RMV, ndryshimet klimatike dhe ndotja e ajrit në vitin 2021: Shumë dokumente, pak zbatim

Realizimi i projekteve në nivel kombëtar dhe lokal që do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes së ajrit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike kanë munguar në vitin 2021. Maqedonia e Veriut miratoi një sërë strategjish dhe ligjesh të rëndësishme, ndërsa në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike – KOP 26 u zotua edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por zbatimi madje edhe i masave që ishin premtuar për ulje të ndotjes së ajrit dhe zbutje të ndryshimeve klimatike nuk u realizua, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Për sa i përket luftës kundër ndotjes së ajrit, një nga projektet praktike më të rëndësishme në vitin 2021 është fillimi i akreditimit të Laboratorit Shtetëror të Mjedisit Jetësor për të matur ndotjen e ajrit, procedurë kjo që do të përfundojë në vitin 2022. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor këtë vit ka lidhur marrëveshje me dy kompani nga Shkupi për blerjen e instrumenteve matëse për Sistemin Shtetëror për monitorim automatik të cilësisë së ajrit ambiental (SSHMCAA) dhe për blerjen e analizatorit mobil për Laboratorin Shtetëror për Mjedis Jetësor që do të matë përqendrimit të emetimeve të gazeve nga burimet stacionare të ndotjes. Vitin e kaluar u ble një tjetër instrument për Laboratorin Shtetëror për zbulim dhe analizë të grimcave PM10 dhe PM2.5.

Përfundimi i akreditimit të Laboratorit Shtetëror për Mjedis Jetësor do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën kundër ndotjes së ajrit, sepse inspektorët gjatë mbikëqyrjes së objekteve industriale në vend do të mund të mbështeten në matjet e këtij laboratori. Krahas të dhënave objektive, me përfundimin e kësaj procedure pritet të rritet dhe përshpejtohet ndëshkimi i ndotësve të ajrit, prandaj  ky projekt është një nga më të rëndësishmit që ka nisur në vitin 2021 e që duhet të përfundojë këtë vit.

Stacionet matëse në Shkup që e kontrollojnë cilësinë e ajrit në vitin 2021 filluan të tregojnë të dhëna për praninë e grimcave më të rrezikshme PM 2.5 në ajër gjithandej, gjë që rezultoi menjëherë me oscilime serioze në nivelin e ndotjes së ajrit në vende të ndryshme të kryeqytetit. Ekologët mbetën në konkluzionin se rrjeti ekzistues është tepër i vogël dhe se në çdo vendbanim duhet të ketë të paktën dy deri në tre stacione për matje të cilësisë së ajrit.

Ndaj kërkesave të këtilla vitin e kaluar Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor u përgjigj me blerje të stacioneve matëse për Prilep dhe Berovë, të cilët në të ardhmen do të duhet të matin cilësinë e ajrit në këto dy qytete, por edhe duke shpjeguar se autoritetet komunale munden me fondet e tyre të përfshihen në instalimin e pajisjeve të tilla në territorin e komunave, duke u bërë të ditur se një stacion monitorimi kushton rreth 150 mijë euro.

Ajo që dështoi më së shumti në vitin 2021 ishte realizimi i projekteve, që do të ndikonin drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së ajrit në komunat e Maqedonisë. Komisioni Evropian në Raportin për progresin e reformave në vend, në kapitullin 27, theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të rrisë financat e saj të cilat ndahen në nivel kombëtar dhe lokal për të reduktuar ndotjen e ajrit.

Por, në vend që të respektonte atë që BE-ja kishte kërkuar qartë nga autoritetet tona gjatë muajit tetor, shoqata civile “Iniciativa Q2” në dhjetor 2021 doli me kritikë se Kuvendi i RMV-së kishte votuar rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet përdoruesve buxhetorë për vitin 2021, duke i reduktuar 13,5 milionë euro mjetet buxhetore të dedikuara për ndotjen e ajrit, deponitë ilegale, mbrojtjen e ujërave dhe mjedisin jetësor, efikasitet energjetik dhe për pavarësi energjetike.  Kështu nga “Iniciativa O2” e theksuan se reduktimin e fondeve për ndotjen e ajrit deri në 71 për qind të 1.3 milionë eurove të parashikuara në buxhetin e shtetit.

Se ka gjëra të cilat premtohen, ndërsa në realitet vonohen ose nuk përmbushen fare, shumë qartë mund të shihej me Ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Ai në janar 2021 premtoi se brenda muajve në vijim do të ndalohet importi nga jashtë i automjeteve të përdorura që janë me standarde nën EURO 5 të shkarkimeve të gazrave. Në fund të vitit, premtimi, që mund të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e importit të automjeteve që e ndotin seriozisht ajrin, u shty për në vitin 2022.

