Arsovska dhe Shilegovi në kandarin e shqiptarit!
Ёshtë bërë praktikë, që pjesë e konsiderushme votuesish, përcaktim për kandidaturën e kryetarit të vetëqeverisjes lokale, e ka nga ndikimi dhe qëndrimi që merr partia për kandidat të caktuar sipas interesave të koalicionit parazgjedhor apo kalkulimeve politike paszgjedhore. Disa praktika të partive, në zgjedhjet lokale udhëhiqen nga interesi për të forcuar votën politike dhe synimin që sa më shpejt të arrijnë në pushtet, në këtë mënyrë edhe i bëjnë koalicionimet, pavarësisht se kandidatë të caktuar të koalicionit, mund të jenë më të dobët se kundërkandidati, më të padobishëm, ose edhe të dëmshëm në administrimin e një vendbanimi.
Në skenën tonë politike, drejtuesit partiak dijnë të shkelin mbi këto interesa konkrete të popullatës në raport me zgjedhjet lokale. Anashkalohet dhe ngatërohet qëllimshëm se për çfarë shërbejnë në të vërtëtë këto zgjedhje, krahasuar me ato parlamentare. Gjithmonë hasim anashkalim dhe ngatërim për ambiciet politike të partive, llogarive të koalicionit, ashtu si përcepton rrethi i ngushtë i drejtuesve të saj. Kalkulime të këtilla në thelb devijojnë vullnetin e vërtetë të një pjese dërrmuese votuesish, të cilët në gjykimin e tyre autonom kanë një bindje tjetër nga udhëheqësia partiake për kandidaturën e të parit të qytetit, sepse ata faktikisht janë kryesorët që përballen dhe mbartin pasojat e administrimit në një vendbanimi konkret, qoftë ky administrim i mirë apo i keq. Por të diktuara nga këta të fundit, drejtuesit politik, shpeshherë ju devijohet përcaktimi i sinqertë zgjedhor.
Devijim i vullnetit zgjedhor është shumë i dëmshëm veçanërisht në garën për qytetin e Shkupit, e rëndësisë si asnjë qytet tjetër në vend, për arsye të organizimit të veçantë që ka dhe impakti i drejtpërdrejtë në komunat përbërëse. Njëkohësisht rëndësinë që ka Shkupi në rolin e epërsive apo mbisundimeve me prapavija etnike. Në komunat e udhëhequra nga shqiptarë, në rrethanat ku gjendemi, është jetik bashkëpunimi dhe të pasurit një kryetar Shkupi i cili nuk është peng i forcave nacionaliste ekstreme, një kryetar të pa diktuar e ndikuar nga praktika të kaluara diskriminuese kundrejt komunave me shumicë shqiptare.
Shkupi është qendra e përplasjeve kulturore, politike e religjioze mes dy etniteteve më të mëdha në vend, e si pasojë e kësaj përplasje vjen në shprehje fuqia e pushtetit që pasohet në realizimin e objektivate nacionale dhe të mirëqenies qytetare shqiptare. Ёshtë fakt i pamohueshëm se përveç Petre Shilegovit, i cili erdhi në krye të qytetit te Shkupit, me një frymë dorëlëshuar dhe bashkëpunuese me shqiptarët, në projekte dhe bashkëpunimet me kryetarët e komunave shqiptare në Shkup, gjithë kryetarët e tjerë, kanë qenë diskriminues serik.
Në anën tjetër kemi kundër kandidatin e Shilegovit, e paraqitur si kandidate e pavarur, Danela Arsovska. Por a është ajo vërtetë e pavaruar, dhe a do të kishte mundësi të marrë këtë rezultat votash të raundit të parë zgjedhor pa një bashkëpunim të koordinuar me VMRO-në e Kristian Mickovskit (i cili faktikisht rrjedh në kryesinë e VMRO-së nga pëlqimi i vetë Nikolla Gruevskit), në atmosferën tonë politike, asesi që jo, nuk do të kishte këtë rezultat. Po të ishte Arsovska vërtëtë e pavaruar, pa një mbështetje të partisë më të madhe opozitare, ajo mund të kishte arritur në maksimumin e saj 15 – 20 mijë vota, ndoshta më pak se kandidati i Levicës. Ajo çka Arsovskën e bën peng të VMRO-së është pikërisht ky koordinim parazgjedhor, si një kurth për të marrë edhe vota nga elektorati shqiptar dhe disa të papërcaktuar që asesi nuk do tja jepnin votën një kandidati të VMRO-së, pikërisht për shkak të praktikës dikriminuese dhe selektive që ka mbajtur kjo parti dhe kryetarët e saj të Shkupit, ndaj shqiptarëve.
Arsovska nëse arrin detyrën e të pares së Shkupit, e arrin nga VMRO-ja, dhe nëse do të qëndrojë edhe pas katër viteve, përsëri do të duhet VMRO-ja, dhe si e tillë pengmarja aktuale dhe të së ardhmes së saj është thuajse e paevitueshme. Fjala peng ka domethënien e një “sendi apo njeriu që lihet në duart e një tjetri për të siguruar zbatimin e një marrëveshjeje; të një traktati etj.; rob që zihet e mbahet nga armiku për ta përdorur si mjet shkëmbimi me dikë tjetër, për të kërkuar lëshime a shpërblime nga kundërshtari etj. Ndryshe, kuptohet si diçka me vlerë të madhe, që huamarrësi ia lë huadhënësit disa kohë për ta siguruar për kthimin e borxhit. Borxh me peng, borxh që mund të merret duke lënë peng diçka. “
Me pengun e Arsovskës, VMRO-ja realizon planin në marrjen e qytetit të Shkupit, një borxh që Arsovska duhet dhe detyrohet t’ja kthejë VMRO-së, dhe ndoshta jo vetëm VMRO-së, por edhe tërthorazi Levicës shoviniste, në marrëveshje të mundshme për mbështjetje në raundin e dytë, pazare me poste drejtorish dhe favorizime të kuptueshme. Fundja, Arsovska nuk ka shprehur asnjëherë kundërshti për politikat e VMRO-së, përkundrazi me partinë e Mickovskit e lidh më shumë kundërshtari i përbashkët. Me këtë logjike Arsovska bëhet peng edhe i opozitës shqiptare e cila e ka mbështetur në raundin e parë dhe e mbështet në raundin e dytë, por bëhet një peng shumë i vogël, aq sa fuqia e opozitës në kontributin për ta bërë dhe mbajtur atë kryetare. Padyshim kontributin kryesor dhe vendimtar e ka VMRO-ja, e logjikshëm Arsovska do ti përgjigjet vullnetit dhe borxhit, marrëveshjes me Mickovskin, duke i minimimuzar dhe asgjësuar vullnetet e tjera periferike në administrimin e Shkupit.
