Ad infinitum “Shtet i robëruar”, si rezultat i mosfunksionimit te institucioneve shtetërore

Shteti është shprehje e nevojës që ndien shoqëria për ekzistencën e një pushteti të organizuar, të pajisur me mjetet e duhura të shtrëngimit dhe të aftë për ta drejtuar vetë shoqërinë, duke i imponuar zgjidhjet që atij i duken të arsyeshme, nëpërmjet normave juridike. Termi “Shtet” përdoret në dy kuptime: në kuptimin e një organizate politike në shoqëri dhe në kuptimin politiko-gjeografik.

Shteti, si organizatë e sundimit politik, është një fuqi e organizuar, e cila vullnetin e saj ia imponon gjithë shoqërisë dhe disponon një aparat të tërë për zbatimin e këtij vullneti. Pushteti politik, që sigurohet nëpërmjet shtetit, nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të vënë në zbatim një politike të caktuar.  Si organizatë e sundimit politik, shteti duhet:

  1. Të dallohet kundrejt organizatave të tjera që veprojnë në të njëjtin territor;
  2. Të jetë autonom;
  3. Të jetë i centralizuar;
  4. Pjesët e tij përbërës të jenë formalisht të koordinuara njëra me tjetrën

Pra, Shteti është një organizatë, por që dallohet nga organizatat e tjera që ekzistojnë në një shoqëri, për shkak të  karakterit të saj politik. Edhe partitë e ndryshme janë organizata politike, por ato nuk mund të identifikohen me shtetin dhe nuk mund të marrin funksionet e tij. Partia përfaqëson një pjesë të grupit shoqëror, kurse shteti përfaqëson zyrtarisht gjithë shoqërinë.

Në kuptimin politiko-gjeografik shteti përbëhet nga tri elementë: nga territori, nga popullsia dhe nga pushteti publik që vepron në një territor dhe mbi një popullsi të caktuar. Ky kuptim i shtetit është i pranueshëm kur flitet për shtetin si sinonim i “vendit”. Në të vërtetë popullsia dhe territori, më tepër se sa elemente, mund të konsiderohen si premisa të ekzistencës së shtetit, sepse pa popullsi dhe pa territor nuk mund të ketë shtet.

Shteti, në kuptimin e tij real, si organizatë politike që ushtron detyrimin shtetëror, ka si elementin e tij thelbësor pushtetin, i cili ushtrohet me anën e së drejtës, që është e pandarë prej tij. Nga ky trajtim i shtetit, si organizatë e sundimit politik, del edhe përkufizimi i tij i përgjithshëm. Përkufizimi i përgjithshëm i shtetit, sikurse edhe i çdo fenomeni tjetër, nuk mund të zbulojë të gjitha anët dhe veçoritë e shtetit. Por ai duhet të nxjerrë në dritë atë që është thelbësore për të gjitha shtetet, atë që është e përgjithshme për to. Me anë të këtij përkufizimi, së pari, mund të dallohet shteti nga organizatat e tjera shoqërore dhe së dyti, mund të krahasohen tipat e ndryshëm të shteteve.

Në aspekt Historik krijimi i shteteve është rezultat i një procesi historik dhe sociologjik. Kur shoqëria farefisnore nuk ishte më kurrsesi në gjendje të rregullojë marrëdhëniet e reja që ishin krijuar, u bë hapi i fundit në drejtim të formimit të shtetit. Njerëzit që e kanë përjetuar këtë kapërcim cilësor, nuk kanë qenë të vetëdijshëm se nga parahistoria kanë hyrë në histori, nga fundi i periudhës së shkallës së barbarizmit në fillim të qytetërimit, nga organizimi farefisnor shoqëror në organizim shtetëror. Në fillim shteti mbante në vetvete mbeturina të shumta të sistemit farefisnor mirëpo, pasi u formua, ai e përshpejtoi likuidimin e këtyre mbeturinave, duke afirmuar sistemin e ri.

Definicioni i Shtetit në teori  është një sistem i pavarur politik, administrativ, legjislativ dhe qeverisës i ndërtuar dhe mbajtur në funksion nga popullsia e një hapësire gjeografike sovrane, ku me ndryshimin e periudhave historike dhe me zhvillimin e shoqërisë kemi edhe mendime të ndryshme në lidhje me shtetin si tërësi.

Sipas Adam Fergusonit, një tezë e cila vazhdon te ruaj kontinuitetin gjatë tërë historisë së mendimit politik thotë: shteti i kuptuar si një rregullim politik i një bashkësie, krijohet me shthurjen e bashkësisë së parë primitive që bazohej në lidhje gjinore dhe me formimin e bashkësive me të mëdha, që u krijuar me bashkimin e më shumë grupeve gjinore me qëllim te mbijetesës se brendshme dhe mbrojtjes nga rreziqet e jashtme.

