Referendumi për shkarkimin e Bashës, Komisioni: 43,385 demokratë votuan pro, 306 kundër
Komisioni i Organizimit dhe Operacioneve Elektorale ka dhënë detaje për referendumin e mbajtur një ditë më parë për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti si kreu i Partisë Demokratike. Demokratët që morën pjesë në votimin e referendumit ishin 43,879, ku 43,385 votuan pro, 306 kundër, 17 abstenuan dhe 171 ishin vota të pavlefshme, transmeton Top-Channel.
Komisioni përbëhej nga kryetarja Albana Vokshi dhe anëtarët Ervin Minarolli, Enno Bozdo, Edit Harxhi dhe Keltis Kruja.
Vendimi nga Komisioni i Organizimit dhe Operacioneve Elektorale
Trazirat brenda PD-së u thelluan akoma më shumë një ditë më parë, pas mbajtjes së referendumit për shkarkimin e Bashës.
Ndërsa në të njëjtën kohë u mbajt edhe Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha, ku u miratua rezoluta e Këshillit Kombëtar.
Sipas rezolutës, mbledhja e Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha është e jashtëligjshme dhe vendimet e saj janë nul dhe nuk kanë asnjë vlerë politike apo ligjore për PD.
Por kjo nuk e stopoi aspak Berishën, i cili pas daljes së rezultateve të referendumit, shkoi në selinë blu bashkë me dhjetëra mbështetës të tij, ndërsa brenda godinës po mbahej mbledhja e Kryesisë së partisë.
Berisha ka bërë të ditur se të hënën e 20 Dhjetorit, nesër do të zhvillohet protesta e parë kombëtare, ku qytetarët do të protestojnë përpara Kryeministrisë në orën 16:00.
Problemet e brendshme brenda Partisë Demokratike u ndezën pasi Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së, Berishën, pas shpalljes së tij ‘non grata’ nga SHBA-ja. Pas kësaj ngjarje ish-kreu i PD-së nisi mbajtjen e Foltoreve në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa u krijua Komisioni i Rithemelimit të partisë.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, një ditë pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar dhe referendumit për shkarkimin e tij, me anë të një videomesazhi thotë se demokratët zgjodhën të ardhmen dhe jo të shkuarën, referuar Sali Berishës.