Pa epilog mbeti edhe njoftimi i qeverisë për vendosjen e taksës mjedisore për derivatet e naftës, e cila u paralajmërua se do të niste më 1 korrik 2021. Edhe pse qeveria njoftoi se derivatet e naftës mund të shtrenjtohen me ligjin e propozuar për mjedis jetësor, ai ngeci në Kuvendin e RMV-së  deri në fund të vitit për shkak të mospajtimit të opozitës me një masë të tillë.

Në nivel shoqëror, viti 2021 nuk sjelli fare lëvizje të faktorëve që mund të ndikojnë në ndotjen e ajrit. Numri i automjeteve të regjistruara në vend vazhdon të rritet, që ndikon ndjeshëm në rritjen e pjesëmarrjes së transportit rrugor në ndotjen e ajrit. Kundrejt kësaj, transporti publik nëpër qytete për shkak të pandemisë kovid-19 vazhdoi të shënojë rënie të numrit të udhëtarëve të transportuar, kurse qytete si Tetova një herë e aktivizuan, e pas një kohe të shkurtër e hoqën transportin publik për qytetarët. Në vend të trenave të rinj për udhëtarë, këtë vit u ndërpre qarkullimi jo vetëm në transportin hekurudhor ndërkombëtar, por nga maji i këtij viti nuk qarkullojnë as trenat e udhëtarëve për në Kërçovë dhe Koçan.

Një problem që e paralajmëron ndotjen e ajrit u shfaq në fund të vitit 2021, me fillimin e krizës globale energjetike dhe rritjen e çmimeve të burimeve energjetike dhe energjisë elektrike të importuar. Kjo ka sjellë rikthimin e TC “Negotino”, si dhe importin e thëngjillit për funksionim normal të TC “Oslomej” dhe TC “Manastir”, të cilët deri më tani janë identifikuar si ndotësit kryesorë të ajrit në komunat ku operojnë, sepse përdorin thëngjill dhe mazut si lëndë për të fituar energji elektrike.

Vitin e kaluar vendi nuk bëri asnjë progres as drejt zgjidhjes së problemit me vendgrumbullimet ilegale të plehrave të shpërndara në të gjithë vendin, por edhe me deponitë komunale jo standarde. Ndonëse qeveria kërkoi financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e pesë deponive rajonale në vend, autoritetet komunale në Rajonin Planor Verilindor dhe Lindor nuk mundën të bien dakord për strukturat drejtuese të ndërmarrjes së re që duhet të menaxhojë deponinë e ardhshme rajonale në të dy rajonet dhe kjo rezultoi me shtyrje të tenderit për ndërtimin e tij. Kjo situatë negative u shoqërua me raste të shpeshta të djegies së deponive ilegale, duke e ndotur jashtëzakonisht shumë ajrin jo vetëm në disa pjesë të Shkupit, por edhe në komunat tjera të vendit – Ohër me deponinë “Bukovë”, Vinicë me deponinë lokale dhe komunat tjera.

Ballafaqimi me menaxhimin e mbetjeve, trafikun ndotës dhe përdorimin e qymyrit dhe mazutit nga termocentralet dhe industria nuk janë vetëm çështjet kritike për ndotjen e ajrit, por edhe për ndryshime klimatike. Pikërisht për këto çështje, Maqedonia e Veriut në vitin 2021 mori përsipër angazhime serioze me marrëveshjet e nënshkruara në Konferencën KOP-26 që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.

Një hap i vërtetë pozitiv para ndodhi në fund të verës, kur Qeveria e RMV-së e miratoi Strategjinë Afatgjatë për Veprim Klimatik të vendit, e cila synon të reduktojë emetimet neto kombëtare të gazeve serë, ku përjashtohen emetimet e aviacionit dhe importet e energjisë elektrike, me 72% deri në vitin 2050 krahasuar me nivelin e vitit 1990.

Megjithatë, premtimi i qeverisë për miratimin e Ligjit për Veprim Klimatik deri në fund të vitit 2021 nuk ia doli ta kalojë filtrin parlamentar dhe do të duhet të presë amin nga deputetët në vitin 2022. Komisioni Evropian në Raportin e fundit për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, në fushën e ndryshimeve klimatike, theksoi se vendi duhet ta miratojë Ligjin për Veprim Klimatik, por edhe të bëjë më shumë përpjekje për zbatimin e premtimit të dhënë nga ne në lidhje me Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike, që u nënshkrua në vitin 2016.

