Historia e arsimit është një makth nga i cili shpesh po përpiqem të zgjohem 

Sot, më shumë se kurrë, mund të themi se arsimi ka ecur përpara. Në të kaluarën sfidat ishin më të mëdha se sa, në kohën që po jetojmë. Ndërmend e sjell udhën e gjatë, nga qyteti i Dibrës, për të arritur në një nga fshatrat e saj, për t’i mësuar fëmijët e asaj ane. Transporti, për ne mësuesit, vullnetarë, ishte i rrallë. Në dimrat e ftohtë detyroheshim të endemi rrugicave të ngushta malore, në këmbë. Ecnin në borë dhe në shi, për t’ju afruar një kasolle, që quhej “shkollë”, me një stufë që e kishte sjellë një nga prindët dhe drunjtë që sillnin çdo ditë fëmijët në krah ose ndonjë anëtar i familjes së tyre. Kjo pamje, sikur zbehej, kur arrinim në vatrat tona. Ku shpesh tentonim të rregullonim antenën televizive, për t’i ikur lodhjes, për të pa Televizionin shqiptar. E bukura dhe që na ngushëllonte ishte filmi “Afërdita përsëri në fshat”, autori Sterio Spase i kishte lexuar çdo përpjekje të mësueses. Të asaj femre, e cila paragjykohej dhe shpesh ishte e pasigurtë në rrugën e gjatë, për të arrit te shkolla që e prisnin fëmijët me abetare në dorë. Në fakt ishin ca fletushka, që përmbanin shkronjat. Por, ishin shkronja të arta, të cilët do t’ua ndriçonin fatin brezave të rinj (siç ndodh edhe sot). Pranvera, ishte stina më e bukur në malet e fshatrat tona. Ndonëse, ato pamje nuk ishin që na shpërblenin për punën dhe sakrificën që bënim, por më shumë kishte pasoja, që mund të vinin nga kafshët e egra, ose shkëmbijtë që kapërcenim me thepa. Kaluan dekada dhe çdo ditë nga një gur vendosnim në tokën që quhej toka e mësim’nxënijes, sa u bë një kala e fortë dhe stoike. Por, gjendja e vështirë e banorëve të fshatrave, shpërnguli ata drejt qytetit ose në mërgim. Rrethanat ndryshuan, njerëzit udhëheqës arritën të investojnë në infrastrukturën rrugore, për t’a bërë më të lehtë udhëtimin qytet – fshat. Kur shikoj prapa në të gjitha ato sfida, sakrifica, shqetësime, e kujtoj historinë. Historia e mësuesve të viteve “80’ta është një makth nga i cili shpesh po përpiqem të zgjohem. Por, ka qenë lufta për të dhënë një ide të vetme, një shkëndi e papritur mendimi, që është vlerë, që peshon në jetën e secilit njeri. Dhe dekada më vonë, edhepse arsimi shqip arriti statusin e pavarur, vështirësitë nuk kanë përfunduar. Jo larg është edhe historia e Universitetit të parë në gjuhën shqipe (USHT), kur time bijë (Delvina) nuk e ndalte asnjë fortunë, për të dhënë mësim. Nuk e di nëse doja t’ia trashëgoja këtë profesion të çmuar bijës time, por e shoh në sytë e saj se si lufton për lulëzimin e arsimit shqip. Brezat e rinj sot, të vetmen kanë mënyrën se si mund të ballafaqohen me sfidat që i kanë, është duke i’u dalë atyre përballë – dhe kjo kërkon motivim të fuqishëm dhe vepra. Nëse dëshirojmë të dijmë të kaluarën e arsimit shqip – duhet të shikojmë në kushtet aktuale. Kuptohet që, nuk është si më parë, por duhet shumë punë për të bërë për të arritur cilësinë e duhur dhe kushtet, të cilat mungojnë. (Mungon shkumsi, apo lapsi i dërrasës së zezë, etj). Në kohën që po jetojmë (pandemie), ndonëse gjithçka është shndëruar në kompjuter, por fjala e shkruar me laps mbetet më e vlefshmja. Kompjuteri as nuk mund ta zëvendësojë një mësues të mirë. Mësuesi i mirë sfidon veten, që t’i ushqejë dëshirën për të mësuar nxënësit. Një mësues i mirë mund të frymëzojë shpresë, të rindërtojë imagjinatën dhe të nxisë një dashuri për të mësuar. Mësuesi i sotshëm nuk duhet të dijë vetëm kompjuterin, por duhet të dijë se si shkruhet në dërrasën e zezë, e si të vrapojë drejt shkollës, që shpesh e kemi larë me lot dhe me gjak. Mësuesi dhe nxënësi i suksesshëm e fitimtar është një ëndërrimtar që nuk heq dorë kurrë nga shkolla. Prandaj, do duhet të jemi më afër shkollës, që nënkupton më afër dijes. Dhe për çdo nxënës fitimi i dijes është një histori e pa shuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button