Në kandarin e shqiptarit, padiskutim Shilegovi është shumë më i rëndë, i vlefshëm dhe dobishëm për të ardhmen e komunave me shumicë shqiptare në Shkup. Punët, projektet e realizuara dhe të paralajmëruara për tu realizuar në shërbim të këtyre vendbanimeve, veçanerisht impakti në Komunën e urbanizuar të Çairit, është një fakt të cilin e pohojnë padyshim shqiptarët në Shkup, padallim ngjyrave partiake. Nëse flasim personalisht e sinqerisht me secilin, në privatësinë e tyre do të thonë me plotë bindje që Shilegovi ka kontribuar me shumë se të gjithë kryetarët e mëparshëm në pjesën shqiptare. Andaj është e pakuptime dhe e padobishme që për hir të kalkulimeve politike të caktuara (të cilët mund të jenë edhe të gabuara) të shkatërrohet mundësia për zhvillimin dhe administrimin më të shpejtë dhe të duhur të vendbanimeve dominuese shqiptare, nëse tani kemi kandidat që është i pravuar si i dobishëm, kundrejt asaj që duket qartë në kampin e Arvoskës.
Të gjykohet kokëftohtë, pa tifozllëk politik, shqiptari në këto zgjedhje lokale voton për Shilegovin si kryetar i Shkupit. Мë pastaj, koalicionimet dhe strategjitë politike të pozitës dhe opozitës shqiptare, ambicjet dhe e synimet për të arritur pushtetin, edhe mund të mbeten, por jo në dëm të drejtëpërdrejt të qytetarëve siç janë zgjedhje lokale. Fundja, koalicionimet, pjesmarja në qeverisje të ardhshme të vendit, e dikton forca e sovranit shqiptar dhe jo vullneti paraprak i koalicionimeve. Mos harojmë që koalicinimi me këtë forcë politike që sot përdor Arsovskën, e që nesër do ta ketë peng nëse ajo zgjidhet, BDI-së në zgjedhjet parlamentare të viti 2016 i kushtoi jo më pak se 9 deputetë, duke e detyruar këtë të fundit të mos bashkëqeverisë më të, edhe pse VMRO-ja kishte dy deputetë më shumë se LSDM-ja. Edhe opozita shqiptare, nëse shohim rezultatin e raundit të parë zgjedhor, me shumë ka humbur sesa ka fituar me bashkpunimin me VMRO-në.
Andaj, votuesi i vullnetit të padevijuar, kërkon zgjidhje të problematikave lokale, kandidatin më të mirë që i zgjidh ato. E nësë këtij vullneti votuesish ju imponohet zgjedhja politike, cënohet mundësia e pasojave pozitive. Në këtë rast konkret, votuesi shqiptar kërkohet të dalë mbi orientimet e partisë, dhe të gjykojë drejt. Shqiptarët gjithashtu ti tregojnë mirënjohje Shilegovit për kontributin dhe bashkëpunimin e tij me komunat shqiptare, dhe njëkohësisht tju bëjnë me dije atyre që fshihen pas Arsovskës, atyre që nga bëmat e së kaluarës, skanë fytyrë të garojnë drejtpërdrejt dhe të kërkojnë votën shqiptare për Shkupin, tju bëhet e qartë se pa një qasje të drejtë dhe të sinqertë me interesat shqiptare, nuk mund të ketë të ardhme të tyre.
A do ta fitojë apo jo Shilegovi mandatin e dytë me mbështetjen e shqiptarëve, është tjetër gjë, e rëndësishme është ndërgjegja e pastër që secili shqiptar duhet të llogarisë në votën për këtë garë. Në këtë kuptim reflektimi bëhet mbipartiak, patriotik. Patriot jo i valëvitjes së flamujve të propagandës politike, por të punëve të realizueshme dhe krahasur me praktikat e kaluara. Opozita shqiptare nuk humb nëse fiton Shilegovi, përkundrazi nëse fiton ndonjë udheheqje komunash në Shkup, do të këtë një bashkëpunim të sigurtë dhe të drejtë me Shilegovin, kundrejt pengut të VMRO-së, Arsovskës.
Në pushtetin politik nuk të sjellin koalicionimet e as pazaret e ndryshme, por edhe nëse futesh në pushtet pa shumicë, pushtetin e ke të shkurtë. Realisht, ngritja edhe forcimi i opozitës shqiptare, aq sa ështe bërë, nuk është bërë nga drejtori dhe grimca pushteti, por nga ato qëndrime të drejta që ka mbajtur. Pushteti politik vjen nga sovrani dhe jo nga koalicionimet.
Në këtë garë për të parin Shkupit, kandari jonë i sinqertë peshon nga Shilegovi, le të mos e devijojmë këtë vullnet.