Tifozët rivalë turk bashkohen kundër Erdoganit! Ai thotë protestojnë plaçkitësit (VIDEO)

Shtypi turk i ka bërë jehonë sot asaj që e ka konsideruar ”mrekulli”, të cilën ndoshta padashur e ka shkaktuar kryeministri Recep Tayyip Erdogan, duke arritur një bashkim deri sot të pamundur të tifozerive rivale të klubeve kryesore futbollistike të Turqisë, të cilat janë së bashku në lëvizjen e protestës kundër tij. 

Tifozeritë e klubeve të mëdha të Stambollit, Beshiktashi, Gallatasaraj dhe Fenerbaçe, të ndara ashpër nga një urrejtje shekullore, pasi ishin dëshmitare të represionit të ashpër të policisë kundër manifestuesve në parkun ”Gezi”, kanë vendosur të bashkohen kundër ”armikut të përbashkët”, kreut të qeverisë, në një moment që manifestuesit turq kërkojnë dorëheqjen e tij. 

Sot qindra mijëra tifozë të Fenerbaçes, klubi futbollistik i pjesës aziatike të Stambollit, kanë kaluar përmes urës së Bosforit për t’u bashkuar me tifozeritë e Gallatasarajt dhe Beshiktashit në sheshin ”Taksim”, ku të tre tifozeritë brohorisnin dhe këndonin ”Tayyip Istifa” (Tayyip largohu) dhe ”Mustafa Kemalin Askerleriyiz” (Jemi bij dhe luftëtarët e Mustafa Kemalit). 

Erdogan: Protestuesit janë “plaçkitës”

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan ka dënuar sërish protestuesit anti-qeveritarë, duke i quajtur “plaçkitës” dhe i bëri thirrje mbështetësve që t’ua “mësojnë protestuesve një leksion” gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. 

Erdogan i bëri këto komente, të dielën në qytetin jugor të Adanasë, ku janë përleshur të shtunën në mbrëmje protestuesit pro-dhe anti-qeveritarë.

Erdogan iu bëri thirrje mbështetësve të tij që të mos angazhohen në dhunë, derisa protestat në Turqi kanë hyrë në ditën e dhjetë.

Dhjetëra mijëra demonstrues ishin në rrugët e Stambollit të dielën, derisa janë zhvilluar demonstrata në Ankara, Izmir, dhe qytete të tjera.

Në Stamboll, protestuesit dogjën goma dhe hodhën fishekzjarre ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës.

Qeveria këmbënguli të shtunën se protestat ishin “nën kontroll”.

Dy protestues dhe një oficer policie janë vrarë gjatë 10 ditëve të protestave.

Lajme të ngjashme

Back to top button