SHBA pas zhbllokimit të veriut: Koha për t’iu rikthyer dialogut

I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe e quajti “përparim të mirë nga Kosova dhe Serbia” zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për zhbllokimin e dy pikave kufitare në veri të Kosovës, transmeton REL.

“Prezenca e KFOR-it është e përkohshme, në dy javë ne presim që operacionet kufitare të kthehen në normalitet. Është koha për të shfrytëzuar këtë momentum dhe për t’u riangazhuar me zell në dialog”, ka shkruar Giacobbe.

Të shtunën, më 2 tetor, janë zhbllokuar dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Në rrugët që çojnë te këto dy pika nuk ka më kamiona të protestuesve dhe nga aty është larguar edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e KFOR-it e kanë marrë kontrollin në këto dy lokacione.

Këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.

Por, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se, nga kjo fundjavë e deri në dy javët e ardhshme, ky mision do të jetë prezent në këtë zonë, në përputhje me mandatin që ka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button