Konflikti Rusi-Ukrainë, si arriti në prag të luftës?

Tensionet mbi krizën Ukrainë-Rusi kanë filluar për më shumë se dy muaj, me përpjekjet diplomatike për të zgjidhur çështjen që tregojnë pak shenja përparimi, transmeton Klan Kosova.

Rusia ka më shumë se 100,000 trupa në kufirin e saj me Ukrainën, duke shkaktuar paralajmërime perëndimore për një pushtim të afërt.

Moska, e cila ka mohuar vazhdimisht se planifikon të pushtojë dhe thotë se po i përgjigjet agresionit nga aleatët e NATO-s, i hedh poshtë këto paralajmërime.

Këtu është një afat kohor i ngjarjeve kryesore deri tani:

Nëntor 2021

Imazhet satelitore tregojnë një grumbullim të ri të trupave ruse në kufirin me Ukrainën dhe Kievi thotë se Moska ka mobilizuar 100,000 ushtarë së bashku me tanke dhe pajisje të tjera ushtarake.

7 dhjetor 2021

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, paralajmëron Rusinë për sanksione të mëdha ekonomike Perëndimore nëse pushton Ukrainën.

17 dhjetor 2021

Rusia paraqet kërkesa të detajuara të sigurisë për Perëndimin, duke përfshirë që NATO të ndërpresë të gjitha aktivitetet ushtarake në Evropën Lindore dhe Ukrainë dhe që aleanca të mos pranojë kurrë Ukrainën ose vendet e tjera ish-sovjetike si anëtarë.

3 janar 2022

Biden siguron presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, se SHBA do të përgjigjet me vendosmëri nëse Rusia pushton Ukrainën.

Të dy politikanët folën në telefon për të diskutuar përgatitjet për një seri takimesh diplomatike të ardhshme për të adresuar krizën.

10 janar 2022

Zyrtarët amerikanë dhe rusë takohen në Gjenevë për bisedime diplomatike, por mosmarrëveshjet mbeten të pazgjidhura pasi Moska përsërit kërkesat e sigurisë që Uashingtoni thotë se nuk mund t’i pranojë.

24 janar 2022

NATO vendos forcat në gatishmëri dhe përforcon praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore me më shumë anije dhe avionë luftarakë. Disa vende perëndimore nisin evakuimin e stafit jo thelbësor të ambasadës nga Kievi. SHBA vendos në gatishmëri 8500 trupa.

26 janar 2022

Uashingtoni paraqet një përgjigje me shkrim ndaj kërkesave të sigurisë së Rusisë, duke përsëritur një përkushtim ndaj politikës së NATO-s me dyer të hapura, ndërsa ofron një vlerësim parimor dhe pragmatik të shqetësimeve të Moskës.

27 janar 2022

Biden paralajmëron për një pushtim të mundshëm rus në shkurt. Kina hedh peshën e saj politike pas Rusisë dhe i thotë SHBA-së se shqetësimet legjitime të sigurisë së Moskës duhet të merren seriozisht.

28 janar 2022

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se kërkesat kryesore të sigurisë së Rusisë nuk janë adresuar, por se Moska është e gatshme të vazhdojë të flasë.

Presidenti i Ukrainës Zelenkskyy paralajmëron Perëndimin që të shmangë krijimin e “panikut” që do të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit të tij.

31 janar 2022

SHBA dhe Rusia grinden për krizën e Ukrainës në një seancë speciale të mbyllur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, i tha Këshillit se një pushtim rus i Ukrainës do të kërcënonte sigurinë globale.

I dërguari i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, akuzoi Uashingtonin dhe aleatët e tij se po nxisin kërcënimin e luftës, pavarësisht mohimeve të vazhdueshme të Moskës për një pushtim të planifikuar.

“Diskutimet për kërcënimin e luftës janë provokuese në vetvete. Ju pothuajse po bëni thirrje për këtë. Ju dëshironi që kjo të ndodhë”, tha Nebenzya.

1 shkurt 2022

Putin mohon planifikimin e një pushtimi dhe akuzon SHBA-në për injorimin e kërkesave të sigurisë së vendit të tij.

“Tashmë është e qartë se shqetësimet themelore ruse përfunduan duke u injoruar”, tha ai.

6 shkurt 2022

Rusia ka krijuar 70 për qind të akumulimit ushtarak që i nevojitet për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës, sipas zyrtarëve amerikanë të cituar në mënyrë anonime në mediat amerikane, raporton Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.

8 shkurt 2022

Presidenti francez, Emmanuel Macron, takohet me Putinin për bisedime maratonë në Moskë dhe u thotë gazetarëve se Rusia nuk do ta përshkallëzojë krizën në Ukrainë.

Megjithatë, Kremlini mohoi se Macron dhe Putin arritën një marrëveshje për de-përshkallëzimin e krizës.

10 shkurt 2022

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, mbajnë bisedime të pafrytshme.

Në një konferencë të akullt për shtyp, Lavrov e përshkroi takimin si “një bisedë mes një personi memec dhe një personi të shurdhër”.

Ai shtoi se faktet e paraqitura nga ekipi i tij mbi krizën u refuzuan nga homologët e tyre britanikë.

Truss, e cila paralajmëroi për sanksione të ashpra perëndimore nëse Ukraina sulmohej, sfidoi Lavrov në lidhje me pohimin e tij se grumbullimi i trupave dhe armatimeve të Rusisë nuk po kërcënonte askënd.

11 shkurt 2022

Këshilltari për sigurinë kombëtare të Bidenit, Jake Sullivan, thotë se inteligjenca amerikane tregon se një pushtim rus mund të fillojë brenda disa ditësh, përpara se të përfundojnë Lojërat Olimpike të Pekinit më 20 shkurt.

Pentagoni urdhëroi dërgimin e 3000 trupave amerikane në Poloni për të siguruar aleatët. Ndërkohë, një numër vendesh u bënë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina, me disa paralajmërime se evakuimi ushtarak nuk do të garantohet në rast lufte.

12 shkurt 2022

Biden dhe Putin zhvillojnë bisedime përmes video-konferencës. Presidenti amerikan tha se një pushtim rus i Ukrainës do të shkaktonte vuajtje të gjerë njerëzore dhe se Perëndimi ishte i përkushtuar ndaj diplomacisë për t’i dhënë fund krizës, por njëlloj i përgatitur për skenarë të tjerë.

Yuri Ushakov, ndihmësi kryesor i Putinit për politikën e jashtme, tha se ndërsa tensionet janë përshkallëzuar prej muajsh, ditët e fundit “situata thjesht është sjellë në pikën e absurditetit”.

Kujtojmë se, Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, duke e rrethuar atë nga tre anë, në Krime në jug, në anën ruse të kufirit dhe në Bjellorusi në veri.  Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 pushtoi Gadishullin ukrainas të Krimesë. Por Rusia deri më tani mohon të pushtojë Ukrainën.  Shumë vende u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Kremlini ka kërkuar nga NATO të kufizojë aktivitetet në Evropën Lindore dhe të premtojë se nuk do të shtojë zgjerohet me vendet ishsovjetike, Ukraina në këtë rast. Nga ana tjetër, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Rusisë, anëtarët e NATO-s kanë vendosur trupa dhe pajisje për anëtarët e tjerë, shtetet që kufizohen me Ukrainën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button