik Boris Johnson tha se njohja nga Moska e pavarësisë së rajoneve separatiste të Ukrainës lindore, është një shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Johnson po fliste, ndërkohë që Putin nënshkroi dekretin për njohjen e tyre.

“(Ky veprim) është qartazi në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës”, tha Johnson në një konferencë shtypi.

“Është një refuzim i procesit të Minskut dhe marrëveshjeve të Minskut, dhe mendoj se është një ogur shumë i keq dhe një sinjal shumë i zymtë”, tha ai.

Kryeministri britanik tha se do të bisedojë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensk të hënën dhe do të ofrojë mbështetjen e Britanisë.

Më herët Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar për sanksione nga blloku me 27 vende nëse Moska aneksonte ose njihte rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

“Nëse ka njohje, unë do të vendos temën e sanksioneve në tryezë dhe ministrat do të vendosin,” tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell pas një takimi të ministrave të jashtëm.

Në fillim të kësaj jave, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thanë se SHBA-ja dhe aleatët nuk ishin plotësisht në një mendje se si të përgjigjeshin në rast të rritjes së mbështetjes për separatistët pro-rusë.

Edhe Shqipëria reagoi ndaj njohjes së dy rajoneve separatiste.

“Shqipëria dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia, të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk. Kjo është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut si dhe cënim i intregriteti territorial dhe pavarësisë së Ukrainës. Shqipëria qëndron krah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mbështetje të Ukrainës”, shkruan Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka në Twitter.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button