Mbi dilemën juridike të dorëheqjes së kryeministrit

Zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2021 në Republikën e Maqedonisë së Veriut që ishin të shtatat me radhë që nga pavarësia e saj, do të mbahen mend gjatë në jetën politike dhe shoqërore të saj, për shkak të ngjarjeve të zhvilluara, që u kulminuan me nxitimin e dorëheqjes së kryeministrit Zaev! Strategjia e tij politike gjatë këtyre zgjedhjeve lokale u tregua e pasuksesshme. Duke u përpjekur që t’i mobilizojë votuesit e tij të vitit 2017, kur morri gjithsej 57 komuna, madje duke i “kërcënuar” edhe me dorëheqjen e tij nëse e humb Qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e qeverisjes lokale, do të jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë politike dhe nga pozita e kryeministrit dhe normalisht kjo krijoi kontra-efekt, i elektrizoi dhe i mobilizoi edhe më tepër votuesit e VMRO-DPMNE-së që të votojnë për partinë e tyre, me çka LSDM humbi kryeqytetin dhe 41 komuna tjera, me çka kulminoi me dorëheqjen e tij.

Ky veprim i ngutur dhe i pamenduar mirë i kryeministrit Zaev, krijoi dilema juridike në opinion. Qëndrimi i tij me këtë rast është se ai po jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Qeverisë por, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja parlamentare! Këtë situatë juridike, Kushtetuta e RMV-së e rregullon asisoj që parasheh se “dorëheqja e Kryetarit të Qeverisë, vdekja ose pamundësia e përhershme e tij që ta ushtrojë funksionin, tërheq dorëheqjen e Qeverisë.” (neni 94, Kushtetuta e RMV-së). Në këtë drejtim, Kushtetuta është shumë “dorështrënguar” dhe fjalë pak dhe nuk e precizon dilemën apo situatën tjetër juridike se çka pas dorëheqjes së Qeverisë apo Kryetarit të Qeverisë?! Në aspektin e së drejtës kushtetuese të krahasuar, në bazë të analizave që i kam bërë të gjitha kushtetutave të rajonit, zgjidhje më të detajuar dhe më origjinale që duhen ndjekur edhe shumë kushtetuta tjera të rajonit është Kushtetuta e Serbisë, që këtë situatë e ka “qepur” me precizitet, ashtu që nuk ka lënë fare dilema për zgjidhjen e kësaj situata juridike, e cila në dispozitën e nenit 132 të saj, thekson se Kryetari i Qeverisë mund të jep dorëheqje deri te Kuvendi Popullor. Kryetari i Qeverisë ia dorëzon Kryetarit të Kuvendit Popullor dhe njëkohësisht atë e arsyeton Presidenti i Republikës dhe opinioni. Kuvendi Popullor në seancën e parë të radhës e konstaton dorëheqjen e Kryetarit të Qeverisë. Qeverisë i përfundon mandati ditën e konstatimit të dorëheqjes së Kryetarit të Qeverisë. Kur Kuvendi Popullor do ta konstaton dorëheqjen e Kryetarit të Qeverisë, Kryetari i Republikës është i detyruar të ngrejë procedurë për zgjedhjen e Qeverisë së re. Nëse Kuvendi Popullor nuk e zgjedh Qeverinë e re në afat prej 30 ditëve nga dita e konstatimit të dorëheqjes së Kryetarit të Qeverisë, Kryetari i Republikës është i detyruar ta shpërbëjë Kuvendin Popullor dhe t’i shpall zgjedhjet. Kjo s’ndodh as Rregulloren e Parlamentit të RMV-së, e cila më për së afërmi e rregullon këtë situatë juridike me dispozitën e nenit 219, 220 ku thekson se Qeveria, Kryetari i Qeverisë ose anëtari i Qeverisë mund të japin dorëheqje, dorëheqje të cilën e paraqesin në formë të shkruar deri te Kryetari i Kuvendit dhe e cila mund të arsyetohet. Dorëheqjen e Qeverisë ose të Kryetarit të Qeverisë, Kryetari i Kuvendit menjëherë ua dërgon deputetëve dhe Kryetarit të Republikës. Kuvendi në seancën e parë të radhës, pa diskutim, konstaton se Kryetari i Qeverisë, Qeveria ose anëtarit të Qeverisë, i pushon mandati në ditën e mbajtjes së seancës. Por, çka ndodh më tutje, as Rregullorja e Parlamentit nuk jep përgjigje! Në këso situata juridike, kur as nuk ndalohet e as nuk lejohet, dorëheqja e Kryeministrit medoemos nuk nënkupton edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare me çdo kusht, për të cilën madje pretendohet se Qeveria e RMV-së ka veçmë shumicë stabile!? Por, që bie Qeveria nga dorëheqja e tij, kjo është e sigurt!

