Pas publikimeve të “Pandora Papers”, liderët botërore mohuan shkeljet
Disa liderë botëror kanë mohuar se kanë bërë shkelje, pasi emrat e tyre janë lakuar në publikimet e mëdha të dokumenteve financiare nga kompanitë në Karaibe, që u bën nga “Pandora Papers”, raporton BBC, përcjell Koha.net. Pandora Papers ka publikuar 12 milionë dokumente.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe Mbreti i Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, janë në mesin e 35 liderëve aktualë dhe ish-liderëve që përmenden në këto dosje. Të dy kanë lëshuar komunikata duke mohuar shkeljet.
Pallati Mbretëror i Jordanisë ka thënë se “nuk është e pazakontë dhe as e gabuar” që mbreti Abdullah të ketë prona jashtë vendit. Në dokumente tregohet se lideri në mënyrë sekrete ka shpenzuar 100 milionë dollarë në një perandori të pronave në Britani dhe SHBA që kur mori pushtetin në vitin 1999.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ndërkohë e ka vënë në diskutim besueshmërinë e këtyre informatave, pasi ka publikuar pasurinë e lidhur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe rrethin e ngushtë të tij.
“Për tash nuk është qartë se çfarë është kjo informatë dhe për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë ai. “Nuk kemi parë asnjë pasuri të fshehur të rrethit të ngushtë të Putinit atje”.
Të dhënat janë siguruar nga Kosociumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativ (ICIJ) në Washington, që kanë punuar me më tepër se 140 organizata të mediave në hetimin më të madh ndonjëherë global.
BBC Panorama dhe Guardian kanë udhëhequr hetimet në Britani.
Në publikime tjera kryeministri i Çekisë, Andrej Babis, pretendohet se ka dështuar të deklarojë një kompani investuese jashtë vendit të cilën e ka përdorur për të blerë dy vila në vlerë 12 milionë funte në jug të Francës.
Presidenti i Kenisë, Uhuru Kenyatta, së bashku me gjashtë anëtarë të familjes, pretendohet se është lidhur me 13 kompani jashtë vendit. Ndërkohë presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, një biznesmen miliarder, akuzohet se ka shitur një minierë të bakrit dhe hekurit në një ambient të ndjeshëm. Ai ia ka shitur shokut të fëmijërisë.