Marrëdhëniet e tensionuara SHBA-Kinë për tregtinë dhe Tajvanin

Shtëpia e Bardhë tha se mes Presidentit Joe Biden dhe Presidentit kinez Xi Jinping është planifikuar një samit virtual më vonë këtë vit. Takimi vjen ndërsa është shtuar tensioni mes të dy vendeve mbi kërkesat e administratës Biden, që Pekini të ndalojë presionin ushtarak kundër Tajvanit dhe të respektojë angazhimet e tij tregtare, raporton VOA.

Gjatë ditëve të fundit, Kina ka dërguar rreth 150 avionë ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit, duke shkaktuar paralajmërime nga administrata Biden.

“Ky veprim është destabilizues. Mund të çojë në rreziqe të paparashikuara, duke minuar paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Taipei e konsideron veten të pavarur, por Pekini e sheh atë si një provincë të tijën. Presioni kinez mbi Tajvanin është bërë një tjetër pikë e nxehtë në tensionet e vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Pekinit.

“Megjithëse situate është shqetësuese, nuk mendoj se rreziku i luftës është i lartë. Nuk mendoj se kinezët janë të interesuar të provokojnë luftë. As Shtetet e Bashkuara nuk janë”, thotë Timothy Heath, hulumtues me korporatën RAND.

Shtetet e Bashkuara mbajnë marrëdhënie jozyrtare dhe mbështesin mbrojtjen e Tajvanit, duke respektuar politikën e “Një Kine të vetme”, që zbaton Pekini mbi Taipein – një qëndrim ky që u riafirmua gjatë një telefonate në shtator me Presidentin kinez Xi Jinping, tha Presidenti Joe Biden në fillim të kësaj jave.

“Ne jemi dakord t’i përmbahemi marrëveshjes së Tajvanit. E bëmë të qartë dhe mendoj se ai nuk duhet të bëjë asgjë tjetër përveçse t’i përmbahet marrëveshjes”, tha presidenti Joe Biden.

Por Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin mbi Kinën, duke thënë se nuk ka respektuar një marrëveshje të janarit 2020, në të cilën Pekini pranoi të blinte 200 miliardë dollarë më shumë mallra dhe shërbime amerikane deri në vitin 2021. Administrata Biden po mban tarifa mbi 350 miliardë dollarë mallra kineze.

“Ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi, dhe do të zbatojmë metoda të reja sipas nevojës, për të mbrojtur interesat ekonomike amerikane nga politikat dhe praktikat e dëmshme”, tha Katherine Tai, Përfaqësuese e Tregëtisë për Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë forcuar aleancat me fuqitë e Indo-Paqësorit, përfshirë Australinë, të cilën do ta ndihmojë të pajiset me nëndetëse bërthamore, sipas marrëveshjes së fundit AUKUS. Presidenti Biden organizoi gjithashtu një takim muajin e kaluar me udhëheqësit e Australisë, Indisë dhe Japonisë, të njohur si takimi i “katërshes”.

Por Uashingtoni është lënë jashtë Partneritetit Gjithëpërfshirës Ekonomik Rajonal, (të njohur si RCEP), një marrëveshje e zgjeruar e tregtisë së lirë mes dhjetë vendeve të Azisë Juglindore dhe pesë partnerëve, përfshirë Kinën.

Uashingtoni është lënë gjithashtu jashtë Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për Partneritetin Trans-Paqësor, (ose CPTPP), një marrëveshje tregtare e mbështetur nga administrata Obama nga e cila ish-Presidenti Donald Trump u tërhoq në vitin 2017.

Do të jetë gjithnjë e më e vështirë për Shtetet e Bashkuara të mbajnë avantazhin ekonomik në rajonin e Indo-Paqësorit, veçanërisht pasi Kina kohët e fundit ka kërkuar për t’u bërë pjesë e marrëveshjes”, thotë Abraham Denmark me qendrën Wilson.

Samiti virtual Biden-Xi po planifikohet për më vonë këtë vit. Njoftimi pasoi një takim në Zyrih mes këshilltarit të sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe homologut të tij kinez Yang Jiechi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button