Përfundoi identifikimi i 45 viktimave të aksidentit të autobusit në Bullgari – nesër do të transportohen në Maqedoni

Zëvendës- kryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar të Bullgarisë Borisllav Sarafov për BTA tha se të 45 viktimat e autobusit që mori flakë në autostradën Struma tashmë janë identifikuar. Identifikimi i tyre bëhet me profile të ADN-së. Ndërkohë, kufomat e viktimave do të sillen nesër në Maqedoninë e Veriut me dy avionë ushtarak transmeton Portalb.mk.

Pala bullgare do të sigurojë dy avionë ushtarako-transportues me të cilët nesër në mëngjes do të transportohen kufomat e viktimave në aksidentin e komunikacionit, tha sot ambasadori bullgar në vend Angel Angelov në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në komunën e Shtipit.

Edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme njoftuan se nesër në mëngjes kufomat nga aksidenti i autobusit në Republikën e Bullgarisë do të arrijnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Dje ka përfunduar transporti i shtatë udhëtarëve të lënduar, prej të cilëve gjashtë janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe një shtetas serb.

Zëdhënësit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Muamet Hoxha dhe Dushko Arsovski në konferencën e djeshme për shtyp konfirmuan informatën se trupat e të vdekurve, sipas protokollit shtetëror, do t’ju dërgohen familjeve.

“Punohet intensivisht që të përfundojnë analizat e ADN-së nga kolegët nga Bullgaria. Kurse kolegët tanë nga Instituti për Mjekësi Ligjore janë në komunikim me ta. Puna duhet të përfundojë sot ose nesër pas çka pritet të organizohet transporti i viktimave” tha para gazetarëve dje, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ndërkohë, nga Klinika për Neurokirurgji në Spitalin “Pirogov” në Sofje njoftuan se është lëshuar edhe pacienti i fundit që i mbijetoi fatkeqësisë dhe ekipet mjekësore nga Maqedonia e Veriut e kanë transportuar në vend.

Kujtojmë se me 23 nëntor një autobus i Maqedonisë së Veriut i kompanisë “Besa Trans”, u aksidentua në autostradën Struma në Bullgari, si pasojë e të cilit humbën jetën 45 persona, ndërsa 7 të tjerë u lënduan. Fillimisht u raportua se kishte 46 viktima. Por, tre ditë pas aksidentit, prokuroria e Bullgarisë tha se, kishin gjetur 44 trupa, shtatë ndodhen në spital, ndërsa 1 person nuk e dinë se ky ndodhet. Një ditë pas kësaj deklaratë, pas kontrollit shtesë të autobusit të aksidentuar, u gjet edhe një viktimë, duke u konfirmuar se numri i viktimave është 45. Autobusi ishte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, pasi që ishte nisur nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button