Betejë e ashpër për vota në bllokun politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut

BDI-ja është pjesë e një qeverie që pjesërisht për shkak të pandemisë dhe pjesërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik për reformimin e sistemit dhe çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka krijuar pakënaqësi te qytetarët. Pakënaqësia në kuptimin politik për këto zgjedhje i “faturohet” Zaevit dhe socialdemokratëve.

Shkruan: Sefer Tahiri

Sefer Tahiri

Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor tregojnë se shqiptarët në vend janë të kënaqur me pushtetin lokal të udhëhequr nga BDI-ja.

BDI-ja ndihet si fituese në mesin e shqiptarëve

Pa mbajtur raundin e dytë të zgjedhjeve, fitorja e BDI-së është vetëm në nivel votash, por jo në nivel cilësor, pra në numrin e kryetarëve të zgjedhur. BDI-ja, sipas rezultateve përfundimtare të KSHZ-së në raundin e parë fitoi në Saraj, Likovë dhe Pllasnicë. Në raundin e dytë hyn me avantazh në Tetovë, Çair, Strugë, Bogovinë, Tearcë, Zhelinë, Haraçinë, Dollnen, kurse në Çashkë dhe Kërçovë hyn në balotazh e pozicionuar si e dyta.

Ky rezultat i BDI-së në komuna të caktuara është marrë me mbështetjen e disa votave të anëtarëve dhe simpatizantëve të LSDM-së, me të cilët partia e Ahmetit ishte në koalicion parazgjedhor. Pavarësisht nga kjo mbështetje, ky rezultat është mbi pritshmëritë e vetë BDI-së, e cila në fakt në këto zgjedhje për herë të parë provoi formulën e “agjendës së gjelbër”, kurse më parë kishte një agjendë thjesht etnike, si parti e dalë nga konflikti i vitit 2001, e cila më pas mbrojti rreptësisht respektimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Zëvendëskryeministri i parë i BDI-së, Artan Grubi e konsideron fitoren e BDI-së spektakolare. “Fitorja e BDI-së mund të krahasohet me atë të vitit 2014, kur në zgjedhjet parlamentare fitoi 153 mijë vota. Të gjitha partitë e tjera shqiptare së bashku kanë 2/3 e mbështetjes së BDI-së në këto zgjedhje”, tha Grubi.

BDI-ja ka një histori të gjatë në skenën politike dhe duke qenë se elektorati në vend është i orientuar drejt klientelizmit, disa nga votat e kësaj partie janë marrë pikërisht për shkak të raporteve klienteliste të disa votuesve.

BDI-ja së bashku me LSDM-në merr pjesë në një qeveri, e cila pjesërisht për shkak të pandemisë, pjesërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik për reformimin e sistemit dhe zhdukjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar ka krijuar pakënaqësi te qytetarët. Pakënaqësia në kuptimin politik për këto zgjedhje i “faturohet” Zaevit dhe socialdemokratëve. Krahasuar me rezultatet e partnerit qeveritar LSDM-së, BDI-ja, e cila fitoi 105 mijë vota, ndjen dhe manifeston triumfalizëm tek elektorati shqiptar, edhe pse në zgjedhje kandidoi në koalicion ndëretnik-partiak.

Në raundin e dytë BDI-ja do të përballet me partnerin qeveritar Lëvizjen BESA dhe koalicionin mes Aleancës së Shqiptarëve dhe Alternativës. Në Haraçinë me LSDM-në, dhe në Kërçovë me VMRO-DPMNE-në. Në Tetovë, kandidatja e BDI-së, Teuta Arifi do të përballet me liderin e BESA-s, Bilall Kasami. Në Zhelinë, ish-prefekti i BDI-së, Fatmir Izairi do të përballet me kryetarin aktual Blerim Sejdiu. Kurse në komunat e tjera do të përballet me kandidatët e Aleancës dhe Alternativës. Në shumicën e komunave, kandidatët e BDI-së hyjnë si fitues me numrin më të madh të votave.

Opozita me më pak vota se në zgjedhjet e kaluara

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kandidoi në këto zgjedhje si koalicion por edhe në bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në dhe rezultati prej rreth 62 mijë votash është zhgënjyes në radhë të parë për anëtarësinë aktive. Përkundër pakënaqësisë së madhe të shprehur në mënyra të ndryshme ndaj kryetarëve të BDI-së, opozita shqiptare nuk arriti ta kapitalizojë dhe ta kthejë atë në një zë kundër pushtetit lokal të integruesve të Ahmetit.

