Amerikania e re, ‘nuse’, në pazarin e Strugës (FOTO)

Struga , këtyre ditëve është mbushur plot me vizitorë. Ata janë të shumtë dhe nga pjesë të ndryshme të botës.  Një risi në këtë drejtim paraqet fakti që gjithnjë e më shumë Strugën vijnë dhe e vizitojnë turistë të rinj në moshë, krahasuar me vitet dhe me dekadat e mëparshme.

Dy të tillë, takuam  në tregun e grave të qytetit të Strugës.  Ishin dy vajza, njëra amerikane dhe tjetra angleze. Të dyja, me shumë kërshëri shikonin teshat që shisnin gratë në tregun e teshave. Dukeshin të entuziazmuara, i vërenin me shumë kujdes teshat, i preknin  dhe me gjasë dëshironin t’i provonin.

Mbase, nuk besonin se shitëset do të jenë aq miqësore me to.  Nuk kuptonin  dot gjuhën me të cilën u flisnin shitëset dhe as shitëset të tyren. Por, të dy palët u kuptuan. Gratë zemërgjera , kuptuan dëshirën e njërës prej tyre që të veshë këmishën e punuar me përkushtim nga duart e këtyre grave.

Dhe, gjithsesi ato nuk nguruan fare. Me shumë dashamirësi ia ofruan këmishën e nuses, për të parë se si qëndron ajo në trupin  enjë amerikaneje të re. U befasuan për të mirë edhe turistet e reja, por edhe gratë. “Nusja “me këmishën  e nuseve që vishet në Strugë, doli shumë  e bukur.
Shoqja e saj i bëri shumë foto, ndërsa amerikania e re me shumë zemërgjerësi  pranoi kërkesën tonë për ta bërë protagoniste të një shkrimi në Portalb.  

“Shumë mirë, më pëlqen që do të jem objekt i shkrimit të një gazetari, jam e impresionuar, me mikpritjen e këtushme. Gratë janë shumë zemërmira dhe miqësore. Më pëlqen shumë këmisha. Nuk kisha parë ndonjëherë, një të tillë”, thotë amerikania e re dhe shton se foton do ta ruaj , si një kujtim të çmuar. /PORTALB

Lajme të ngjashme

Back to top button