Në RMV, çdo e dyta grua në vend është viktimë e dhunës psikologjike, ndërsa çdo e shtata e dhunës seksuale, thotë studimi i OSBE-së
Çdo e dyta grua në Maqedoni është viktimë e dhunës psikologjike, ndërsa çdo e shtata viktimë e dhunës fizike apo seksuale, thuhet në studimin e OSBE-së për mirëqenien e grave në shoqërinë tonë, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.
Sipas sondazhit, 60.000 gra në vend kanë qenë të përndjekura, ndërsa 60% e grave të vrara në vend janë vra nga partnerët e tyre aktualë ose ish partnerët intimë.
“Kërkojmë ndryshime në Kodin Penal me të cilat do të sanksionohen në mënyrë adekuate aktet që do të parandalojnë dhunën ndaj grave”, tha Ljupka Trajanovska, aktiviste dhe hulumtuese në Qendrën për Hulumtime dhe Krijim të Politikave.
Trajanovska në vazhdim ka shtuar se format më të shpeshta të dhunës ndaj grave janë dhuna seksuale-përdhunimi duke përfshirë ngacmimin seksual dhe zhvatjen seksuale, dhuna fizike dhe psikologjike, femicidi-vrasja e grave, përndjekja, martesa e detyruar, sterilizimi i detyruar ose aborti i detyruar, gjymtimin gjenital femëror etj. Është karakteristike se disa nga këto forma u ndodhin disa kategorive të rrezikuara si gratë e varura ekonomikisht, nënat e vetme, gratë e reja dhe studentet, gratë rome dhe punonjëset seksuale.
Dhuna ndaj grave, thotë ajo, nuk kufizohet vetëm në hapësirë të mbyllur fizike, por, në Dhomën Publike në Viber, në Telegram dhe postimi i fundit në Facebook konfirmojnë që dhuna ndaj grave është e pranishme në të gjitha sferat e jetës, përfshirë edhe onlajn hapësirën.
“Prandaj duhet urgjentisht të bëhet harmonizimi i Kodit Penal dhe sanksionimi i duhur i krimeve, që do të çojë në radhë të parë në parandalim të krimeve, por edhe në veprim përkatës në raste të kallëzimeve, interpretim përkatës të ligjeve dhe miratim të aktgjykimeve që do të sanksionojnë autorët, kurse viktimat të mbrohen nga vazhdimi i dhunës. Prandaj, dëshiroj t’u bëj thirrje publike deputetëve që sa më parë ta venë në listën e prioriteteve këtë çështje dhe urgjentisht t’i votojnë ndryshimet në Kodin Penal”, thotë Trajanovska.