Biden rikonfirmoi angazhimin amerikan ndaj sovranitetit të Ukrainës

Presidenti amerikan Joe Biden sot bisedoi në telefon me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy, një ditë pasi i tha presidentit rus Vladimir Putin se Perëndimi do të përgjigjej me vendosmëri ndaj çdo sulmi të mundshëm, transmeton VOA.

Shtëpia e Bardhë tha se në telefonatën me Zelenskiy, presidenti Biden rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

“Presidenti Biden e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre do të përgjigjen me shpejtësi dhe vendosmëri, ndaj çdo agresioni të mëtejshëm rus kundër Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Dy udhëheqësit ranë dakord se është e rëndësishme që të vazhdojnë përpjekjet diplomatike në përgjigje të grumbullimit të trupave ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në ditët e ardhshme dhe mund të krijojë një pretekst të rremë për një ndërhyrje të mundshme.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha për CNN-in se Uashingtoni nuk mund ta parashikojë me siguri absolute ditën e ndërhyrjes por se një sulm rus në Ukrainë mund të ndodhë nga dita në ditë.

“Ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe besojmë se Rusia e kupton plotësisht këtë mesazh,” tha Sullivan.

Ukraina nuk është pjesë e aleancës së NATO-s.

Zyrtarët e lartë amerikanë thanë se nuk mund të konfirmonin njoftimet se zbulimi amerikan ka të dhëna se Rusia planifikon të sulmojë të mërkurën, por thanë se do të përpiqeshin të parandalonin çdo “sulm të befasishëm” të mundshëm, duke bërë publike gjithçka që dinin lidhur me planet e Rusisë.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha të dielën se nuk ishte “në gjendje të konfirmone njoftimet” se Rusia do të sulmojë të mërkurën.

Por Kirby tha se një ndërhyrje ushtarake ruse mund të ndodhë çdo ditë.

“Këto vlerësime vijnë nga një sërë burimesh dhe jo vetëm brenda zbulimit por edhe nga ajo që shohim në terren. Mbi 100,000 trupa tani vazhdojnë të jenë të grumbulluara në kufirin me Ukrainën”, tha Kirby .

Ndërkohë Presidenti i Ukrainës, Zelenskiy tha se deri tani nuk kishte parë prova bindëse për një sulm të mundshëm rus brenda disa ditësh.

Si Sullivan dhe Kirby paralajmëruan përsëri se amerikanët duhet të largohen nga Ukraina.

Uashingtoni, aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara dhe të tjerë kanë reduktuar ose evakuuar personelet e ambasadave dhe u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen menjëherë ose të shmangin udhëtimin në Ukrainë.

Personeli amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) filloi të largohej nga qyteti Donetsk i kontrolluar nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore të dielën, i tha një dëshmitar agjencisë Reuters.

Megjithatë Uashingtoni thotë se rruga diplomatike mbetet e hapur.

“Mënyra më e thjeshtë që Moska të tregojë se do të ndjekë atë rrugë është që të çtensionojë situatën dhe jo ta përshkallëzojë atë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken.

Moska mohon të ketë një plan për sulm por bisedimet e nivelit të lartë midis zyrtarëve të lartë rusë dhe perëndimorë ditët e fundit nuk kanë sjellë ndonjë rezultat.

Kujtojmë se, Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, duke e rrethuar atë nga tre anë, në Krime në jug, në anën ruse të kufirit dhe në Bjellorusi në veri.  Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 pushtoi Gadishullin ukrainas të Krimesë. Por Rusia deri më tani mohon të pushtojë Ukrainën.  Shumë vende u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Kremlini ka kërkuar nga NATO të kufizojë aktivitetet në Evropën Lindore dhe të premtojë se nuk do të shtojë zgjerohet me vendet ishsovjetike, Ukraina në këtë rast. Nga ana tjetër, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Rusisë, anëtarët e NATO-s kanë vendosur trupa dhe pajisje për anëtarët e tjerë, shtetet që kufizohen me Ukrainën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button