Filloi vala e ardhjes së mërgimtarëve për zgjedhjet në Kërçovë dhe në Strugë

Duke filluar nga dita e djeshme mërgimtarët shqiptarë të rrethit të Kërçovës dhe të Strugës, kanë filluar të vijnë në Maqedoni për rrethin e parë të votimeve në zgjedhjet lokale.    

Mundësia që për herë të parë kryetari i komunës së Kërçovës të jetë shqiptarë, i ka mobilizuar mërgimtarët që të vijnë dhe të votojnë për kandidatin e BDI-së, Fatmir Dehari, të cilin e përkrahin të gjitha partitë shqiptare. 

Siç njofton agjencia Zhurnal, aeroplani me grupin e parë prej 100 mërgimtarëve ka ateruar në aeroportin e Prishtinës. Interesi i tyre për të votuar, thonë vjen pas retorikës së ashpër të liderit të VMRO-s, Nikolla Gruevski. Ata thonë se kanë shumë motiv të votojnë për të fituar kandidati shqiptar në garën për Kërcovën. Në këtë qytet ka vetëm dy kandidatë, Fatmir Dehari i BDI-së dhe Bllagoja Despotovski i VRMO-së dhe LSDM-së.

Shumica e mërgimtarëve do të vijnë një ditë para zgjedhjeve, ose në ditën e zgjedhjeve. 

Në aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit ka ndryshime të orareve të aeroplanëve që do të aterojnë nga qendrat e Evropës dhe të SHBA-ve. 

Numri më i madh që do të vijnë janë nga Zvicra, por ka edhe nga Gjermania dhe shtete të tjera. 

Të mërklurën, të enjten dhe të premten do të zbresë nga një aeroplan i paraparë në linjën e rregullt nga Bazeli dhe Cyrihu, kurse të shtunën në aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit do të aterojnë edhe 6 aeroplanë çarterë. 

E njëjtë është situata edhe më 24 mars, në ditën e votimeve, kur nga Cyrihu në Shkup do të vijnë dy aeroplanë të rregullt dhe 6 të tjerë në Ohër. 

Përveç këtyre aeroplanëve, do të ketë edhe fluturime në aeroportin e Prishtinës, ndërsa shumë prej udhëtarëve do të vijnë edhe me linjat e autobusit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button