Bexheti vizitoi Reçicën, Arifi ishte te monumentet historike

Kandidatët për kryetarë të komunës së Tetovës, Teuta Arifi nga BDI dhe Sadi Bexheti nga PDSH kanë vazhduar aktivitetet e tyre parazgjedhore.

Bexheti ka realizuar mbrëmë takim me banorët e fshatit Reçicë e Madhe duke u thënë atyre se gjatë këtyre katër viteve Qeveria nuk ka lëshuar asnjë denar për komunën e Tetovës madje sipas tij, paratë e dedikuara për Tetovën i ka transferuar nëpër komuna tjera si në Strumicë dhe Dellçevë.

“Kundërkandidatja ime që jeton në Shkup e kërkon votën për Tetovë, asnjëherë brenda këtyre katër viteve jo që nuk është interesuar për Tetovën e tetovarët, por asnjëherë në qeveri nuk ka intervenuar që Tetova t’i marrë mjetet që i takojnë. Këtu është rregulluar oborri i shkollës dhe është adoptuar fusha e sportit, janë ndihmuar bujqit e kësaj ane me ndihma të njëhershme financiare për të tejkaluar dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe është pastruar kanali i ujitjes nga pika pagesore për në Gostivar deri në vendbanimin Bërvenicë ”, tha Bexheti.

Ai premtoi se do të ndërtojë rrugën që lidh këtë vendbanim me autostradën Tetovë-Gostivar, ka përgatitur gati projekt për ndërtimin e një çerdhe fëmijësh dhe do të investojë në rikonstruimin e rrugëve dytësore.

Teuta Arifi vizitoi monumentet e trashëgimisë kulturore dhe historike të Tetovës

Kandidatja për kryetare të komunës së Tetovës, Teuta Arifi sot vizitoi monumentet e trashëgimisë kulturore dhe historike të Tetovës.

“Për të ruajtur dhe për tu kujdesur për trashëgiminë tonë kulturore do të realizohen projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me rikonstruimin e urave të qytetit, Sahat Kullës, inicimin e shndërrimin të Konakut të Halim Beut në muze kombëtar, botimit të Monografisë së Tetovës dhe projekte tjera kulturore që do ta forcojnë identitetin kulturor të qytetit” janë këto premtimet e Arifit.

Ajo tha se Tetova është një qytet me traditë të pasur kulturore-historike, qytet që disponon me një numër të madh të godinave interesante kulturore-historike nga arkitektura fetare dhe kulturore. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button