Dehari: Zotri Kryeministër, mërgimtarët janë pjesë e pandashme e Kërçovës

BDI të enjten qëndroi në Kërçovë, ku para votuesve prezantoi kandidatin e tyre për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari dhe listën e propozuar të këshilltarëve për këtë komunë.
 
 “Ju keni dëshmitarë që para disa ditësh, këtu na prezantoi kryeministri i vendit. Derisa ne pritëm nga ai që të na flasë për të ardhmen e qytetit dhe për projekte që do të rrisin zhvillimin ekonomik lokal, nuk ndodhi ashtu. Ai gjatë gjithë kohës ju përkushtua Fatmir Deharit dhe shokut tim të dashur, Izet Mexhitit. Por do të më lejoni që unë t’i drejtohem jo me atë edukatë që u drejtua ai por me edukatën tonë familjare. Ne, zotëri kryeministër, e kuptojmë irritimin tuaj politik kundër meje dhe zotrit Mexhiti, por nuk e kuptojmë irritimin tuaj kundër bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit. Ju si duket harroni se me ardhjen e tyre një herë në vit, dhjetëfishohet buxheti i shtetit. Mos harroni se ata janë pjesë e pandashme këtij qyteti. Ata janë familjet tona”tha Dehari në fjalimin e tij duke u referuar në retorikën e liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevski.

Në fjalën e rastit që ju dha kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhitit, ai tha se shqiptaret gjithë së bashku duhet ti thonë Gruevskit se në Kosovë dhe në Shqipëri shkojnë e vijnë për bashkëpunim por se nuk shkojnë të jetojnë atje.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se Kërçova është e të gjithëve, ndërsa mediet maqedonase përpiqen të përhapin një dozë frike te maqedonasit për njerëzit e elitës drejtuese të BDI-së. 

 “I shoh nëpër portale të ndryshme me uniforma Fatmir Deharin, Talat Xhaferin, e kohët e fundit e kanë filluar të shkruajnë edhe për mua. Nuk është e fshehtë, nuk është asnjë sekret, ne para 12 vitesh kemi qenë ata të cilët po na shohin sot nëpër portale. Ne para 12 vitesh nuk kemi qenë sharrëxhinj që të na shohin me sharrë në krahë, por me mjetet që atëherë kanë qenë të domosdoshme. Kohët kanë ndryshuar, u arrit Marrëveshja e Ohrit, ajo është marrëveshje ndërkombëtare që rregullon raportet e brendshme mes komuniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve. Këtë marrëveshje e garantojnë SHBA, BE dhe NATO. Ne kemi bërë demobolizim, ne kemi nënshkruar marrëveshje dhe ne e respektojmë atë marrëveshje, prandaj mos të frikësohen qytetarët me ato portale, me ato paraqitje që ne i kemi pasur para 12 vitesh, sepse nuk i bëjnë mirë vetes, por ama edhe neve”, tha lideri i BDI-së Ahmeti. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button