Është e pamundshme që një shoqëri dhe shtet të jetë i drejtë dhe të zhvillohet po qe se nuk ndërtohet mbi parimin e sundimit të ligjit dhe barazisë së qytetarëve para ligjit. Shteti është i së drejtës atëherë kur principi organizativ i tij është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, kurse ligjet janë në përputhje me interesin qytetar dhe kombëtar.

Ndarja e pushteteve përbën kushtin e parë të ekzistencës së shtetit të së drejtës. Teoria klasike e ndarjes së pushteteve dallon tre funksione kryesore të regjimeve të ndryshme politike: funksionin e hartimit dhe vendosjes së ligjeve, funksionin e zbatimit të tyre dhe funksionin e zgjidhjes së konflikteve të lindura gjatë zbatimit të ligjeve. Megjithatë, teoria e ndarjes së pushteteve jo gjithmonë është zbatuar në mënyrë rigoroze prej regjimeve të ndryshme demokratike.

Në fakt, një ndarje shumë strikte e pushteteve të ndryshëm mund të çoj në bllokimin e institucioneve. Kjo është arsyeja pse shumë regjime preferojnë parimin e bashkëpunimit të pushteteve të ndryshëm, se sa atë të ndarjes strikte: dallimi midis legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit mbetet, por këto pushtete të ndryshëm disponojnë mjete veprimi njëri kundrejt tjetrit.

Barazia e subjekteve të së drejtës përbën kushtin tjetër të ekzistencës së shtetit të së drejtës. Në të vërtetë kjo do të thotë që çdo individ, çdo organizatë mund të kundërshtojë zbatimin e një norme juridike, kur nuk është në përputhje me një normë superiore. Individët dhe organizatat marrin cilësinë e personit juridik: flitet për persona fizik në rastin e parë, për persona juridik në rastin e dytë.

Shteti vetë konsiderohet si një person juridik: vendimet e tij i nënshtrohen respektimit të parimit të barazisë, njësoj si personat e tjerë juridik. Sipas këtij parimi, edhe veprimi i pushtetit publik duhet t’i nënshtrohet parimit të barazisë, që supozon në radhë të parë respektimin e parimeve kushtetuese.

Shteti i të drejtës supozon ekzistencën e juridiksioneve të pavarura, kompetente për të zgjidhur konfliktet midis personave të ndryshëm juridik duke zbatuar njëherësh parimin e ligjshmërisë, që rrjedh prej ekzistencës së hierarkisë së normave, dhe parimit të barazisë, që kundërshton çdo trajtim të diferencuar të personave juridikë.

Në fakt, problemi qëndron në faktin se  drejtësia është gjithsesi pjesë e shtetit, ndaj vetëm pavarësia e saj kundrejt pushteteve legjislative dhe ekzekutive, mund të garantojë paanshmërinë e saj në zbatimin e normave të së drejtës.

Gjithashtu gjykatat duhet të jenë në gjendje të konfrontojnë normat e ndryshme për të gjykuar barazinë e tyre, përfshirë rregullat që kanë një rend të lartë në hierarkinë e tyre. Një ligj ose një konventë ndërkombëtare që bie ndesh me kushtetutën duhet të hidhet poshtë nga gjykata dhe të konsiderohet e pavlefshme. Shteti i së drejtës nënkupton pra ekzistencën e një kontrolli të kushtetutshmërisë. Duke pasur parasysh karakterin kompleks të një situate të tillë, Hans Kelsen ka propozuar ti besohet një juridiksioni unik dhe të specializuar, që ka cilësinë e Gjykatës Kushtetuese.

Shteti ynë fatkeqësisht është  I ,,robëruar,, si rezultat I mungesës serioze e shtetit të së drejtës. Ne nuk duam vetëm që RMV të jetë shtet, por që ky shtet të jetë i së drejtës. Në RMV njerëzit e pushtetit shpeshherë qëndrojnë mbi ligjin, kurse Qeveria jo rrallë herë i fut duart në punët e drejtësisë. Për shkak të ndikimit të vazhdueshëm të pushtetit qeveritar mbi drejtësinë, sot kemi një gjyqësor më të dobët se kurrë. Gjyqtarët thirren me telefona dhe marrin kërcënime e porosi se si ta kryejnë punën e tyre. Cilën lëndë duhet të shtyjnë përpara e cilën ta shmangin. Kështu që, në vend që t’i shërbejë vënies së drejtësisë në vend, gjyqësori sot po funksionon shumë më tepër si instrument politik në duart e pushtetit politik.

Shkruan: Adriana Stafai

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button