SHBA: Rusia e përgatitur për ta sulmuar Ukrainën

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha sot se ekziston një rrezik “shumë i lartë” që Rusia ta pushtojë Ukrainën dhe kjo mund të ndodhë brenda “disa ditësh”, transmeton REL.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë fakte të tërheqjes së pretenduar të Rusisë të forcave përgjatë kufirit të saj me Ukrainën.

Biden u tha gazetarëve në Uashington se “çdo tregues që kemi është se ata janë të përgatitur të shkojnë dhe ta sulmojnë Ukrainën”.

Rusia tha të mërkurën se po tërhiqte disa trupa të vendosura afër kufirit me Ukrainën, por NATO deklaroi se nuk po sheh shenja të një tërheqjeje.

Të mërkurën, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video që tregon një ngarkesë treni me automjete të blinduara duke lëvizur nëpër një urë larg Krimesë, gadishullit të Detit të Zi që Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

Kujtojmë se, Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, duke e rrethuar atë nga tre anë, në Krime në jug, në anën ruse të kufirit dhe në Bjellorusi në veri.  Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 pushtoi Gadishullin ukrainas të Krimesë. Por Rusia deri më tani mohon të pushtojë Ukrainën.  Shumë vende u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Kremlini ka kërkuar nga NATO të kufizojë aktivitetet në Evropën Lindore dhe të premtojë se nuk do të shtojë zgjerohet me vendet ishsovjetike, Ukraina në këtë rast. Nga ana tjetër, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Rusisë, anëtarët e NATO-s kanë vendosur trupa dhe pajisje për anëtarët e tjerë, shtetet që kufizohen me Ukrainën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button