Inovacionet

Shkruan Natyra Dika – Kërluku, MBA dipl.ing

Për të pasur sukses në botën e biznesit, organizatat duhet të inovojnë. Kjo sepse mbijetesa e tyre varet nga aftësia për të sjellë risi, e nevojshme për të siguruar pozitë të qëndrueshme dhe sa më atraktive në treg. “The heart and soul of a company is creativity and innovation” ka thënë Bob Iger, Drejtori Ekzekutiv i Walt Disney.

Zakonisht termi inovacion lidhet po dhe ngatërrohet me kreativitetin. Kreativiteti konsiderohet si gjenerues idesh apo shkëndija për risi. Idetë e parealizuara ngelen dëshira dhe kjo bën dallimin mes të dyjave. Inovacioni është kreativitet i sjellë në jetë, shndrimi i idesë në aksion, në diçka pozitive si kënaqësia e klientit e si rrjedhoje rit fitimin.

Inovacion do të thotë të bësh ose të krijosh diçka që është e re në mënyrë që të rritesh, të vazhdosh të jesh konkurrent apo të bëhesh lider në një industrie të re. Mund të jetë një proces i ri, një produkt i ri që ndryshon mënyrën e jetesës ose një model i ri biznesi. Por jo-domosdoshmërish sepse edhe një transformim produkti që krijon një vlerë të shtuar për konsumatorin konsiderohet si i tillë

Inovacioni i qëllimshëm fillon me analizën e mundësive. Peter Drucker, themeluesi i menaxhmentit modern, identifikoi disa burime mundësish që mund të nxisin inovacione: sukseset dhe dështimet e papritura të organizatës, por edhe ato të konkurrencës; mospërputhjet gjatë proceseve si: prodhimi, shpërndarja apo ato në sjelljen e klientit; ndryshimet në industri apo në strukturat e tregut; ndryshimet demografike; ndryshimet në kuptim dhe perceptim, etj.

Nga mënyra se si ndikojnë në treg risitë ndahen në 4 kategori :

  1. Inovacioni incremental, në rritje – është përmirësimi i vazhdueshëm i produkteve / shërbimeve ekzistuese për të ofruar më shumë vlerë në tregun ekzistues. Fokusohet në zvogëlimin e defekteve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të performancës. Është forma më e shpeshtë dhe më e zakonshme e risive. Për shembull kompanie e brisqeve Gilette, nga shpikja e briskut të parë, ngadalë por sigurte kanë rafinuar produktin e tyre për t’iu përshtatur sa më mirë nevojave të klientëve.
  2. Inovacioni arkitektonik i referohet ndryshimit të dizajnit të një produkti duke bashkuar komponentët ekzistues në mënyra të reja. Paraqet modifikimin e zgjidhjeve/produkteve ekzistuese për një treg krejtësisht të ri. Është diçka që tashmë funksionon, por përdoret në një mënyrë ose në një treg tjetër. P.sh. aplikacioni Uber që në fakt paraqet kombinimin e disa komponentëve ekzistuese si gjeolokacioni, vozitësve me honorarë, është shembull i një risie te tillë.
  3. Inovacioni përçarëse (disruptive) Ky lloj inovacioni mundësohet nga teknologjia e re që ofron një alternativë më efikase nga ekzistuesja në treg, duke e bërë atë të vjetërsuar apo më pak të favorshëm. Bizneset aplikojnë inovacion të tilla për tu shërbyer kërkesave në rritje të konsumatorë, duke krijuar vlera krejtësisht të reja dhe shërbime që nuk ekzistonin më parë. Netflix është një shembull tipik. Filloi si kompani furnizimi me DVD, e më pas krijoi produktin e vet me kosto të përshtatshëm për njerëzit e pasionuar pas filmave.
  4. Inovacioni radikal është ai lloj që në fakt na vjen në mëndje kur përmendet inovacioni. Përfshin krijimin e diçkaje komplet të re që hap tregje krejtësisht të reja. Ky lloj inovacioni shkaktohet nga avancimi i madh teknologjik që ka ndikim të madh në treg dhe shkakton lindjen e industrive te reja . Është forma më e rrallë e inovacionit, që i mundëson shoqërisë të bëjë hapa të rëndësishëm përpara. Smartfonët janë shembulli më i spikatur i inovacionit radikal të kohëve të fundit. Ato tashmë janë shndërruar në fiksim dhe kanë ndryshuar komplet mënyrën e komunikimit, sjelljes, e të bërit biznes dhe jetesës në përgjithësi

Shembullj të inovacioneve radikale në historinë e njerizimit ka plot: shpikja e motorit me avull, llapma elektrike, transistorit, telegrafi, antibiotikët, aeroplani e shume të tjera që ndryshuan komplet njerizimin. Sot ndodhemi në prag të revolucionit të 4rt teknologjik sepse Inteligjenca Artificiale dhe IoT (Internet of Things) pritet të shkaktojnë ndryshime të mëdha në gjithçka.

Inovacioni paraqet diçka kritike e kyçe për mbijetesën e shumë bizneseve dhe industrive. Prandaj është e nevojshme inkurajimi i punonjësve për të dalë me ide të reja. Këtu liderët luajnë rolin kyç

Krijimi i kulturës së inovacionit në kompani varet prej tyre. Menaxheret  e mirë duhet të artikulojnë biznes arsyet për inovim dhe ti përcjellin ato te punonjësit. Kështu do demonstrojnë angazhimin e tyre në proces dhe nxisin mënyrat e reja të të menduarit

Menaxhim i inovacionit përveç që është procesi i krijimit dhe prezantimit të gjërave të reja dhe zhvillimit të biznesit, paraqet edhe menaxhimin e inovatorëve. Prandaj lideri duhet të nxis kreativitetin dhe të mbështes krijimin e risive. Detyra e tij është të bëjë identifikimin e punonjësve dhe fushave potencialë për gjenerimin e ideve. Krijimi i ambienteve atraktive për punë, trajnimet dhe kurset e vazhdueshme, krijimi i ekipeve diverse, agile janë disa nga mënyrat e duhura që do e ndihmonin këtë proces. Kompanitë më në zë si Google, Apple, tashmë po implementojnë shumë metoda të tilla.

Po ashtu, lideri duhet që inovacionin ta shndërrojnë në proces strategjik dhe të integrojë atë në agjendën strategjiko-menaxheriale të kompanisë.

Jo më kot citati i Steve Jobs “Innovation distinguishes between a leader and a follower” sot po përsëritet vazhdimisht në botën e biznesit. Një menaxher që nuk krijon, nxit risi, që nuk sjell vlera, por që ndjek vetëm kërkesat e kompanisë apo atë që ja dikton eprori, nuk do mund të jetë kurrë një lider i vërtetë .

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button