Putin: Rusia nuk dëshiron një luftë të re në Evropë

Tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit mbi Ukrainën duket se janë ulur paksa, pasi Moska tha se ka tërhequr disa prej trupave të saja të vendosura pranë kufirit, një pretendim që shefi i NATO-s, Jens Stoltenbverg e quajti “hapësirë për optimizëm të matur”, raporton REL.

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një konference për media më 15 shkurt, pas takimit në Moskë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, tha se Rusia ka vendosur që të tërheqë pjesërisht trupat nga disa zona përreth kufirit me Ukrainën. Ai tha se ky vendim krijon hapësirë për diskutime të mëtejme me Perëndimin lidhur me kërkesat e sigurisë së Moskës.

Scholz tha se vendimi për tërheqjen e disa trupave – lajm që ende nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe nuk ka shumë detaje për të – është një “sinjal i mirë” drejt shtensionimit të krizës që ka kërcënuar të përshkallëzohet në konflikt ushtarak.

Opsionet diplomatike janë larg “së shteruari”, tha Scholz pas takimit me Putinin që zgjati mbi tre orë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ende nuk ka parë sinjale në terren që mbështesin pretendimin rus, edhe pse tha se ka indikacione nga Moska se ka vullnet për të vazhduar dialogun dhe ka krijuar hapësirë për shpresë se kjo krizë mund të shmanget.

“Ka sinjale nga Moska se diplomacia duhet të vazhdojë. Kjo na jep hapësirë për optimizëm të matur. Por, deri më tani nuk kemi parë asnjë shenjë të shtensionimit të situatës në terren nga pala ruse”, tha Stoltenberg më 15 shkurt.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi për tërheqjen e një numri të paspecifikuar të ushtarëve, teksa përpjekjet diplomatike të Perëndimit, për zgjidhjen e krizës po vazhdojnë, pasi Moska grumbulloi 130,000 trupa dhe pajisje ushtarake në zonën kufitare.

Para këtij njoftimi, Shtetet e Bashkuara dhe inteligjenca e saj kishin thënë se 16 shkurti mund të jetë data e mundshme për një sulm të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ndërkaq, kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se edhe pse Britania ka parë se Moska është e hapur për zgjidhje diplomatike, informatat e fundit nga inteligjenca nuk janë ende aq inkurajuese.

“Qartësisht ka shenja për hapje diplomatike, gjithmonë ka pasur mundësi për bisedime, ka pasur hapësirë për bisedime lidhur me Ukrainën, me Ukrainën. Ne po shohim se pala ruse po hapet për bisedime”, tha Johnson.

“Në anën tjetër, inteligjencën që po e shohim sot nuk është ende inkurajuese”, shtoi ai.

Putin tha se Rusia “sigurisht” nuk dëshiron që të shpërthejë një luftë e re në Evropë, por tha se Moska është e zhgënjyer që nuk ka pasur përgjigje konstruktive për kërkesat ruse për garanci të sigurisë, veçanërisht për kërkesën që Ukrainës t’i ndalohet anëtarësimi në NATO.

“Ne jemi të gatshëm që të punojmë së bashku. Ne jemi të gatshëm të ndjekim rrugën e negociatave”, tha ai duke iu referuar negociatave me Perëndimin për raketat dhe çështjet e tjera të sigurisë.

Putin po ashtu tha se bashkëpunimi në fushën e energjisë ndërmjet Rusisë dhe Gjermanisë ishte prioritet për Moskën, e cila tha se e sheh Berlinin si një ndër partnerët kryesorë, veçanërisht për projektin “Rrjedha Veriore 2”, gazsjellës që sjellë gazin natyror nga Rusia në Gjermani. Ky projekt ende po pret miratimin final të rregullatorëve në Gjermani.

Presidenti amerikan, Joe Biden, javën e kaluar u zotua se do t’i jepte fund projektit të gazsjellësit rus, nëse Rusia e pushtonte Ukrainën. Por, Scholz, pas një takimi me Bidenin, tha vetëm se Gjermania dhe SHBA-ja do të vepronin së bashku për t’iu përgjigjur një pushtimi të mundshëm.

Vizita e Scholz në Moskë vjen pasi ai kishte zhvilluar vizita të ngjashme javën e kaluar, teksa ka biseduar për krizën Rusi-Ukrainë me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe me zyrtarë britanikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button