OShC-të kërkojnë Fond për Mjedis jetësor dhe paratë e eko-taksave të përdoren për qëllimin e dedikuar

Të themelohet Fond për Mjedis Jetësor dhe të gjitha paratë që ndahen si taksa ekologjike të përdoren për të riparuar dëmet që ia shkaktojmë mjedisit dhe natyrës sonë. Taksat ekologjike të cilat i paguajnë qytetarët dhe kompanitë duhet të derdhen në një vend, por edhe të shpenzohen me qëllim dhe qytetarët të kenë pasqyrë se sa para janë mbledhur dhe të kenë mundësinë të ndjejnë përfitimet prej tyre, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Këto para, të cilat ne të gjithë i paguajmë si pjesë e çmimit të karburantit, kur i regjistrojmë automjetet apo nëpërmjet parimit ndotësi paguan, tani përfundojnë në buxhetin e shtetit. Në vitin 2020, mbi 4.6 milionë euro të mbledhura si tarifa ekologjike, mbi një duzinë bazash të ndryshme, janë derdhur në arkën e shtetit. Prej këtyre, vetëm 1,2 milionë euro kanë përfunduar në llogari të Ministrisë së Mjedisit dhe janë përdorë për projekte mjedisore.

Nuk është e qartë nëse paratë e mbetura në buxhet shpenzohen për çështje që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ose për nevoja të tjera. Për këtë arsye, organizata e qytetare “Eko vetëdija” (Eko svest) e aktualizoi sërish iniciativën për themelimin e Fondit Mjedisor.

“Përfitimet e Fondit të Mjedisit do të jenë shumë të mëdha sepse do të mundësojë zgjidhjen e disa prej problemeve kritike që ndërlidhen me mjedisin jetësor. Besojmë se përfitimi kryesor do të jetë se do të ketë një pasqyrë të qartë për atë sa para janë në dispozicion për zgjidhjen e problemeve mjedisore dhe do të jetë e qartë se ku duhet të adresohen kërkesat për financim për zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha Ana Çolloviq-Leshoska nga “Eko vetëdija”.

Iniciativa afatgjatë e organizatave të shoqërisë civile në vend më në fund po hasë në sinjale pozitive nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

“Do ta mbështesim idenë. Planifikojmë të organizojmë takime me të gjithë sektorët e interesuar, duke filluar nga Ministria e Financave. Për momentin pothuajse të gjitha mjetet në bazë të taksave ekologjik derdhen në buxhet”, tha ministri Naser Nuredini.

Në studimin që “Eko-vetëdija” e publikoi para pak kohësh në bashkëpunim me prof. Dr. Silvana Mojsoska, ka disa propozime lidhur me organizimin dhe ngritjen e Fondit në bazë të përvojave të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Studimi propozon që fondi të ketë mandat për një gamë më të gjerë çështjesh në fushën e mjedisit jetësor, ashtu që në nivel vjetor do të përcaktohej se ku do të plasoheshin fondet në dispozicion, varësisht nga angazhimet strategjike dhe programore në politikat mjedisit jetësor në vend.

Themelimi i Fondit, vlerëson Çolloviq-Leshoska, pritet të jep kontribut në zbatimin më të mirë të rregullores sepse, varësisht nga mënyra si planifikohet, ai mund të sigurojë financim për zbatimin e Direktivave më të shtrenjta, siç është Direktiva Kornizë e Ujit, apo ligjet lidhur me veprimin klimatik.

“Fondi duhet të jetë person juridik i pavarur me llogari të veçantë që do t’i përgjigjet Qeverisë dhe do të punojë ngushtë me ministritë përkatëse, veçanërisht me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Instrumentet bazë që duhet të përdorë ky revolving fond duhet të jenë kreditë e buta dhe grantet” tha Colloviq-Leshoska.

Maqedonia e Veriut tashmë ka përvojë me këtë lloj institucioni. Në periudhën prej vitit 1998 deri në vitin 2002, në vend ka funksionuar Fond për Mjedisin Jetësor nëpërmjet të cilit janë realizuar disa projekte. Drejtori i parë i Fondit, Ljupço Avramovski thotë se në bazë të përvojave tona është themeluar Fondi Kroat, i cili funksionon edhe sot. Ai beson se me ekzistencën e vet Fondit, përveç faktit që paratë nga taksat mjedisore do të përdoren për qëllime mjedisore, do të tërhiqte shumë më tepër donacione të huaja dhe në këtë mënyrë shumë më tepër mjete për realizimin e projekteve mjedisore.

“Fondi financoi projekte të qëndrueshme, duke përfshirë ndërrimin e rezervuarëve të mazutit ma ata të gazit, sisteme të furnizimit me ujë dhe të fekaleve, u mbështet projekti për shpëtimin e liqenit të Dojranit, ku u rehabilitua impianti i trajtimit dhe u investua në teknologjinë e patentuar për ripërdorimin e mbeturinave të avullit nga procesi industrial në një fabrikë në Gostivar deri në energji për ngrohje”, thotë Avramovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button