Incidentet dhe fushata zgjedhore në Maqedoni top temë në mediat e Shqipërisë

Fushata zgjedhore, incidentet ndëretnike dhe diskriminimi i shqiptarëve  nga pushteti qendror në Maqedoni, ishin disa nga temat më interesante që u debatuan në emisionin e përjavshëm “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga në televizionin Top Channel, ku morën pjesë politikanë dhe analistë shqiptar nga Maqedonia.

“Shqiptarët e Maqedonisë vuajnë nga përfaqësimi jo cilësor i partive të tyre politike dhe pakujdesia e tyre për popullatën që ato përfaqësojnë” theksoi analisti Ramadan Ramadani.

Lidhur me fushatën zgjedhore dhe tonet e ashpra veçanërisht nga kryeministri Gruevski por edhe partitë e tjera, analisti Arsim Zekolli theksoi se janë një mjet për  të rritur entuziazmin.

“Krijimi i situatave të këtilla ka për qëllim të ngre entuziazmin për zgjedhjet lokale. Mendoj se kjo është një politikë e analizuar dhe bëhet për ta rritur interesin për dalje në zgjedhje që para do kohësh ishte shumë i ulët dhe thuajse inekzistent ” vlerësoi Zekolli në “Shqip”. 

Lidhur me komunat e Strugës dhe Kërçovës deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti, theksoi se beteja e vërtetë me maqedonasit zhvillohet në Kërçovë.

“Beteja e vërtetë këto zgjedhje do të zhvillohet në komunën e Kërçovës, Struga tashmë dihet, ajo u tregua në vitin 2005, unë kam bindjen se kryetari i Strugës do të jetë shqiptar, madje mbështetjen për kandidatin shqiptar në raundin e dytë e konfirmuan edhe vetë kandidatët Sela dhe Labënishti në një takim para disa ditësh” vlerësoi Mehmeti.

Kryetari i komunës së Tetovës Sadi Bexheti, shprehu shqetësimin e tij lidhur me anashkalimin që pushteti qendror po ju bën komunave shqiptare në Maqedoni.

“Pushteti qendror po anashkalon plotësisht investimet dhe financimin e projekteve në komunat që udhëhiqen nga shqiptarët, madje edhe ato komuna që udhëhiqen nga kryetarët e partisë shqiptare në qeverinë e Gruevskit” vlerësoi Bexheti.

Sadi Bexheti shprehu shqetësimin e tij edhe për anashkalimin e mediave nacionale ndaj opozitës shqiptare.

“Televizionet nacionale në Maqedoni janë të mbyllura për opozitën, ne nuk kemi qasje dhe mbështetje mediatike atje për të reaguar, përveçse në disa media lokale” përfundoi kryetari aktual i Tetovës.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button