Pushteti rrezikon mbylljen e medieve të pavarura ?

Diplomatët perëndimorë shprehin dyshime të mëdha ndaj fushatës së shtrenjtë mediale të cilën po e zhvillojnë partitë në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI.

Dyshimet janë paraqitur për shkak të informacioneve se partitë nuk do të paguajnë fare nga xhirollogaritë e tyre (ose do të paguajnë çmime simbolike) për reklamat që i bëjnë në mediat proqeveritare.

“Ekzistojnë indikacione se shërbimin e kryer në fushatë, partitë në pushtet këtyre mediave do t’ua kompensojnë pas zgjedhjeve, me fushata të shtrenjta reklamuese që do të financohen nga xhepi i qytetarëve. Kjo nuk është në rregull sepse do të dëmtohen mediat e pavarura, të cilat edhe deri më tani janë përballë me bojkot nga fushatat reklamuese të Qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore ”, thotë për “Lajm”, një diplomat perëndimor duke shtuar se kjo është forma më e vrazhdët e korrupsionit në relacionin media- parti politike. Diplomatët poashtu shprehin brengosje se ministra, zëdhënës dhe shefa të kabineteve janë të kyçur në planet për mbyllje të mediave neutrale, pa përmendur emra konkret të tyre.

Ndërkaq burime brenda partisë shqiptare për këtë gazetë thonë se në disa raste ka pasur reagime të funksionarëve të lartë për shkak të politikës Gebelsiane që kjo parti po zhvillon ndaj mediave të pavarura, duke paralajmëruar se kjo politikë do të reflektohet edhe mbi imazhin e partisë.

Drejtues të mediave të pavarura thonë se asgjë nuk ka ndryshuar as sot e kësaj dite.

“Asnjëherë nuk ka qenë më vështirë se sot të jesh medium i pavarur dhe neutral. Tani është arritur kulmi”, thotë drejtori i portalit informativ “Almakos” Semi Mehmeti.

Me të njëjtin problem përballet edhe portali “Portalb”. Kryeredaktorja e këtij portali, Elida Zylbeari, thotë se në të kaluarën kanë pranuar oferta të leverdishme vetëm e vetëm të mos kritikojnë funksionarë ose institucione të caktuara, por ato i kanë refuzuar.

“Që nga hapja e Portalb nuk kemi favorizuar asnjë parti politike, udhëhiqemi nga misioni primar i gazetarisë duke raportuar në mënyrë të balancuar. Kjo mbase është arsyeja pse asnjë parti politike për fushatën zgjedhore aktuale nuk ka vendosur të reklamohet te ne, mendoj se e kanë të qartë se nuk do të bëjë “tifo” vetëm për ndonjërën nga to duke anashkaluar të tjerat. Ka pasur oferta të papëlqyeshme, duke na ofruar leverdi në këmbim të asaj që mos ta kritikojmë punën e ndonjë institucioni ose të shkruajmë “vetëm mirë” por ne nuk kemi pranuar. Është ky preson që bëhët ndaj gazetarisë, nëse je pro ndonjë partie apo institucioni ai menjëherë të ndihmon, nëse bazohesh në principet e raportimit të drejtë dhe paanshëm, atëherë nuk përfillesh në agjendën e tyre për dhënien e reklamave”, thekson Zylbeari.  

Në periudhën sa është në pushtet koalicioni VMRO-BDI, u mbyllën mediat më të shikuara dhe më të lexuara në vend- televizioni A1, si dhe gazeta e dikurshme në gjuhën shqipe “Koha e Re” dhe  gazetat në gjuhën maqedonase “Vreme” dhe “Shpic”. Ndërsa në të gjitha raportet për lirinë e medieve, Maqedonia shënon rënie. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button