Debat mes BDI dhe PDSH, kush i la shqiptarët në baltë?

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani dhe deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu shkëmbyen akuza ndaj njëri tjetrin në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, që u transmetua mbrëmë në Tv Klan  ku temë e diskutimit ishte situata politike dhe pozita e shqiptarëve në Maqedoni.

Deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu, akuzoi BDI-në për qeverisjen e keqe dhe në dëm të shqiptarëve, ndërsa krerët e saj i cilësoj si servilë të kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Nuk e keni realizuar marrëveshjen e Ohrit afati i së cilës tashmë ka skaduar, keni nënçmuar flamurin shqiptar duke votuar ligjin që ai të jetë tre herë më i vogël se ai maqedonas, nën qeverisjen tuaj shqiptarët rrihen dhe arrestohen pa kurrfarë faji dhe gabimi, niveli i pasigurisë në vend është tjete i lartë për shqiptarët, diskriminimi i lartë ekonomik por edhe rrahjet dhe maltretimet që po përjetojnë vazhdimisht shqiptarët e Kumanovës dhe të Shkupit janë kufijtë e spastrimit etnik të shqiptarëve nga këto vendbanime” theksoi Fazliu, i cili për këtë situatë akuzoi partinë shqiptare në pushtet BDI-në.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i BDI-së Bujar Osmani, theksoi se proceset politike dhe pozita e shqiptarëve në Maqedoni është përmirësuar ndjeshëm në 10 vitet e fundit, ai shtoi se realizimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit është rruga më e mirë për vendin, për të tejkaluar problemet etnike dhe ndarjet nacionale.

“Gjuha shqipe në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, është gjuhë zyrtare, Maqedonia është ndër shtetet e vetme në botë ku flamuri i një shteti tjetër është flamur zyrtar, përfaqësimi i shqiptarëve në administratë është rritur ndjeshëm, ndërsa edhe zhvillimi ekonomik i tyre po shënon progres” theksoi Osmani në emisionin Opinion në TvKlan.

Prof.Dr Lisen Bashkurti që njëkohësisht ishte një nga pjesëmarrësit në këtë debat,konstatoi se shqiptarët e Maqedonisë janë të diskriminuar nga qeveria e Nikolla Gruevskit dhe nuk i gëzojnë të drejtat që ju takojnë.

Ai theksoi se bllokimi i proceseve euroatlantike në Maqedoni edhe më tej po shton krizën në këtë vend, e cila reflektohet me probleme ndëretnike dhe dhunë ndaj shqiptarëve.

Në takim u diskutua edhe për zgjedhjet lokale, ku kundërthëniet mes Fazliut dhe Osmanit përsëri ishin pikat kryesore të debatit.
Fazliu tha se BDI-ja duhet ta mbështesë PDSH-në në garën për komunën e Strugës ashtu siç e mbështet PDSH-ja BDI-në në Kërçovë.

Pjesëmarrësit në debat vlerësuan se përçarja e votës së shqiptarëve paraqet rrezik për humbjen e komunave të rëndësishme siç është ajo e Kërçovës dhe e Strugës të cilat banohen me shumicë shqiptare.

Lajme të ngjashme

Back to top button