Padrejtësia nuk ekziston, është mungesë e drejtësisë!

Në një shkollë fillore në Gjermani, një profesor i fizikës gjatë ligjëratave të tij vuri në dukje disa nga mendimet e tij induktive. Duke mos u pajtuar me të, një nxënës kërkoi të drejtën të pyeste profesorin, i cili i dha leje.

Nxënësi: Profesor, a ekziston i ftohti?

Profesori: çfarë pyetje është kjo? Sigurisht që ekziston! Nuk e keni ndjerë kurrë të ftohtin?!

Nxënësi: jo profesor, në fakt i ftohti nuk ekziston! Sipas ligjeve të fizikës, ajo që ne e quajmë të ftohtë në fakt është mungesë e ngrohtësisë. I ftohti është vetëm një term i përdorur nga ne për të përshkruar se si ndihemi kur nuk ka ngrohtësi.

Nxënësi: Profesor, a ekziston errësira?

Profesori: Po ekziston!

Nxënësi: Jo profesor. As errësira nuk ekziston! Në fakt është mungesë e dritës. Ne mund të matim dritën, por jo edhe errësirën. Errësira është vetëm një term i përdorur nga ne për të përshkruar gjendjen kur nuk ka dritë.

Nxënësi ishte Albert Einstein.

Në një vend ku pothuajse çdo raport ndërkombëtar vlerëson negativisht sundimin e ligjit, ku njerëzit largohen masivisht për shkak të besimit të humbur te institucionet dhe mungesës së drejtësisë, mendimi kritik është detyrë e çdo intelektuali me integritet.

Mendimi kritik si sfidim intelektual dhe proces i analizimit, sintetizimit dhe vlerësimit të informacionit të mbledhur përmes vëzhgimit, përvojës, provave, fakteve, të menduarit dhe arsyetimit, ndër të tjera, është i rëndësishëm për autonominë dhe lirinë e mendimit, për demokracinë, përparimin dhe prosperitetin, për filozofinë, për shkencën, për drejtësinë.

Pa të menduarit kritik, as krimi dhe as abuzimi nuk mund të zbulohet. As puna e të tjerëve nuk mund të vlerësohet. As zbulime të reja nuk mund të bëhen. Mendimi kritik është një nga vlerat thelbësore të një shoqërie demokratike.

Imagjinoni, sikur të mos kishte mendim kritik, Windows 11 do të kishte mbetur Windows 1.

Nisur nga sa më sipër, për mua si jurist, lind pyetja retorike dhe debati në distancë me kolegët e mi në fushën e drejtësisë: A ekziston padrejtësia?

Jo nuk ekziston! Është mungesë e drejtësisë. Padrejtësia është vetëm një term i përdorur nga ne për të përshkruar situatën kur nuk ka drejtësi.

Imagjinoni, sikur të mos ishte mendimi kritik juridik, nuk do ta kishim Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si një nga arritjet më të mëdha të qytetërimit evropian në veçanti dhe qytetërimit botëror në përgjithësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button