Kthehen Ejupi dhe Berisha

Edhe përkundër faktit që ditë më parë 5 futbollistë të ekipit të parë të Shkëndijës u larguan për shkak të borxheve që klubi kishte ndaj tyre, sot është mësuar se në ndeshjen e nesërme gjysmëfinale, do të kthehen të luajnë për “kuqezinjtë” Muzafer Ejupi dhe Sedat Berisha, ndërsa Ertan Demiri, Burhan Aliju dhe portieri Trajçe Nikov kanë mbajtur qëndrimin e tyre që të mos kthehen.

Në bisedë telefonike, lajmin për kthimin e sërishëm në skuadër e ka konfirmuar për “Portalb” edhe vet mbrojtësi Berisha. “Deri në orët e vona kemi zhvilluar biseda intensive me kryesinë e klubit, dhe kemi vendosur që unë dhe Muzaferi të kthehemi në klub. Do të vazhdojmë deri në fund të sezonit, për detaje nuk do të kisha dëshiruar të flasë, pasi që ka dhe shumë oër të folur, thjesht e mira e gjithë kësaj është se do të luajmë kundër Vardarit në ndeshjen e nesërme gjysmëfinale”, ka thënë Sedat Berisha.

Edhe përkundër problemeve që ka ekipi i Shkëndija, tifo grupi “Ballistët” kanë bërë ftesë përmes rrjetit social “Facebook” që nesër të jenë në numër sa më të madh në shkallët e stadiumit, për të ndihmuar ekipin e tyre të zemrës. Ndeshja gjysmëfinale Shkëndija – Vardari do të luhet në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në ora 16:00./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button