Mërgimtarët do ta gjejnë Kërçovën të rindërtuar

Punimet për rindërtimin e sheshit të qytetit të Kërçovës kohën e fundit po ecin me një ritëm të shpejtuar dhe faza e dytë është në përfundim e sipër. Kjo pritet të përfundojë brenda këtyre ditëve, kurse ajo që mbetet është faza e tretë e projektit e cila përfshin rrugën e qytetit deri në dalje për tek rruga e Osllomesë.

Nga komuna e Kërçovës, për Portalb, bëjnë të ditur që gjithçka është e paraparë të përfundojë shumë shpejt. 

“Afati i fundit për përfundimin e punimeve, rindërtimin e plotë të sheshit dhe rrugëve që janë paraparë në projekt është 10 korriku. Deri atëherë, gjithçka duhet të ketë përfunduar dhe rrugët të jenë të lira për qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe makinave”, tha sekretari i komunës së Kërçovës, Ramiz Rexhepi.

Një pjesë e rrugës kryesore të qytetit ka kohë që është e bllokuar për qarkullimin e automjeteve dhe duke marrë parasysh fluksin e madh të mërgimtarëve që verës kthehen në këtë qytet, kjo do të shkaktonte një rrëmujë të vërtetë në trafik dhe në qarkullimin e lirë të qytetarëve nëpër rrugët e qytetit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button