Peticion në rrjetet sociale: Facebook të njohë Kosovën si shtet i pavarur

Kanë kaluar tashmë 5 vjet që kur Kosova shpalli Pavarësinë duke u ndarë përgjithmonë nga një shekull nën sundimin sllav. Edhe pse është njohur nga rreth 100 shtete, ajo vazhdon të paraqitet në një pjesë të mirë të hartave online si pjesë territoriale e Serbisë. Një ndër to është edhe rrjeti social Facebook, i cili në hartat e tij, nuk e paraqet Kosovën si të shkëputur nga Serbia por si provincë të saj. Nisur nga frekuentimi i madh që ka “Facebook”, rrjedhimisht edhe ndikimi në qindra milionë përdoruesit e tij në të gjithë botën, së fundmi ka filluar firmosja e një peticioni online për t’i kërkuar këtij rrjeti social që ta paraqesë Kosovën si shtet më vete dhe me kufijtë e saj të përcaktuar.

Peticioni, “Ask Facebook to show Kosovo on his maps as an independent state not as part of Serbia”, ka dy ditë që është hedhur online dhe është nismë e mbështetur nga Portali Albeu ndërsa synon të numërojë 100 mijë nënshkrues deri më datë 17 shkurt 2014, ditë e cila përkon me përvjetorin e gjashtë të shpalljes së Pavarësisë.

Dy ditë pas fillimit të peticionit, numri i atyre që kanë firmosur ka kaluar 80 persona, por me angazhimin e të gjithë shqiptarëve që janë në masë përdorues të Facebookut, pritet që mbledhja e firmave të bëhet shumë më shpejt se data e parashikuar.

“Për disa gjëra nuk ka nevojë që të mblidhen burra me kollare në zyrat e KE-së që t’i rregullojnë, mjafton një angazhim minimal nga të gjithë qoftë edhe në jetën virtuale”, – shprehet iniciatori i këtij peticioni.

Urojmë që të gjithë shqiptarët të mbështesin këtë nismë dhe ta shpërndajnë sa më shumë në rrjetet sociale në mënyrë që t’ia arrijnë qëllimit dhe më në fund Facebook të njohë Kosovën si shtet i pavarur.

Për të firmosur peticionin klikoni këtu:
www.thepetitionsite.com/takeaction/894/916/337/.

Lajme të ngjashme

Back to top button