Krejt mbrapsht…

Po e nis këtë shkrim me titullin e një kënge goxha të famshme shqiptare mbasi kujtoj që më së miri na e paraqet realitetin e hidhur në këtë vend ku bashkohen të gjitha absurdet e mundshme në një dhe krijojnë një mega-huti nga e cila nuk dilet dhe aq lehtë…

Do ndalem kësaj radhe për të folur pak për sistemin e arsimit në vendin tonë dhe “reformat” që po ndërmerren vazhdimisht për ta sjellë të njëjtin në një stad të barabartë me atë të arsimit në Zvicër, Gjermani, Itali apo gjetiu…ndoshta edhe në Afrikë.

E fillojmë me radhë:

Libra falas për nxënësit e shkollave fillore:
Viteve të fundit u prezantua një praktikë e re e dhurimit të librave falas nxënësve të shkollave fillore me arsyetimin se gjoja kjo do t’u ndihmonte prindërve të kursejnë goxha në furnizimin e fëmijëve të tyre me materiale shkollore, mbasi blerja  e librave të ri (jo të paktë në numër) ishte vërtet një barrë e rëndë për prindërit në fillimin e çdo viti shkollor, aq më tepër nëse bëhej fjalë për më shumë fëmijë apo për familje financiarisht të rrezikuara. Krejt është në rregull deri këtu. Mirëpo, rrëfimi nuk mbaron me kaq. Po të merrni e t’i shihni më për së afërmi ata libra që fëmijët tanë i “trashëgojnë” nga paraardhësit e tyre, do të mendoni se të njëjtët janë nxjerrë prej ndonjë arkivi letrash mesjetare a ndoshta edhe antike. Libra të shkatërruar deri në fund që në vetvete përbën një problem tjetër socio-kulturor – pakujdesia dhe arroganca që ne shfaqim ndaj sendit më të vlefshëm në botë – librit!
Me një grumbull librash të tillë, të cilëve nuk u dihet se ku u fillojnë dhe ku u mbarojnë faqet, vështirë se do të mundeni të motivoni një nxënës të nisë me dëshirë dhe entuziazëm vitin e ri shkollor. Në anën tjetër harrojmë se brenda një muaji dikush harxhon para të majme duke luajtur bixhoz a duke thithur duhan mëngjes e mbrëmje – para me të cilat mund të sigurohen të gjithë librat (të ri) për një vit të tërë.

Kompjuterizimi i shkollave dhe “arsimimi” i mësuesve në lëmin e teknologjisë informatike:
Nuk ka dyshim që teknologjia informatike është bërë pjesë e pandashme e jetës moderne kudo në botë, dhe mosnjohja e, të paktën, elementëve bazë të kësaj fushe vërtet është e patolerueshme. Sidoqoftë, paraqitja e kësaj qasjeje dhe zbatimi i të njëjtës në jetën praktike të nxënësve dhe mësuesve kërkon plotësimin e disa kushteve paraprake. Ajo që me sa duket harrohet në tërë këtë situatë është gjendja, para së gjithash, fizike e shkollave tona, posaçërisht në viset rurale, ku nxënësit dhe arsimtarët po ballafaqohen me problemin e mungesës së kushteve elementare për punë, ndërsa flitet për modernizim dhe kompjuterizim të shkollave.
Pjesa dërrmuese e shkollave tona kanë mungesë pastërtie (duke mos dashur të ofendoj profesionin e shërbëtorit, ndofta nuk është në rregull edhe ta quaj të tillë) sepse mirëmbajtësit e shkollave tona me sa duket kanë punë shumë më të rëndësishme se sa ajo për të cilën paguhen; e dyta, shkollat tona (ashtu si dhe edhe pjesa tjetër e mbetur e vendbanimeve, qofshin ato urbane apo rurale, kanë problem me furnizimin me ujë të pijshëm dhe elektricitet, me lëndë djegëse për ngrohje gjatë dimrit, me infrastrukturë rrugore e cila të shpie deri në shkollë, ndërsa ne flasim për kompjuterizim, digjitalizim, shoqëri informatike e ku ta di se çfarë tjetër.
Shumica e shkollave tona janë ndërtuar në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore (disa edhe më herët) dhe që atëherë e sot as edhe një qindarkë nuk është investuar për të rregulluar tavanet, dyshemetë (që akoma i lyejnë me zift), dyert, dritaret, bankat, nevojtoret, zyrat, klasat, korridoret, oborret… ndërsa ne flasim për IT (Information Technology) term që edhe vetë nismëtarët e këtyre reformave nuk e kanë të njohur sa duhet…

