Ballkani po bashkohet për ajër të pastër: urgjentisht të mbyllen termocentralet me thëngjill

Maqedonia e Veriut, sivjet do të jetë pjesë e fushatës rajonale “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër”, për të ndërgjegjësuar qytetarët e rajonit për shkaqet dhe pasojat nga ndotja e ajrit, mënyrat e mundshme për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe luftën për mjedis më të shëndetshëm jetësor nëpërmjet solidaritetit rajonal, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Këtë vit, fushata, në të cilën vendi jonë merr pjesë nëpërmjet “Air Care” dhe “Ajri im” të Gorjan Jovanovskit, do të fokusohet, ndër të tjera, edhe në pasojat e ndotjes që shkaktohet nga termocentralet me thëngjill, si dhe ndotjen që vjen nga industria e rëndë.

“Djegia e thëngjillit është burimi më i madh i vetëm i ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor. “Vetëm termocentrali “Ugljeviq” lëshon më shumë dyoksid sulfuri (107.402 tonelata në vitin 2020) sesa emetimet totale të lejuara të të gjitha termocentraleve të përfshira nga planet kombëtare për reduktimin e emetimeve (103.682 tonelata) dhe vetë i tejkalon të gjitha vlerat vjetore të mbledhura së bashku”, thuhet në komunikatën e organizatave të shoqërisë civile.

Organizatorët e fushatës, që zbatohet nga Fondi Evropian për Ballkanin dhe mbështetet prej organizatave nga Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Kosova dhe Serbia kërkojnë urgjentisht të mbyllen termocentralet me thëngjill dhe të bëhet harmonizim urgjent i ndotjes nga industria e rëndë me kuadrin e duhur rregullator, si dhe përfshirjen e qytetarëve gjatë marrjes së vendimeve për leje mjedisore dhe dokumentet e tjera që kanë të bëjnë me impiantet e prodhimit.

Importi i energjisë elektrike të prodhuar nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian përbën vetëm 0,3 % të konsumit të energjisë elektrike të BE-së, ndërsa emetimet e dyoksidit të squfurit nga ky prodhim përbëjnë 50 për qind të të gjitha emetimeve të termocentraleve në Union. Thëngjilli, përveç në industri, përdoret edhe në amvisëri si edhe në ngrohtore, ndaj ndërprerja e përdorimit të kësaj lënde djegëse fosile do të eliminojë burimin kryesor të ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor. Humbja e prodhimit të brendshëm bruto, për shkak të ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor, vetëm në vitin 2016 arriti në 8,5 miliardë euro.

“Në vend se të ndërtohen dhe rinovohen termocentrale, fondet buxhetore mund të përdoren për programe sociale dhe rikualifikim të punëtorëve, si dhe për ndërtimin e centraleve diellore në vend të minierave të thëngjillit, të cilat do të zëvendësonin kapacitetet për prodhimin e energjisë elektrike. Ashtu, transformimi i industrisë mund të jetë më i blerti në kontinent”, thonë organizatorët e fushatës “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button