Ahmeti: Personalitetet e BDI-së kanë dhënë shumë për të ndryshuar statusin e shqiptarëve në Maqedoni

Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmë mbajti tubim parazgjedhor në oborrin e shkollës fillore “Kiril Pejçinoviq” në Komunën e Tearcës. 

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nga të pranishmit kërkoi mbështetje për kandidatin e tyre për kryetar të komunës së Tearcës, Isen Asanin.
 
“Komunën e Tearcës do ta fitojmë dhe sukseset nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen. Kjo për faktin se lista e BDI-së përbëhet prej shumë personaliteteve të cilët kanë dhënë shumë për ndryshimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni. Ata me punë dhe angazhim maksimal do të përmirësojnë jetesën tuaj në të gjitha segmentet”, deklaroi Ahmeti. 

Kandidati për kryetar komune, Isen Asani premtoi se do të vazhdojnë me realizimin e projekteve të cilat do ta lehtësojnë jetesën e banorëve të kësaj komune. 

“Në programin tonë kemi paraparë ndërtimin e tre hidrocentraleve të vogla në më shumë lumenj nëpër Malin Sharr.  Do të punojmë për zhvillimin e bujqësisë si dhe mbështetjen e prodhimeve vendore për ti bërë ato sa më konkurruese në tregun vendor. Do realizojmë projekte për zhvillimin e turizmit malor dhe zhvillimit rural në përgjithësi duke siguruar infrastrukturën e nevojshme deri në zonat më të thella malore”, deklaroi Asani. 

Të pranishmëve në tubimin e BDI-së në Tetovë iu drejtua edhe bartësi i listës për këshilltarë Gemi Beqir. Krahas këtij BDI-ja dje në rrethinën e Tetovës mbajti tubime parazgjedhore në Orashë, komuna e Jegunovcit dhe në fshatin Poroj të Tetovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button