Maqedonia e Veriut në Konferencën për Ndryshime Klimatike KOP-26 me marrëveshjet e nënshkruara, mori përsipër obligime si: deri në vitin 2030 t’i jepet fund shkatërrimit të pyjeve në territorin e saj, por edhe të ndërmerr masa për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e pyjeve në gjendjen e mëparshme. Maqedonia e Veriut ishte gjithashtu vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që u zotua të braktisë përdorimin e qymyrit deri në vitin 2030, pasi u bë anëtare e Aleancës PPCA (Powering Past Coal Alliance) gjatë Javës së Veprimit Klimatik në Londër. Vendi mori të njëjtin detyrim edhe në KOP-26 në nëntor të këtij viti.

Maqedonia e Veriut iu bashkua grupit prej mbi 200 vendeve që e nënshkruan Paktin e Glasgovit për Klimën, i cili e detyron botën të mos i rritë temperaturat globale për më shumë se 1,5 gradë. Për herë të parë në 30 vitet e diplomacisë së OKB-së për këtë çështje, 200 vende kanë rënë dakord se qymyri është problemi kryesor dhe se ne duhet të ndërmarrim veprime së bashku. për të kapërcyer përdorimin e tij.

Me qëllim të sigurimit të financave për zbatimin e masave me të cilat vendi do të parandalojë ngrohjen globale, Maqedonia e Veriut në vitin 2021 aplikoi për mjete në Fondin e Investimeve Klimatike, gjegjësisht shprehu interesim për pjesëmarrje në Programin për Integrimin e Burimeve të Rinovueshme të Energjisë dhe për pjesëmarrje në Programin për përshpejtimin e tranzicionit nga qymyri. Zonat e zhvillimit teknologjik-industrial (ZZHTI) e prezantuan në tetor të vitit të kaluar edhe fondin e investimeve të gjelbra të ZZHTI, ku me investime prej 750 milionë euro në katër vitet e ardhshme, me partneritet publik-privat do të krijoheshin vende të gjelbra pune, por edhe se në objektet e reja do të përdoreshin burimet e rinovueshme të energjisë.

Paralajmërimet e këtilla për investime jo rrallë janë përmendur edhe në të kaluarën me pompozitet para qytetarëve, por sa më i madh ishte projekti që premtohej aq më rrallë realizohej në realitet. Prandaj, puna e institucioneve shtetërore në vitin 2022 do të tregojë nëse mundësitë e tilla do të shfrytëzohen për realizim të projekteve konkrete.

Në fund, gjithmonë vlen të përmendet se ndotja e ajrit dhe ndryshimet klimatike janë tema në të cilat autoritetet nuk e kanë gjithmonë fjalën e fundit. Ndërgjegjësimi i qytetarëve, sjellja e përditshme që e shfaqin, mënyra se si funksionojnë dhe mendojnë, ndikon shumë në cilësinë e ajrit dhe ngrohjen globale.

Fatkeqësisht, viti 2021 nuk ishte vit i arritjeve të mëdha të ndërmarra nga vetë qytetarët. Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, dolën dy sondazhe zhgënjyese. I pari ishte një sondazh që u  realizua nga Qendra presidenciale për edukim politik (QPEP), në bashkëpunim me Institutin për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup. Hulumtim anketues tregoi se 46 për qind e të anketuarve besojnë se klima kontrollohet nga satelitët dhe radarët, si një nga teoritë e preferuara konspirative që janë të pranishme në vend.

Në anën tjetër, një sondazh i INDAGO që u prezantua pothuajse në të njëjtën periudhë në nëntor zbuloi se 53 për qind e familjeve të anketuara në vend nuk donin të ndërrojnë sistemin e tyre të ngrohjes, kurse vetëm 10 për qind ishin të gatshëm ta bëjnë këtë. Kështu, shumica e familjeve në vend ngrohen me dru zjarri ose qymyr.

Këto qëndrime të qytetarëve ndikojnë drejtpërdrejt në kapacitetin e autoriteteve për të bërë shkurtime të ndjeshme në shoqëri, të cilat do të sillnin masa që do të reduktonin ndotjen e ajrit dhe do të unlin temperaturat mesatare të ajrit. Vitin e kaluar nuk u bë asnjë sondazh nëse qytetarët do të hiqnin dorë nga veturat, por nuk duhet të ketë dyshim se rezultatet do të ishin po aq zhgënjyese sa të dhënat e mësipërme të të dyja anketave.

Ndaj, le të jetë viti 2022 vit i ndryshimit në ndërgjegjësimin dhe sjelljen e vetë qytetarëve, me çka kontributi në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së ajrit sigurisht të jetë i rëndësishëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button