Gabriel Escobar: kemi biseduar me Francën që sa më shpejt të fillojmë negociatat e Maqedonisë me BE-në

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se ka folur tashmë me Francën, e cila mban presidencën e BE-së që nga 1 janari, për bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut. Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, ai beson se një marrëveshje mund të arrihet në  kohë të shkurtër.

“Tashmë kemi biseduar me Francën. E kemi bërë të qartë se besojmë se anëtarësimi në BE është thelbësor për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Besojmë se ata janë pjesë e Evropës, besojmë se me përmbushjen e kushteve duke mbyllur kapitujt duhet të integrohen çdo herë emë shumë në BE dhe mendojmë se do të jetë një zgjidhje për të gjitha vendet. Çdo vend që është anëtarësuar në BE është bërë më demokratik, më i begatë dhe më i qëndrueshëm”.

Escobar shton se procesi i pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE duhet të zgjidhet nga Evropa, ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht kandidaturën e Maqedonisë së Veriut për në BE dhe besojnë se vendi ka bërë punë të madhe.

“Ajo tashmë është shtet evropian, vend kulturor dhe historik evropian. Prandaj, duam të shohim që procesi të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Escobar.

Ai tha se beson se BE nuk e ka zhgënjyer Maqedoninë e Veriut, pasi ajo vazhdon edhe më tej ta ndihmojë.

“Konsideroj se në një periudhë shumë të shkurtër do të arrijmë marrëveshje të përshtatshme. Do të punojmë për këtë,” tha ai.

Eskobari konsideron se gjashtë muaj, afatin që e njoftoi kryeministri i ri bullgar Kiril Petkov për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, është i mjaftueshëm për zgjidhjen e problemeve, por shtoi se tek partnerët evropianë ka zhgënjim se procesi nuk po shkon shpejt.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button