Votoni, votoni, votoni..

Do të thoni Ju se zgjedhjet mbaruan dhe skemi çka të votojmë. Jo, gaboheni zgjedhjet mbaruan, ama votimet vazhdojnë, vazhdojnë tërë vitin, herë me intenzitet të dobët e herë me intenzitet të shtuar, por vazhdojne. Jemi gjeneratë e votimeve.

Kur si nxënës i shkollës së mesme u deshtë të shkruaj një temë hartimi, zgjodha të shkruaj për lypësit që na rrethojnë në çdo cep të qytetit, në çdo udhëkryq, nga do që ecën të dalën përpara. Atëherë nuk e pata kuptuar se përveç atyre lypsarëve të leckosur që shtrijnë dorën për lëmoshë ekzistojnë edhe shumë kategori tjera të lypsa(qa)rëve shumë modern. Ekziston një kategori e lypsa(qa)rëve e përbërë prej ca vajzave shumë të bukura me minifunde tepër të shkurtëra e me taka tepër të gjata, të pispillosura deri në vesh. Pastaj një kategori e lypsa(qa)rëve zotërinj (u thënçin zotërinj) me kostume e kollare nga më të shtrenjtat që dalin nëpër ekranet e televizorit dhe kërkojnë “lëmoshë”, por në mënyrë më të përsosur, më moderne, më trendi, duke kërkuar nga Ju vetëm një gjë: të votoni, të votoni, të votoni . . . 

Mos e leni pa dal!

Hajdeni këtu nga të katër anët e botës që të votoni, për çështjen madhore të kombit (që unë të bëhem i pari i këtij vendi),  sepse “vota e Juaj është e shenjtë (para) për ne” (këtë nuk e thonë, por edhe ne ama sikur nuk e kuptojmë). Pse, sepse vota e jonë për politikanët tanë është para. Për çdo votë tonën, kandidatët, respektivisht partitë fitojnë nga 15 denarë, nuk është kush e di kjo ndonjë shumë e madhe e parave, por kjo votë pastaj shndërrohet në mandat, shndrohet në pasuri, në fuqi, në pushtet edhe ate çfarë pushteti se?!Pushtet për të na sunduar neve që votojmë në vitet në vazhdim, derisa të ndodhin zgjedhje tjera, sepse siç thotë Russoi “Njeriu është i lirë një ditë në katër vjet, ditën e zgjedhjeve, pastaj rob i pushtetit”, edhe pse për fjalinë e parë dyshoj.

Po tjetër ku votohet?

Në mbrëmje kur ulemi të pushojmë në ekranin e televizorit shfaqet ndonjë “moderatore” bukuroshe bjonde (me flokë të zeza) dhe nga ne kërkonë të votojmë. Nga televizionet shqiptaretë kërkojnë të  votojmë për ndonjërin nga kandidatët tanë të preferuar të “Big Brother-it”, tjetri televizion kërkon të votojmë ndonjërin nga kandidatët e “X-factor-it” (ku përfshijnë edhe ndonjë kandidatë nga Maqedonia), i treti kërkon të votojmë të preferuarin tonë në “Dancing with the stars”, i katërti kërkon të votojmë për kandidatin e preferuar të “The “Voice of Albania”, i pesti kërkon të votojmë për ndonjë kandidat të “Këngës magjike”, e kështu me rradhë: mbaron njëri, fillon  tjetri,  e  spektaklet nuk kanë të mbaruar. 

Mos të harojmë një gjë se, çdo votë paguhet nga ana e jonë, një sms kushton…, vlera është shënuar në titrat që lëvizin kohë pas kohe në fund të ekranit të televizorit edhe ate me shkronja shumë të imta me qëllim që të mos mundemi ti lexojmë fare.

Rrefreni i “moderatores” sa vinë e shpeshtohet e merr vrull: votoni, votoni, votoni sa më shpejtë se koha është e limituar, mos e humbni rastin!

Edhe televizionet maqedonase, në spektaklet e tyre përfshijnë, por më rrallë, ndonjë kandidat shqiptarë, që mbase të votojnë edhe shqiptarët për shqiptarin, si patriota që jemi. 
Madje, edhe për kandidatët shqiptarë nëpër spektaklet e ndryshme nëpër botë si, Gjermani, Zvicër apo Itali, “fansat e tyre” kërkojnë të votojmë për kandidatët shqiptarë.

I nervozuar ndoshta nga televizori hap internetin, hynë në “Facebook” ose në “Youtube”, dhe në të ç’të shohësh përsëri kërkojnë nga ti të bëjsh “Like”, sepse edhe këtu çdo “Like” është para. 

Dhe ti përsëri duhet të votosh, të votosh, të votosh…

Kam ndëgjuar (edhepse se besoj!) se edhe nëpër fakultete votohet. Ka profesor të atillë që dhënien e provimit e kushtëzojnë me të votuarit – në xhepin e tij!

Jemi në kohën e votimeve, dhe lypsa(qa)rët modern kërkojnë që të votojmë. 

Ndaj, votoni, votoni, votoni …       

Kushtrim Jashari, student i informatikës në USHT

Lajme të ngjashme

Back to top button