Maqedonasit e Strugës dolën kundër Selës: kërkojnë ri-votim

Sot në qytetin e Strugës u zhvillua një protestë nga banorët maqedonas kundër vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, për rregullshmërinë e procesit zgjedhor në Strugë.

Në protestën e zhvilluar sot morën pjesë një numër simbolik i qytetarëve para së cilëve foli kryetari i shtabit të VMRO-DPMNE-së në Strugë, Pero Petkovski.

Përveç akuzave ndaj Komisionit qendror zgjedhore, Petkosvki theksoi se pa marrë parasysh qëndrimet e partive VMRO dhe LSDM në nivelin qendror, degët e këtyre partive në Strugë do të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre dhe do të jenë bashkë edhe në vazhdim, duke luftuar për mbrojtjen e interesave të tyre në Strugë.

Në këtë protestë morën pjesë edhe përfaqësuesit kryesorë të LSDM-së në Strugë si dhe partive të tjera më to vogla maqedonase.

Protesta kaloi e qetë dhe pa ndonjë incident, ndërsa numri i vogël i pjesëmarrësve u shpërnda menjëherë pas fjalimit të kryetarit të VMRO-së në Strugë.

Ndërkohë kujtojmë se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Strugë Ziadin Sela fitoi 5494 vota më shumë se kandidati i përbashkët i VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Vlladimir Koçoski.

Nga gjithsej 17 ankesat e dërguara në KSHZ nga partitë maqedonase, Komisioni i Zgjedhjeve pranoi vetëm dy prej tyre të cilat nuk ishin të mjaftueshme për ta përsëritur procesin zgjedhor në këtë komunë ku tashmë është konfirmuar kryetari i ri i saj Ziadin Sela. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button