Mësimi interaktiv:
Në vetvete një nocion shumë domethënës por po aq edhe i pakuptueshëm dhe i parealizueshëm në kushtet dhe rrethanat e sipërpërmendura. Sipas disa definicioneve, mësimi interaktiv nënkupton qasje pedagogjike e cila inkorporon rrjetet sociale dhe teknologjinë urbane (përdorim i teknologjisë në ambiente publike) në përgatitjen e lëndëve dhe ligjërimin e tyre. Duke u mbështetur në atë që u tha më lart, mundemi lirisht të konstatojmë se jemi shumë larg kësaj forme të re të mësimdhënies dhe mësimnxënies. 
Përfundimisht, dy ngjarje të tjera të cilat me sa duket ua vënë kapakun të gjitha këtyre anomalive dhe absurditeteve – testimi intern/ekstern (nuk e di pse s’bën ta quajmë të brendshëm e të jashtëm) dhe matura shtetërore.

Testimi intern/ekstern:
Këtë vit u shkaktua një avari totale nëpër shkolla sa i takon testimit të përmendur më lart. Thjeshtë nuk dihej kush kë e teston, cili është testimi i brendshëm e cili i jashtëm, për kë vlen njëri e për kë tjetri, në cilën lëndë kush testohet, a testohet nxënësi apo arsimtari, e kështu me radhë. Problem tjetër ishte cilësia e pyetjeve të testeve, posaçërisht në aspekt të përkthimit të të njëjtave në gjuhën shqipe (dëshmitë ekzistojnë në formë të dokumentuar – me foto). Nuk e di çfarë injoranti a idioti ka mundur të prodhojë një “masterpiece” të tillë. Dhe, në fund, sa për t’i vënë qershinë mbi tortë, doli që nxënësit e dobët të jenë të fortët dhe të fortët të jenë të dobëtit – logjikisht, kjo do të vlente edhe për arsimtarët!}

Për fund, matura shtetërore: 
Jo që ishte diçka e re këtë vit, por ajo që brengos është se është viti i satë me radhë që kjo metodë e testimit të nxënësve të shkollave të mesme po aplikohet dhe askush nuk po ndërmerr asgjë për të përmirësuar mbarëvajtjen e këtij procesi. Ajo që ndodh nëpër klasat ku realizohet ky testim (rezultatet e të cilit janë vendimtarë për regjistrimin e nxënësve në universitete) është vërtet një tmerr i paparë dhe një fenomen i sojit të vet: nxënësit rrinë të përgatitur (jo ashtu si do ta kishte paramenduar një njeri normal) me telefona celularë në duar, me Bluetooth dëgjuese në veshë, me internet aktiv në smartphone-ët e tyre, me Viber, Tango, dhe Whatsapp të instaluar duke i pritur përgjigjet e pyetjeve të testit të tyre të maturës (sa për informatë, për ata që kanë harruar, maturë do të thotë pjekuri – paramendoni tani se për çfarë pjekurie bëhet fjalë) nga dikush i jashtëm i cili i ulur nën hijen e ndonjë arre a peme tjetër pranë ndonjë kafehane, ka kyçur laptop-in e tij dhe me siklet i kërkon përgjigjet e pyetjeve të testit të pjekurisë në Internet-in e tij të famshëm. 

Kësaj i thonë të nderuar, Welcome to Macedonia!

Lajme të ngjashme

Back to top button