LSDM publikon video për skandalin me votuesit e sjellë nga Shqipëria

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar edhe një herë sot VMRO-DPMNE-në, se ka përfshirë në listën e votuesve rreth 360 maqedonas nga Shqipëria, me adresë në Komunën Qendër të Shkupit. 

Duke publikuar një video, ku mund të shihen dhe dëgjohen votuesit e ardhur nga Prespa e Vogël, LSDM ka zbardhur madje dhe adresat e apartamenteve ku janë vendosur ardhacakët me mision për të votuar opsionin e VMRO-DPMNE-së.

Sipas deputetit të LSDM-së, shumica e banesave që figurojnë në adresën e votuesve, kanë qenë pa njerëz dhe të boshatisura, ndërsa në të tjerat, ku sipas listës së votuesve banojnë votuesit e rinj, janë hasur njerëz të tjerë që në të vërtetë janë pronarët. 

Nga LSDM thonë se një numër i caktuar i apartamenteve janë në pronësi të Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Hapësirën Banesore. 

“Për shkak se për regjistrimin e këtyre votuesve kompetent është MPB, ekipi juridik i LSDM po përgatit kallëzimin penal ndaj ministres Gordana Jankullovska. Kërkojmë që ata të heqin dorë menjëherë nga ky manipulim zgjedhor që po tentojnë ta bëjnë. Zgjedhjet duhet të jenë fer dhe demokratike”, ka deklaruar Ivanovski.

Reagon VMRO: LSDM-ja përgatit skenare manipulimi

VMRO-DPMNE ka hedhur poshtë pretendimet e sotme të LSDM-së, duke kundërakuzuar se ajo është në përgatitje e sipër të skenarit për kontestimin e zgjedhjeve lokale.
 
Në reagimin e tyre kjo parti vlerëson se konferencat për shtyp si kjo e sotmja, flasin për “hutinë ku ndodhen, për shkak të informacioneve nga terreni se po humbasin mbështetjen”. 

“LSDM nuk po merret në këto zgjedhje as me programe, as me projekte, as me gjëra konkreteve që i interesojnë qytetarët. LSDM po merret në këto zgjedhjeve vetëm me gjetjen e alibisë për dështimin e sigurtë të saj”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 

“Ne nuk e kemi ndërmend të jemi pjesë e këtij skenari dhe themi publikisht se nuk kemi asnjë lidhje me pretendimet e sotme”, thuhet në reagim. 

Lajme të ngjashme

Back to top button