Partitë e Zijadin Selës dhe Afrim Gashit do të tentojnë të amortizojnë rezultatin negativ të raundit të parë të zgjedhjeve në raundin e dytë duke fituar mandate për kryetar komune në Gostivar, Dibër dhe Vrapçisht, ku hyjnë si favorit. Kurse në Çair, Bogovinë dhe Tearcë, ky koalicion është prapa BDI-së.

Përpjekja e dytë është përmes bashkëpunimit me Lëvizjen BESA për të përkrahur kandidatin Bilall Kasami në Tetovë dhe si kompensim të marrin mbështetjen e tyre në komunat ku konkurrojnë me BDI-në. Një nga partnerët e koalicionit, partia Alternativa, e cila doli nga BESA për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin kreu i partisë, ishte kategorikisht kundër këtij bashkëpunimi. Por Alternativa njoftoi se nuk ka komunikim me BESËN, por çdo anëtar është i lirë të mbështesë kë të dojë në raundin e dytë, duke mos përjashtuar edhe Kasamin.

Fitorja në dy qytete, por edhe në komunën rurale të Vrapçishtit dhe/ose mundësisht në një tjetër nga tri komunat, do t’ia zbardhë fytyrën Selës dhe Gashit. Nëse ndodh e kundërta, ata do të përballen me përgjegjësi politike para anëtarësisë së partisë. Kjo mund të ndodhë sidomos nëse kandidati i koalicionit Idri Istrefi humbet në Strugë prej nga vjen Sela dhe nëse të njëjtin fat e ka edhe kandidati i koalicionit Bekim Sali në komunën e Çairit, të cilin partia e Gashit e konsideron bastion.

BESA befasoi me Kasamin në Tetovë

Lëvizja BESA në këto zgjedhje befasoi me Bilall Kasamin, i cili hyri në raundin e dytë të zgjedhjeve, njësoj si në zgjedhjet e kaluara lokale në vitin 2017, kur humbi në raundin e dytë pikërisht nga Teuta Arifi. Ky rezultat mund t’i atribuohet faktit se Kasami është lider i një partie në pushtet, e cila tërë potencialin e saj politik e kishte përqendruar në këtë qytet.

Faktori i dytë është kandidatura tepër e dobët dhe anonime e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Afaristi Vullnet Murseli në këtë qytet ishte promovuar në publik vetëm tri javë para zgjedhjeve dhe rezultati i tij i ka tejkaluar edhe parashikimet më pesimiste sa i përket rezultatit të këtij koalicioni.

Kasami hyn në raundin e dytë si kandidat i opozitës, i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe kjo i jep atij një favorizim elektoral, edhe pse partia e tij është në koalicion qeverisës. Fitorja eventuale e Kasamit në Tetovë, si qendër politike e shqiptarëve, do ta forcojë partinë e tij në skenën politike në vend.

Në komunat ku jetojnë shqiptarët, pjesëmarrja në zgjedhje është më e vogël se totali prej 50%, çka tregon se disa prej tyre kanë apati politike dhe mungesë vullneti për pjesëmarrje politiko-demokratike. Në këtë sigurisht ka kontribuar edhe qeverisja e dobët e pushtetit lokal në komunat ku ka një përqendrim të elektoratit etnik shqiptar.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, në bllokun politik shqiptar do të shohim një betejë interesante për vota, dhe në këtë rast secila votë do të jetë e rëndësishme. BDI-ja, nëse e konfirmon rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve, do të thërritet në legjitimitetin politik të shqiptarëve në vendin tonë, si një kapital politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare (të rregullta apo të parakohshme). Nga ana tjetër, dështimi eventual i BESËS në zgjedhjet në Tetovë do të çojë që kjo parti të rishqyrtojë pjesëmarrjen e saj në qeverinë e Kryeministrit Zoran Zaev. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaroi se sa i përket zgjedhjeve në Tetovë, do të vendosin në mënyrë të pavarur vetë mbështetësit e LSDM-së.

Dalja e partisë BESA nga qeveria do të çojë drejt formimit të një shumice të re parlamentare nga ana e VMRO-DPMNE-së, me Hristijan Mickoskin në detyrën e kryeministrit. Pavarësisht rezultatit të tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve, me shumë gjasë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do t’i jepnin mbështetje të pa rezervë kësaj shumice.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button