Radev pas takimit me Varhejin: Deklaratat dhe premtimet për dialogun nga RMV më nuk funksionojnë

Bullgaria pret aktivitete efektive nga institucionet e Bashkimit Evropian për promovim të vlerave të demokracisë dhe respektim të së drejtave të njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka thënë presidenti bullgar Rumen Radev në takimin e sotëm në Sofje me eurokomisarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varheji, shkruan 360 Gradë, njofton Portalb.

Siç njoftuan nga kabineti i Radevit, në takimin në të cilin ka marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme Svetllan Stoev, nga pala bullgare është theksuar se se rreth 120 mijë shtetas bullgarë në Maqedoninë e Veriut janë shtetas të Bashkimit Evropian dhe Bullgaria mbështetet në mbështetjen e institucioneve evropiane për respektim efektiv të së drejtave tyre.

“Bullgaria është më e interesuar t’i shohë fqinjët e saj në Bashkimin Evropian, por për këtë nevojitet përmbushje e plotë e kritereve të Kopenhagës për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, posaçërisht respektim të së drejtave të njeriut dhe parimet e fqinjësisë së mirë, të cilët janë në zemrën e bashkëpunimit evropian, theksoi presidenti bullgar”, shkruan në kumtesë.

Radev, gjithashtu, ka theksuar se deklaratat dhe premtimet për dialogun nga Maqedonia e Veriut më nuk funksionojnë dhe se Bullgaria pret vendime juridike obliguese që do të sjellin deri në rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.

“Kjo, gjithashtu, do ta përshpejtojë procesin e integrimit evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Rumen Radev përkujtoi se Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut i nënshkruar në vitin 2017 nuk zbatohet dhe fqinji ynë ende nuk i ka zgjidhur problemet me gjuhën e urrejtjes dhe konstruktim të imazhit të rrejshëm për Bullgarinë nëpër libra, muze dhe përmendore, si dhe ndaj qytetarëve të vendit të cilët hapurazi e shprehin vetëdijen e tyre bullgare”, thuhet në kumtesë.

Në takim, siç informojnë nga kabineti i presidentit bullgar, është konkluduar se në procesin e integrimit evropian të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe zgjidhja e çështjeve kontestuese, më i rëndësishëm është dialogu i drejtpërdrejt dhe i hapur. Paralajmërohet se Varheji do ta vizitojë edhe vendin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button