Ku qëndron problematika e këtyre zgjedhjeve? Në shkencën juridike por edhe politike, legjitimiteti i pushtetit shtetëror dhe zgjedhjet janë me rëndësi kyçe. Në teorinë juridike dhe politike zgjedhjet definohen si veprime formale të zgjedhjes së personave për një shërbim të caktuar shtetëror përmes dhënies së mbështetjes nga ana e trupit zgjedhor. Pavarësisht se këto ishin zgjedhje lokale dhe “forca” e një partie politike nuk matet me numrat që i ka fituar në këto zgjedhje, por komunat që ka arritur t’i përvetësojë dhe t’i mbajë në zgjedhje! VMRO-DPMNE edhe pse kishte rënie të votuesve, doli se është fituesi absolut i këtyre zgjedhjeve, ndërkaq LSDM përjetoi fiasko të vërtetë dhe normalisht se këto rezultate në rast se simulohen në mandate të shëndrruara, do t’i vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fituar i kësaj Qeverie, konkretisht partisë më të madhe maqedonase LSDM-së. Legjitimiteti paraqet funksionin parësor dhe më të rëndësishëm të çdo procesi të zgjedhjeve sepse përmes zgjedhjeve sigurohet legjimiteti i sistemit në tërësi dhe vlerësuar nga kjo situatë, me dorëheqjen e Kryeministrit nuk ndodh fundi i botës, përkundrazi duhet shikuar si gjest të guximshëm dhe duhet vlerësuar pozitivisht, fenomen i cili rrallë herë paraqitet tek ne. Situatë identike është paraqitur edhe në shtetin më demokratik në Evropë, në Gjermani në vitin 2002 ku Bundestagu gjerman kishte zgjedhur Gerhard Shroder si Kancelar Federal me votat e grupeve parlamentare të SPD-së dhe Aleancës 90/ të Gjelbërtit. Në vitin 2003, Kancelari Federal në paraqitjen e tij mbi programin e njohur “Agjenda 2010”, synim për kryesor i të cilit ishte reduktim i përfitimeve të shtetit, për të nxitur përgjegjësinë e vet të njerëzve dhe për të kërkuar nga çdo individ të bëjë më shumë dha dorëheqje nga kryesia e SPD në një konferencë të jashtëzakonshme kombëtare të mbajtur në vitin 2004. Kjo dorëheqje përkoi me zgjedhjet shtetërore në Hamburg, për të cilat javë më parë ishte parashikuar një humbje e konsiderueshme për social demokratët në pushtet. Që nga zgjedhjet e Bundestagut, në shtator të vitit 2002, SPD kishte vota të humbura, në shumë raste sasi të madhe të votave në gjitha zgjedhjet e mëvonshme shtetërore dhe në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Më 27 Qershor 2005, Kancelari Federal vuri një lëvizje një mocion votëbesimi në pajtim me nenin 68 të Ligjit Themelor, me çka i propozojë Presidentit Federal shpërndarjen e Bundestagut gjerman dhe të udhërojë zgjedhje të reja. “Pasoja e hidhur e zgjedhjeve shtetërore në North Rhine – Westphalia për partinë time dhe për mua personalisht ishte hallka e fundit në zinxhirin, në disa raste, të humbjeve të ndjeshme dhe të dhimbshme zgjedhore. Si pasojë u bë e qartë se konstelacioni i forcave, për të cilat është bërë e qartë, nuk do të më lejojë mua për të vazhduar me sukses politikën time pa një legjitimitet të ri nga sovrani, që është, populli gjerman” – pati deklaruar ai. Pra, situata të tilla mund të kemi gjithkund! Kryeministri Zaev për momentin gjendet në shpatë me dy presa dhe nëse luan mençur si politikan do të duhet ta zgjedhë anën më pak të dhimbshme të saj. Nëse njëmend jep dorëheqje me shkrim, ai do duhet të zëvendësohet me figurë të re kredibile politike, pse jo edhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare për të revitalizuar legjitimitetin politik (kushtetuta nuk precizon as zgjedhje, as Qeveri të re), gjë që nuk do të ishte tragjike edhe nëse inicon mocion për besim për ta vendosur në testim shumicën e tij, nëse jo rrezikon përsëri të del politikan joserioz përpara elektoratit të tij. Në këto rrethana, vlen thënie popullore: “çka ta ban goja, s’ta ban kërrkush!”. Ai po e lë shtetin në rrethana krejtësisht tjera qysh prej kohës kur e morri pushtetin, por përsëri po e lë shtetin në një kohë pa kohë. Veprimi i tij politik nëse materializohet me dorëheqjen e tij, do të hap etapë të re politike në shtet, që do të karakterizohet me veprime të ndryshme politike pa përjashtim. Përndryshe, do të përsëritet situata të cilën e kam paralajmëruar vite me herët, se nëse VMRO-DPMNE si fituesja e radhës e zgjedhjeve parlamentare, njëmend do të dëshiron të bëjë koalicion për qeveri të re pas zgjedhjeve të reja, duhet ka të qartë se pa BDI s’ka qeveri, ajo me gjasë përsëri do të kushtëzohet me “kryeministrin shqiptar” apo “presidentin shqiptar” apo “kryeparlamentar shqiptar” dhe bashkë kjo me opozitën për respektimin e marrëveshjeve të arritura në të kaluarën dhe atëherë përsëri do të vendosemi përpara një situate shumë interesante: ose partitë shqiptare duhet të dorëhiqen nga Marrëveshja e Prespës (që kategorikisht nuk dorëhiqen!) ose VMRO-DPMNE ta pranojë Marrëveshjen e Prespës, të cilën kjo parti moti e kundërshton. Opcion të tretë s’ka!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button