A DO TA PUSHTOJË RUSIA UKRAINEN?

Pyetja është shumë e qartë, kurse përgjigja është e gjithanshme.  Presidenti i Ukrainës në vitin 2013, Viktor Yanukovych, hodhi poshtë marrëveshjen e partneritetit që ishte planifikuar të nënshkruhej me Bashkimin Evropian. Në atë kohë, populli doli në rrugë si kundërpërgjigje ndaj kësaj dhe ngjarjet në një kohë të shkurtër u kthyen në kryengritje. Kryengritja përfundoi me ikjen e Yanukovych në Rusi në fillim të vitit 2014. Këtë herë, separatistët rusë u revoltuan për shkak të largimit të Yanukovych. Pas kësaj Rusia pushtoi Krimenë, ndërsa separatistët rusë deklaruan gjithashtu se kanë krijuar një shtet në Ukrainën lindore, por ky shtet defakto nuk u njoh nga askush. Një përmbledhje e shkurtër e gjithë kësaj është dëshira e Ukrainës për të hyrë në një aleancë me Perëndimin kundër Rusisë.

Si lindi tensioni ditëve të fundit

Për këtë duhet të kthehemi në fillim të vitit 2021, pikërisht atëherë kur filluan të zgjerohen çarjet në armëpushimin e nënshkruar në vitin 2020. Në mars dhe prill, Rusia vendosi 100,000 trupa në kufirin ukrainas. Kjo ishte lëvizja më e madhe ushtarake e Rusisë që nga pushtimi i Krimesë. Shumica e trupave ruse u tërhoqën në qershor, por deri në tetor dhe nëntor Rusia kishte vendosur përsëri 100,000 trupa në kufi.  Ky mobilizim ushtarak i Rusisë ngriti natyrshëm shqetësime si në Ukrainë ashtu edhe në botën perëndimore.

Konflikti mund të eskaloj dhe në çdo moment pritet që Rusia ta sulmoj Ukrainën, por kjo nuk është një pikë që mund të thuhet aq lehtë se do të ndodhë dhe të kalohet.

Askush nuk e di saktësisht se çfarë dëshiron të bëjë presidenti rus Putin, të gjitha analizat janë hipotetike, por Rusia sigurisht ka një plan të caktuar të politikës së jashtme. Parimi i parë i Kremlinit zyrtar për Ukrainën është që t’i tregojë Bashkimit Evropian se nuk mund të ekzistojë gjeopolitikisht  në evropën lindore. Ky pretendim do të dalë në dritë kur BE-ja nuk do mund t`i parandalojë operacionet ushtarake të Moskës. Gjithashtu, krijimi i një çarjeje mes atyre që mbështesin NATO-n dhe Rusinë, është sulmi i një rëndësie strategjike përtej operacionit ushtarak.

Kremlini kërkon ta heqë NATO-n nga ekuacioni i Ukrainës, sipas këtij plani, duhet ta shohë Uashingtonin si bashkëbiseduesin e vetëm, kështu që fundi i shkurtit është i rëndësishëm. Rusia nuk do të sulmojë deri më 23 shkurt dhe do të shohë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshëm për bisedime dypalëshe. Për këtë arsye, mund të shohim përplasje mes rusëve dhe rusëve që paraqiten si ukrainas në kufirin ruso-ukrainas. Kjo do të thotë se do të kryhet një operacion mashtrimi për të përçarë më tej aleatët.

Rëndësia e muajit shkurt 

Rusia nuk pritet të sulmojë Ukrainën përpara Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat do të mbahen në periudhën prej  4 deri 20 shkurt, sepse është e vetëdijshme për rëndësinë e këtij organizimi në mënyrë që Kina të nxjerrë një imazh pozitiv para botës. Ndërkohë hyrja e Rusisë deri në Kiev është pothuajse e pamundur. Por pritet që konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës të jetë i kufizuar në kohë dhe rajonin e Evropës lindore sepse Rusia nuk është e gatshme ekonomikisht dhe ushtarakisht që të vazhdojë një operacion në një shkallë më të gjerë. Së dyti, Rusia do të preferonte të thellonte çarjet midis aleatëve përmes operacioneve të mashtrimit.

Ky konflikt mund të jetë më ndryshe se konfliktet tjera që kemi parë deri më tani dhe është e vështirë të parashikohet, se me çfarë lloji i luftës do të përdoret nëse ndodhë një konflikt i tillë por deri më tani të gjithë kanë dilema mbi llojin e konfliktit mes këtyre dy vendeve. Por Rusia ka vendosur anije luftarake në Detin e Zi, ka dërguar trupa në Bjellorusi, kështu që veriu dhe jugu i Ukrainës janë në rrezik. Në kufirin lindor, pavarësisht armëpushimit, përleshjet e nxehta vazhdojnë, por e gjithë kjo mund të shihet si një lëvizje konfuze e Rusisë, sepse Rusia nuk ka ndërmend të hyjë në një luftë të gjerë, të paktën deri në një të ardhme të afërme.

Vija e konfliktit

Donbass, rajoni i separatistëve ruse, kufiri lindor i Ukrainës me Rusinë. Këtu gjinden Donetsk dhe Luhansk, në këto dy rajone ekzistojnë republika të ashtuquajturat të krijuara nga pro-rusët të cilat nuk njihen ndërkombëtarisht. Donbass sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare merr municion nga Rusia, derisa këto pretendime mohon krejtësisht nga Kremlini zyrtar.

Presidenti i Ukrainës Zelensky kërkon të mos të krijohet panik në popullatë dhe favorizon vazhdimin e kontakteve diplomatike. Derisa shumë vende perëndimore kanë tërhequr diplomatët dhe familjet e tyre nga Ukraina dhe vazhdojnë të theksojnë se Rusia do të sulmojë Ukrainën. Vlen të theksohet se kur të tërhiqen ambasadorët dhe familjet tyre mund të thuhet se jemi në një prag të plasjes se një konflikti.  Një nga arsyet më të rëndësishme për deklaratat e Zelenskit është qetësimi që të mbrojë ekonominë e Ukrainës nga goditjet e mëdha, por një sulm i madh nga Rusia ose mungesa e informacionit të njerëzve mund të shtojë atmosferën e panikut.

Për fund, përkundër tentimeve ruse për të përçarë aleatët përsëri kemi një mobilizim më të madh për krizen e krijuar dhe ka seriozitet më të madh për ta përfshirë Ukrainën në NATO. ShBA-të bashkë me aleatët nuk do të dorëzohen lehtë dhe do të tentojnë me çdo kusht përfshirjen e Ukrainës në NATO për ta miratuar dhe qëllimin e formimit të kësaj aleance. Por ndaj këtij veprimi as Rusia nuk do të tregoj tolerancë aq lehtë dhe do të tentoj ta ndaloj. Kur kemi dy mendime të kundërta për të njëjtën çështje konflikti është pothuajse i pashmangshëm.

Shkruan: Emrah Xhemaili, (Autori është jurist i marrëdhënieve ndërkombëtare)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button