Çudirat e kalkulimeve politike në demokracinë tonë !

Një profesori imë i famshëm i të drejtës kushtetuese zvicerane, shpesh n’a thoshte « ndodhë që në demokraci, më tepër të ketë të drejt një person se sa mijëra të tjerë dhe anasjelltas».

Një dukuri kjo e pranishme sipas një rregulle logjike të respektimit të parimeve dhe të funksionimit të një demokracie të mirëfilltë, të një demokracie të ç’veshur nga presionet dhe nga dallaveret e tepërta të protagonistëve politikë.

Kurse në mjediset tona, ndodhin nganjëherë ca gjëra të diktuara nga disa parime të kundërta, nga disa marifete të llojit të vetë; shpalosen shpesh tendenca kur një person apo një parti synojnë të kenë më tepër të drejt se sa të tjerët, pa mos shprehur domosdoshmërish interesimin ndaj të drejtës së tjetrit, duke anashkaluar vlerat e demokracisë, duke ç’vlerësuar ekzistencën e tjetrit!

Kjo ndodhë pikërisht në kuadër të disa zhvillimeve aktuale në horizontet e fushatës zgjedhore në Maqedoni të Veriut. Aty vërehet gati se një egërsim i paparë, vetëm për me arritur në njëfarë objektivi final, në marrjen e një pozite, në fitimin e një posti!

Kështu kuptohen së paku diskurset dhe veprimet e disa akterëve të këtyre proceseve të çudirave! Janë të shumta ato diskurse të cilat janë të dominuara nga ambiciet që e mbajnë ngjyrën e nevojës për pushtet dhe vetëm për pushtet!

Sa shpejt u shfaqën kalkulime dhe formula për me e siguruar ekzistencën dhe njëfarë pozite dominuese në politike! Të gjitha mjetet dhe strategjitë e zgjedhura për me arritur qëllimet e synuara duket se u lejuan në mënyrë të pamëshirshme!

Sa shpejt u kalua nga një program në një program tjetër politik, prej një premtimi në tjetër! Sa ndryshime vizionesh, sa kombinime pazaresh, brenda një kohe të shkurtër.

U bënë shumë më tepër llogari që mundësojnë me fituar si parti, se sa llogari që mundësojnë me avancuar si shoqëri!

Papritmas, u bënë “vëllezër” edhe ata që deri dje e mërzisnin aq shumë njëri tjetrin. E gjithë kjo, në emër të kalkulimeve politike dhe partiake të ditës!

Po të kishte ndodhë i gjithë ky entuziazëm dhe të ishte përdorur e gjithë kjo energji në disa fusha të tjera veprimi, nuk besohet se do të ballafaqoheshim me këtë shkallë të problemeve në vendin ku jetojmë, as me këtë nivel të krizës dhe të papunësisë, dhe, po ashtu, nuk besohet se do të kishim gjithë atë dinamikë dhe dëshirë të popullatës për të ikur jashtë vendit.

Po pra, nuk besohet se do të ishim këtu ku jemi, në qoftë se do të punohej më tepër aty ku do të duhej normalisht!

Nën prizmën e një intensifikimi të një shprehje dhe diskursi politik, e cila duket se e ka tejkaluar logjikën e një norme të pranueshme, përse të mos këshillohet tani që qytetari të mbetet i lirë, të votoi për atë që ai dëshiron, pa presione, por pa mos u futur në grackat e atyre që kanë nevojë kryesisht për votën, për postin dhe statusin e tyre të “privilegjuar”.

Fatmirësisht, kemi edhe prej tyre që punojnë në mënyrë të ndershme, me përkushtim, kemi edhe prej tyre që kanë nevojë gjithashtu për votën, por që e meritojnë shumë më tepër atë se sa këto të tjerët të çudirave të kalkulimeve politike në demokracinë tonë !

Neuchâtel (Zvicër), 30 tetor 2021

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button