Arratisen 5 të burgosur shqiptarë në burgun grek, shkëmbim zjarri

Një trazirë, që duket se është planifikuar mirë ka ndodhur në burgun e Trikalas, në Greqi, ku dy oficerë police janë plagosur me armë, dhe dyshohet se 5 të burgosur shqiptarë janë arratisur nga burgu. 

Gjithçka ka nisur në orët e mbrëmjes, ku dy furgonë i janë afruar burgut dhe kanë nisur të qëllojnë me armë zjarri ndaj punonjësve të policisë, që ndodheshin në ambientet e burgut. Personat të armatosur kanë nisur të qëllojnë nga jashtë, ndërkohë që të shtëna armësh u dëgjuan edhe nga brenda ambienteve të burgut. Të shtënat e armëve ishin nga anët ku ndodhen të burgosurit shqiptarë, të cilët kanë prerë me sharrë hekurat e qelisë dhe kanë dalë në tarracë duke qëlluar me armë. Nuk dihet ende sesi janë futur armët në mjediset e burgut, por dyshohet se kallashnikovët mund të jenë futur në burg, ditën e tentativës për arratisje të të dënuarit Panajotis Vlastos, në fund të marsit. 

Policia aktualisht po punon për kapjen e grupit të të arratisurve, që dyshohet se janë më shumë se 5 veta. Një i burgosur me shtetësi argjentinase u kap gjatë tentativës për ikje, dhe po merret në pyetje nga policia. Ndërkohë që dy oficerët, njëri prej të cilëve rëndë, janë shtruar në spital për të marrë mjekimet e duhura. Së fundmi tentativat e të burgosurve shqiptarë kanë tronditur opinionin. Përmendim rastin e një jave më parë, ku Alket Rizai tentoi ikjen duke marrë peng 6 persona, që i lëshoi pas 22 orësh. Rizai kërcënoni se nëse nuk lejohej të dilte nga qelitë do të hidhte në erë burgun.

Lajme të ngjashme

Back to top button